Ndërlidhjet

"Opozita paralajmëron vjeshtë të nxehtë për Qeverinë"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Partitë politike të opozitës kanë paralajmeruar se vjeshta e këtij viti do të jetë mjaft e nxehtë për Qeverinë e Kosovës. Ky paralajmërim vjen vetëm një javë para fillimit të punës së Kuvendit, i cili aktualisht ndodhet në pushimin e verës. Përveç qasjes më aktive dhe më kritike të opozitës ndaj punës dhe veprimeve të Qeverisë, në vjeshtë pritet edhe krijimi i një "koalicioni" ndëropozitar. Gjatë verës është zhvilluar një takim ndërmjet liderëve të opozitës, të cilët janë pajtuar për krijimin e një fronti më unik opozitar karshi Qeverisë. Përfaqësuesit e opozitës konsiderojnë se me përfundimin e çështjes së statusit, tashmë është krijuar një vijë shumë më e qartë ndarëse mes Qeverisë dhe partive opozitare. Në Aleancën për Kosovën e Re (AKR) bëjnë të ditur se prioritetet e tyre në gjysmën e dytë të vitit do të jenë të orientuara në disa drejtime. "Besoj që Qeverinë e pret një vjeshtë e nxehtë, sepse tashmë kanë përfunduar një numër i çështjeve të përbashkëta dhe fillon një fazë e re e jetës politike dhe parlamentare", thotë Shefi i Grupit parlamentar të AKR-së, Ibrahim Makolli. Me përfundimin e çështjes së statusit, e cila në gjysmën e parë të vitit i ka detyruar të jenë bashkë të gjitha subjektet politike, Makolli konsideron se është krijuar hapësirë që opozita ta luajë rolin e saj te vërtetë karshi veprimeve të qeverisë...

LAJM
Përpjekjet e strukturave të Qeverisë serbe për t'u instaluar dhunshëm në rajone të ndryshme të Kosovës, po acarojnë dita-ditës situatën politike, por edhe atë të sigurisë. Ndërsa, masat e zbehta të institucioneve legjitime për parandalimin dhe dënimin e kryerësve të këtyre akteve, po vënë në dyshim zotësinë e tyre për t'u ballafaquar me këtë sfidë. Së fundi, udhëheqësit e strukturave serbe të dala nga zgjedhjet ilegale të 11 majit, kanë bërë edhe një përpjekje për të shtrirë pushtetin e tyre në Shtërpcë. Ata kanë tentuar që me dhunë të uzurpojnë Drejtorinë e Gjeodezisë dhe Kadastrës, por nuk janë lejuar nga nëpunësit civilë shqiptarë dhe policia e Kosovës. Zëvendëskryeministri Ramë Manaj, incidentin në Shtcrpcë e quan përpjekje të eksponentëve të Beogradit për të mohuar realitetin dhe për të penguar funksionimin e institucioneve legjitime. Ai është i bindur se këto përpjckje të njerëzve të dalë nga zgjedhjet ilegale nuk do të kenë sukses...

KOSOVA SOT
Shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zanier, të hënën do të udhëtojë në Beograd për të vazhduar dialogun me zyrtarët serbë. Prezenca ndërkombëtare e UNMIK-ut nuk njoftoi për përmbajtjen e bisedave që shefi i tyre do të zhvillojë në Beograd. Mirëpo, zyrtarë serbë, cituar nga mediat serbe, thonë se në këtë takim do të diskutohet për kthimin e serbëve të Kosovës në SHPK dhe vënien në funksion të autoriteteve të gjyqësisë në veri të Kosovës. Ky do të jetë takimi i tretë në kuadër të dialogut të shefit të UNMIK-ut me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë. Ministri serb, Goran Bogdanoviq, tha se do t'i transmetojë Zanierit qëndrimin e Qeverisë së Serbisë dhe serbëve, të cilët janë larguar nga SHPK-ja, se mund të kthehen vetëm nën komandën e policisë ndërkombëtare. "Qeveria e Serbisë mbështet qëndrimin e serbëve që të mos kthehen në zinxhirin komandues të SHPK-së në Prishtinë, sepse në këtë mënyrë ata drejtpërdrejt do ta njohin pavarësinë e Kosovës", tha Bogdanoviq. Por, shefi i UNMIK-ut, Zanier, javën e kaluar, mohoi deklaratat e transmetuara nëpër mediat serbe të ministrit serb, Bogdanoviq, për krijimin e një strukture të veçantë policore për serbët lokalë, duke theksuar se asnjëherë nuk e ka menduar dhe nuk ka përmendur krijimin e një force policore serbe brenda Policisë së Kosovës...

