Ndërlidhjet

Scheffer: Nuk krahasohet Kosova me Osetinë


Ministrat e jashtëm të vendeve anëtare të NATO-s thanë se "nuk mund të vazhdojnë marrëdhëniet e zakonshme me Rusinë" derisa trupat ruse të tërhiqen nga Gjeorgjia.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer tha gjatë një konference për shtyp se Rusia aktualisht nuk po respketon armëpushimin e ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian dhe të pranuar nga presidenti Dimitri Medvedev.
26 vendet anëtare, përmes një deklarate të përbashkët thanë se po i vlerësonin seriozisht pasojat e veprimeve ruse në Gjeorgji.

Një tjetër vendim i Aleancës gjatë takimit të sotëm ishte krijimi i komisionit NATO-Gjeorgji për të forcuar raportet me Tbilisin.

Pas takimit shefi i NATO-s Jaap De Hoop Scheffer lidhur me përpjekjet për të krahasuar rastin e Kosovës me osetinë e Jugut tha:

"Nuk shoh asnjë bazë për të krahasuar Kosovën me Osetinë e Jugut. Nuk e bëj një gjë të tillë. E kam pasur një diskutim të tillë me partnerët rusë shumë kohë më parë, por ka pasur një rrugë të veçantë përmes Kombneve të Bashkuara për Kosovën " tha Scheffer.

Sekretarja amerikane e Shtetit Condoleezza Rice pas takimit deklaroi:

"Deklarata e takimit ka një gjuhë shumë të ashpër dhe ka pasur gjuhë të ashpër në tryezën e bisedimeve për atë se Rusia duhet të respektojë angazhimin për armëpushim që e morri presidenti rus. Është koha që presidneti rus ta mbajë premtimin për tërheqjen e forcave ruse nga Gjeorgjia", tha Rice.

Në prag të takimit, Rice deklaroi se NATO duhet t'ia bëjë të qartë Rusisë se nuk mund t'i bllokojë ish vendet sovjetike, përfshirë Gjeorgjinë dhe Ukrainën, që të ndërtojnë marrëdhënie më të ngushta me institucionet e Perëndimit, siç janë NATO dhe Bashkimi Evropian.
XS
SM
MD
LG