Ndërlidhjet

Rice arrin në Francë


Sekretarja amerikane e Shtetit, Condoleezza Rice ka arritur në jug të Francës për bisedime me presidentin francez Nicholas Sarkozy. Ky i fundit ishte autor i armëpushimit të arritur në konfliktin në Gjeorgji, duke ndërmjetësuar në emër të Bashkimit Evropian.

Pas Francës Rice do të udhëtojë drejt Gjeorgjisë për të dëshmuar mbështetjen amerikane ndaj qeverisë në Tbilisi të zgjedhur në rrugë demokratike.

Para udhëtimit Rice deklaroi se Rusia do të përballet me izolim më të thellë nëse thyen armëpushimin.

"Nëse Rusia e shkel armëpushimin, dhe më duhet të them se informacionet nuk janë shumë inkurajuese rreth respektimit të armëpushimit nga Moska, kjo do të shërbejë për një izolim më të thellë të Rusisë. Kjo vetëm do të thellojë ndjesinë e fuqishme se Rusia nuk po sillet si partner ndërkombëtar që ka thënë se do të jetë", tha Rice.

Gjatë ditës dy aeroplanë amerikanë me ndihma humanitare arritën në Tbilisi.

Në Moskë shefi i diplomacisë ruse tha se Shtetet e Bashkuara duhet të zgjedhin mes "partneritetit real" me Rusinë dhe mbështetjes për atë që Lavrov e quajti "projekti virtual për Gjeorgjinë".
XS
SM
MD
LG