EPOKA E RE
Ambasadori i SHBA-së në Mal të Zi, Roderick Moore, ka deklaruar se pret që shtetet e rajonit ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe të vendosin kontakte normale me fqinjin e tyre të ri. Në një intervistë për televizionin shtetëror të Malit të Zi, ai ka thënë se "SHBA-ja dhe partnerët e tyre presin që shtetet e rajonit ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe të vendosin marrëdhënie të rregullta me fqinjin e ri". "Është fakt se ka shtete në rajon që nuk i kanë vënë marrëdhëniet normale me Kosovën, gjë që dëmton stabilitetin rajonal dhe synimet euroatlantike të shteteve të rajonit", ka thënë Moore. Ndërkaq, lidhur me arrestimin e sërishëm të 10 shqiptarëve, të cilët ishin dënuar për organizimin e sulmeve terroriste në Malësi, e që pas shqyrtimit të dënimit ishin liruar të mbrohen në liri, Moore ka thënë se SHBA-ja angazhohet për zgjidhjen e shpejtë të këtij procesi - përfshirë këtu edhe ankesat që janë parashtruar...

ZËRI
Kosova kërkon mbështetjen e vendeve arabe për njohjen e saj si shtet i pavarur. Pjesë e këtij angazhimi është edhe konferenca e sotme në Prishtinë, me temën "Kosova dhe bota arabe", ku pritet të marrin pjesë intelektualë nga Arabia Saudite, Jordania, Siria, Libani, si dhe intelektualë nga Kosova, bashkë me lidershipin, presidentin Fatmir Sejdiu, të shoqëruar edhe nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni. Ideja themelore e konferencës, sipas drejtorit të Institutit RIINVEST, profesorit Muhamet Mustafa, është që të ndërtohen kanale komunikimi të Kosovës dhe botës arabe në funksion të njohjes sa më të shpejtë të shtetit të Kosovës nga vendet e botës islamike. Mysafirët e parë të mbërritur për pjesëmarrje në konferencë janë pritur edhe nga myftiu i Kosovës, Naim Tërnava. "Bota perëndimore na ka ndihmuar në themelimin e shtetit, ndërsa nga bota islame presim që të na ndihmojë në forcimin e shtetit në arenën ndërkombëtare", ka thënë myftiu Tërnava. Ndërkohë, mysafirët nuk e shohin çështjen e njohjes si diçka pasive, siç parashihet në Prishtinë, duke i bërë thirrje Qeverisë që të shtrijë lobimin e vet kudo që kërkohet njohja. Muhamet Mufaku, profesor në Universitetin "Al Albayt" në Jordani, thotë se me gjithë rëndësinë që kanë vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, megjithatë duhet shikuar edhe arsyet pse nuk ka njohje prej pjesëve tjera të botës dhe jo vetëm prej vendeve arabe. Ai i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të shtrijë një lobim të vërtetë në shtetet arabe, edhe atë secilin veç e veç për shkak të karakteristikave që kanë vendet e ndryshme arabe...

