Ndërlidhjet

"Biserko: Nisma e Serbisë për Kosovën - humbje kohe"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Ministri serb i Punëve të Jashtme, Vuk Jeremiq, të premten pritet t'i dorëzojë selisë së OKB-së në Nju Jork propozimin zyrtar të Serbisë për nxjerrjen e një rezolute sipas procedurës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara. Me këtë propozim për rezolutë kërkohet që Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të kërkojë mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (ICJ), për shpalljen e pavarësisë së Kosovës, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme të Serbisë. Sipas saj, ky angazhim i Jeremiqit është pjesë e perpjekjeve "të gjëra" të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Serbisë për të bllokuar njohjen e Kosovës nga shtetet tjera dhe për të penguar anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Por, kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, vlerëson se nisma e Serbisë për t'i kërkuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mendimin juridik mbi ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës është humbje kohe. Në një intervistë për BBC-në, Biserko ka thënë se pavarësia e Kosovës është njohur nga shtetet më të rëndësishme të botës dhe Serbia nuk mund ta pengojë më këtë proces...

KOSOVA SOT
Misioni i UNMIK-ut ka marrë sinjale nga selia e KB-së të nënshkruajë marrëveshjen teknike me ekipin përgatitor të BE-së, me të cilën do të rregullohen raportet e dy misioneve në Kosovë. Burime tona brenda administrates kanë theksuar se marrëveshja është pergatitur, vetëm pret nënshkrimin nga të dyja palët. Kjo, sipas tyre, pritet të ndodhë gjatë ditëve të ardhshme. "Kjo marrëveshje nuk ka karakter politik, por vetëm teknik", thonë burimet, duke sqaruar se kjo nënkupton edhe shitjen e automjeteve të UNMIK-ut, misionit të BE-së në Kosovë. Paraprakisht, UNMIK-u ka paralajmëruar se do të fillojë me reduktimin e stafit të këtij misioni dhe që ai proces do të përfundojë deri në fund të vjeshtës. Ditët e fundit janë intensifikuar konsultat ndërmjet EULEX-it dhe UNMIK-ut dhe kjo pritet të përfundojë me nënshkrimin e marrëveshjes. Kjo marrëveshje do të mundësojë punësimin e numrit të madh të njerëzve në misionin e EULEX-it. Sipas vlerësimeve, besohet se procesi i rikonfigurimit të UNMIK-ut duhet të përfundojë më së largu deri në fund të nëntorit. Për drejtues të UNMIK-ut, para fillimit të rikonfigurimit të misionit është emëruar diplomati italian Lamberto Zanier, i cili nga Sekretari i Përgjithshëm i KB-së, Ban Ki Mun, ka marrë rekomandime për rikonfigurimin e UNMIK-ut, në vend të rezolutës së nevojshme të KS-së...

ZËRI
Situata në Kosovë dhe në Gjeorgji dallon shumë, para së gjithash, për shkak të kontekstit rajonal, sepse Kosova gjendet në Evropën Juglindore, ku përpos Serbisë, të gjitha shtetet e tjera, ose tashmë janë bërë pjesë përbërëse e Paktit NATO dhe të Bashkimit Evropian, ose synojnë të hyjnë në këto dy "klube" me rëndësi të jashtëzakonshme. Nëse Rusia niset udhës së njohjes së pavarësimit të Osetisë Jugore dhe të Abkazisë, s'ka dilemë që lidershipi rus do të përpiqet maksimalisht ta përdorë, për justifikimin e veprimit të vet, pavarësimin e Kosovës pa Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe pa pëlqimin e Rusisë dhe të Serbisë. Liderët rusë, zaten, shumë herë e kanë përmendur këtë mundësi, në fazën finale të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, megjithëse, siç u pa më pas, në javët dhe muajt pasi që Kosova u bë shtet i pavarur dhe u njoh prej dhjetëra shteteve anëtare të OKB-së, Moska nuk e ndërmori këtë hap. Por, në ndërkohë, për shkak të rrjedhave të njohura të tetë ditëve të fundit, gjërat kanë ndryshuar dhe për me shumë, edhe paralajmërimet e vetë autoriteteve më të larta të Rusisë shkojnë në drejtimin që ka qenë të thuash i paimagjinueshëm deri para 7 gushtit...

EXPRESS
Agjencia Kosovare e Pronës (AKP) aktualisht drejtohet nga dy drejtorë. Njëri është dërguar nga UNMIK-u, e tjetri nga ICO-ja. Punojnë në të njëjtën zyrë, por me ditë dhe kohë të ndryshme. Kur njëri drejton sot KPA-në, tjetri e bën këtë të nesërmen. Herë njëri shkon në mëngjes, ndërsa tjetri pasdite. Personeli i kësaj agjencie tash sa kohë s'po merr vesh se cili është drejtori aty. Leonid Markarëam është drejtori i parë i kësaj agjencie, i emëruar nga zyra e PSSP-së para disa muajsh. E drejtori i dytë është Scott Bouen, i emëruar para një muaji nga zyra e Përfaqesuesit Civil Ndërkombëtar - ICO, Pieter Feith. Ky rast pasqyron mrekullueshëm se sa shumë janë ndriçuar përgjegjësitë e UNMIK-ut dhe ICO-së. Agjencia e Pronës është ndër institucionet e fundit që e drejtojnë ndërkombëtarët, e që tash mu këtu jane kurthuar me njëri-tjetrin. Burime të Expressit tregojnë se UNMIK-u dhe ICO-ja kanë interes të drejtojnë këtë agjenci për shkak të rëndësisë që ka në përmbylljen e procesit të privatizimit. Agjencia e Pronës ka në kompetenca shqyrtimin e të gjitha ankesave...

