Ndërlidhjet

Ligjvënësit rusë pro pavarësisë së Abkhazisë, Osetisë së Jugut


Ligjvënësit rusë e mbështetën thirrjen drejtuar Rusisë për njohjen e dy rajoneve separatiste të Gjeorgjisë.

Dhoma e Epërme, Këshilli i Federatës dhe Dhoma e Ulës apo Duma shtetërore, votuan njëzërit për t'i bërë thirrje presidentit Dmitriy Medvedev që ta njohë pavarësinë e Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut.

Asnjëra rezolutë nuk është obligative, dhe vendimi përfundimtar varet nga presidenti.

Para votimit, kryetari i Dhomës, Sergei Mironov tha se Abkhazia dhe Osetia e Jugut kanë të drejtë të jenë të pavarura.

"Populli i Osetisë së Jugut dhe i Abkhazisë i ka të gjitha të drejtat të fitojë pavarësinë, dhe një nga parimet legale për njohjen e pavarësisë është parimi fundamental i ligjit ndërkombëtar, e drejta e popullit për vetëvendosje", tha Mironov.

Abkhazia dhe Osetia e Jugut janë shkëputur nga Gjeorgjia më 1990, por as Rusia e as ndonjë shtet tjetër i OKB-së nuk ka njohur deklaratat e pavarësisë së tyre.

Moska dërgoi trupat në Gjeorgji pas luftimeve në Osetinë e Jugut në fillim të këtij muaji. Intervenimi rus dhe refuzimi i saj që të tërhiqet plotësisht nga territori gjeorgjian ka acaruar raportet e Moskës me perëndimin.
XS
SM
MD
LG