INFOPRESS
Ramë Manaj, sekretar i përgjithshëm i LDK-së dhe njëherësh zv/kryeministër, ka thënë të dielën për "Infopress" se gjatë kësaj jave do të bëhen të ditur emrat e dy posteve të zv/ministrave që u takojnë atyre. "Përfundimisht këtë javë do të kemi emrat e këtyre dy posteve", ka thënë Manaj, duke folur në cilësinë e sekretarit të LDK-së. Ai nuk ka dhënë ndonjë datë të caktuar së kur mund të bëhen të ditur emrat. Manaj ka thenë se ende nuk është diskutuar zyrtarisht ndonjë emër për këto dy poste. Në anën tjetër, burime të gazetës kanë thënë para tri ditëve se si më i mundshmi për postin e zv/ministrit të Forces së Sigurisë është anëtari më i ri i LDK-së, Fuad Ramiqi. Vetë ky i fundit në një prononcim për gazetën nuk ka mohuar mundësinë që ai të jetë i dyti ne Ministrinë e Forcës së Sigurisë. Ndërkohë, si emër i mundshëm për postin e zv/ministrit të Tregtisë është folur Sami Hamiti, që është edhe këshilltar i ministrit të Tregtisë, Lutfi Zharkut. Në anën tjetër, sa i përket emrit të zv/ministrit të Ministrisë së Jashtme që i takon Partisë Demokratike të Kosovës, ende nuk ka ndonjë afat optimal se kur mund të dihet. Megjithatë, zyrtarë të kësaj partie i kanë thënë gazetës se kjo do të bëhet shumë shpejt dhe se për këtë përgjegjësinë ia kanë lënë kryeministrit Thaçi...

BOTA SOT
Tradita e qeverisjes demokratike lejon që punën e partisë në pushtet ta monitorojnë partitë në opozitë, gjë e cila tashmë është bërë praktikë edhe në Kosovë. Meqenëse Kosova ka kaluar një periudhë delikate dhe partitë në pushtet gjithmonë kanë punuar në çështjet madhore, siç është zgjidhja e statusit të Kosovës, duke lënë anash kështu angazhimet e tyre për çështjet qe kanë të bëjnë me rregullimin e brendshëm të shtetit, përballë këtyre neglizhencave për veprime të brendshme, partitë opozitare ishin të heshtura. Tani kur Kosova është shtet i pavarur, ka Kushtetutën e saj, vëmendja e opozitës është përqendruar që të ngrejë zërin kundrejt qeverisë që kjo e fundit të jetë më aktive në realizimin e programeve që kanë të bëjnë me përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Pasi kanë përfunduar pushimet verore, partitë opozitare premtojnë se do t'i përvishen punës për t'i thënë troç qeverisë se nuk është duke realizuar programet e saj, që kanë të bëjnë me ndryshimin e gjendjes aktuale në Kosovë. Në një drekë pune, e thirrur nga kryetari i LDD-së, akademik Nexhat Daci mblodhi krerët e tri partive opozitare për të koordinuar veprimet, në mënyrë që të bëhet një bashkëveprim dhe bashkërendim i ideve, propozimeve, debateve të mundshme për të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me ngccjet në Kosovë...

EXPRESS
Rikonfigurimi që parashihet të përfundojë kah fundi i këtij viti do ta lë UNMIK-un pothuajse pa asnjë kompetencë administrative, por me rol për raportim dhe mentorim politik. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, paralajmëron se pas mbylljes së administratës civile në vijim të procesit të rikonfigurimit do të ketë zvogëlim të të gjitha zyrave, "përfshirë edhe zvogëlim dramatik të policisë ndërkombëtare". Për rolin e OKB-së në Kosovë pas përfundimit të rikonfigurimit do të njoftojë Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Moon, por, sipas Ivankos, UNMIK-u në esencë do të ketë rol për raportim dhe mentorim politik. Sipas tij, misionit të zvogëluar të OKB-së do t'i mbesin edhe disa çështje ekonomike, si dhe disa çështje policore, nëse pjesëtarët serbë të policisë në Veri vazhdojnë t'i raportojnë Komandës së Policisë së Kosovës përmes UNMIK-ut. Po ashtu, UNMIK-u do të vazhdojë të ketë rolin e lehtësuesit në dialogun e rinisur me Beogradin për çështje teknike...







XS
SM
MD
LG