KOHA DITORE
Veç misionit diplomatik kundër pavarësisë së Kosovës, Serbia e ka ndërmarrë hapin e parë formal në misionin e saj juridik për ta sfiduar ligjshmërmë e shtetit kosovar. Ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiq, të mërkurën ka udhëtuar për në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork për ta dorëzuar formalisht propozimin e Serbisë, për nxjerrjen e një rezolute nëpërmjet së cilës kërkohet mendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Por, nisma e Serbisë nuk shikohet si me rreziqe të mëdha nga politika kosovare. "Kjo është edhe një orvatje e Serbisë që të pengojë zhvillimin normal dhe demokratik në rajon dhe më gjerë. Një orvatje, po ashtu që të mohojë vullnetin e qytetarëve të Kosovës, por edhe vendimet e shteteve më demokratike në botë për njohjen e Kosovës. Kjo është një orvatje e dështuar", ka thënë zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi. "Ne nuk besojmë që kjo mund të kalojë në Asamblenë. Bota do të mbështetë zhvillimet demokratike dhe jo ato regresive", është shprehur ai. Rreziqet e sfidës së legalitetit të shtetit të ri nuk janë parë si serioze as nga ekspertë të së drejtës ndërkombëtare, sipas të cilëve Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë nuk ështe e detyruar që të japë mendim, aq më tepër kur bëhet fjalë për kërkesat e motivuara politikisht dhe gjendjet faktike...

EPOKA E RE
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në rastet çfarë para saj, me kërkesen e Serbisë, mund ta bëjë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, punon sipas procedurës, e cila si hap të parë nënkupton krijimin e listës së shteteve dhe organizatave ndërkombëtare, të cilat mund të japin informacione relevante për çështjen, për të cilën nga gjykata kërkohet mendimi këshillëdhënës. Sipas informacioneve nga sajti i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, gjykata në rast të tillë mund të zbatojë procedurë me shkrim dhe gojore. Në procedurën këshillëdhënëse, gjykata në parim konsulton shtetet, të cilat kanë kërkuar mendim këshillëdhënës dhe në rastin e mendimit për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, kjo do të ishte Serbia, por edhe të gjitha ato shtete të cilat e kanë përkrahur kërkesën dhe janë vënë në listë. Mund të marrin pjesë edhe shtetet të cilat gjykata nuk i ka vënë në listë, kurse ato dëshirojnë që gjykata t'i marrë në pyetje. Pjesëmarrësit e procesit, të cilët i konsulton gjykata në kuadër të procedurës, mund të paraqesin edhe argumentet me shkrim, ndaj të cilëve pjesëmarrësit e tjerë mund të përgjigjen. Arsyetimet me shkrim konsiderohen të besueshme, por hedhen për t'i parë pjesëmarrësit në fillim të procesit gojor. Shtetet zakonisht ftohen që t'i paraqesin njoftimet gojarisht në seancat e hapura. Procedura këshillëdhënëse përfundon me shqiptimin e mendimit këshillëdhënës në seancën e hapur. Esenca e mendimeve të tilla është se ato janë këshilluese, përkatësisht se nuk janë juridikisht të obligueshme...

LAJM
Entuziazmi fillestar për themelimin e ambasadave, veçse ka rënë. Kjo ilustrohet me faktin se institucionet e Kosovës nuk kanë arritur që të hapin madje as ambasadën në Shqipëri, e lëre më diku tjetër. As i ngarkuari me punë për të drejtuar përkohësisht këtë ambasadë nuk është emëruar, përderisa Tirana zyrtare është treguar më e shpejtë duke emëruar menjëherë Islam Laukën si ambasador të parë të sajin në Kosovë. Ndërkohë, shefi aktual i misionit diplomatik të Shqipërisë në Prishtinë, Arben Çeku, pritet që në shtator të fillojë punën si ambasador i Shqipërisë në Shkup, duke zëvendësuar kështu ambasadorin e deritanishëm Vladimir Prela. Nga ana tjetër, Qeveria e Shqipërisë ka ndarë edhe vendin dhe objektin për Ambasadën e Kosovës, por udhëheqësit në Prishtinë po vonohen. "Në një afat optimal pritet që të hapen nëntë ambasadat e Kosovës. Do të ketë procedurë të rregullt për të gjitha ambasadat, pa përjashtime për ndonjë ambasadë tjetër, në këtë rast Shqipërisë", tha zëdhënësi i Presidencës, Xhavit Beqiri, duke mos bërë publik emrin e ndonjë kandidati të mundshëm për udhëheqjen e Ambasades së Kosovës në Tiranë...

BOTA SOT
Teki Dervishi: Raportet e mira me zotin Zanier të kryeministrit i kuptuam (se janë fë tilla) në lakoninë speciale të ligjëratës së Aleksandër Ivankos, konstatimet e të cilit (jo vetëm në mungesë të "shefit të madh"), nganjëherë ia tejkalojnë "kompetencën" e postit prej zëdhënësi të UNMlK-ut. Dy-tri ditë para se "shefi i madh" të nisej për pushime verore, ai shprehu idenë e krijimit të një policie serbe të enklavave në Kosovë, por që nuk do të merrte urdhra nga zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës. Kryeministri Thaçi u deklarua kategorik kundër këtij propozimi, them "kategorik" që të mos themi "i ashpër". Që të jetë, si thotë Ivanko (ai i paska lexuar, thotë, intervistat me Thaçin e Kuçin) pra të jetë e të ketë "raporte të mira" midis Thaçit dhë Zanierit, atëherë nuk do të ishim ballafaquar me refuzime të "ashpra" ndaj "propozimeve" të "shefit të madh". Ose ndoshta lvanko mendon se prishja e raporteve nënkupton ndonjë boks-meç...
XS
SM
MD
LG