Ndërlidhjet

"Biseda me Serbinë vetëm si dy shtete"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Zëvendësshefi i UNMIK-ut, Nicholas Haysom, është takuar të hënën me të ashtuquajturin ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviq. Pas këtij takimi, i treti me radhë pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës ndërmjet përfaqësuesve të UNMIK-ut dhe autoriteteve të Beogradit, bashkëbiseduesit nuk janë prononcuar. Në një kumtesë të shkurtër për media të Qeverisë serbe thuhet se Haysom dhe Bogdanoviq janë dakorduar që te shtohet dinamika e takimeve të ardhshme, me qëllim të gjetjes së zgjidhjes gjithëpërfshirëse për problemet që ka popullata serbe në Kosovë. Mirëpo, agjencia serbe e lajmeve B92 ka paralajmëruar se në këtë takim do të bëhet fjalë edhe për policinë dhe gjyqësinë, respektivisht për kthimin e serbëve në Policinë e Kosovës dhe të organeve gjyqësore serbe në veri të Mitrovicës që, siç theksohet, për Serbinë është prioritet. Po ashtu, Bogdanoviq, pak minuta para takimit, ka deklaruar për "Zërin e Amerikës" se Qeveria e Serbisë e mbështet qëndrimin e serbëve se nuk do të jenë në komandën e zinxhirit të Policisë së Kosovës...

EPOKA E RE
Nënkryetari i Partisë Demokratike serbe, Slobodan Samarxhiq, ka akuzuar të hënën Qeverinë e Serbisë se nuk po ndërmerr kundërveprime për ta penguar që misioni i Bashkimit Evropian, EULEX, ta zëvendësojë UNMIK-un në Kosovë. "Vendosja graduale e EULEX-it në Kosovë po bëhet në mënyrë të qetë dhe pa u vërejtur, në mënyrë që të arrihet qëllimi sipas planit të Ahtisaarit që deri nga mesi i tetorit EULEX tërësisht ta zevendësojë UNMIK-un në misionin e tij paqësor", ka thënë Samarxhiq në konferencën me gazetarë. Ish-ministri për Kosovën ka thënë se Qeveria e Serbisë "e ka humbur hapin dhe tempon" dhe nuk po bën atë që është në domenin e saj që ta pengojë vendosjen e EULEX-it, e kjo nënkupton që ta udhëheqë politikën e saj në Kosovë, t'i forcojë institucionet dhe të jetë e pranishme në Kosovë. Ai ka theksuar se po humbet shumë energji në iniciativën e Serbisë që në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ta kërkojë mbështetjen e vendeve anëtare të organizatës botërore, qe nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ta marrë mendimin mbi ligjshmërinë e shpalljes së njëanshme të pavarësise së Kosovës...

EXPRESS
Qeveria e Kosovës nuk do të lejojë asnjë zyrtar të punojë në institucione në rast se ndaj tyre konstatohet se ka konflikt interesi. Këtë qëndrim e ka dhëne zëvendëskryeministri Ramë Manaj, pesë ditë pasi Agjencia Anti-korrupsion ka konstatuar se shefi i Departamentit të Farmacisë në Ministrinë e Shëndetësisë, Nexhdet Kondirolli, është në konfiikt te ngushtë me punën të cilën e bën. "Qeveria nuk do të lejojë asnjë zyrtar të punojë në konflikt interesi e as rastin konkret. Ne e përkrahim kërkesën e ministrit të Shëndetësisë dhe kërkojmë zbatimin e menjëhershëm të saj në pajtueshmëri me ligjin", ka thënë zëvendëskryeministri Manaj për Express. Edhe ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, ka konfirmuar se e ka njoftuar kryeministrin dhe dy zëvendësit e tij për mosekzekutimin e vendimit nga ana e ushtruesit të detyrës së sekretarit permanent, Ilir Rrecaj, për shkarkimin e Kondirollit. "Është njoftuar kryeministri dhe dy zëvendëskryeministrat për moszbatim të kërkesës së Agjencisë Antikorrupsion dhe shkresën time për shkarkimin e shefit të Departamentit të Farmacisë nga ushtruesi i detyrës së sekretarit", ka thënë ministri Gashi për Express...

KOHA DITORE

Prishtina zyrtare ka përsëritur qëndrimin e saj se pranon që të bisedojë me Beogradin zyrtar, por të njëjtin proces e kushtëzon me njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Serbia. Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, thotë se është në interes të paqes dhe stabilitetit rajonal një bashkëbisedim me Serbinë, por këto diskutime do të bëhen vetëm në suaza të bisedimeve si dy shtete të pavarura. Rreth kësaj, kryeministri Thaçi e ka përkujtuar edhe kreun e misionit të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, i cili është i ngarkuar nga sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, për ndërmjetësimin e një dialogu teknik mes Kosovës e Serbisë. "Zoti Zannier e ka mandatin e vet, ndërsa Qeveria e Kosovës e ka obligim dhe do ta respektojë me përpikëri Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Natyrisht, ne punojmë për fqinjësi të mirë dhe për marrëdhënie të shkëlqyeshme me të gjitha vendet e rajonit", ka thënë ai. Janë gjashtë fusha, të cilat janë identifikuar nga Ban Ki-moon si të nevojshme për të gjetur një zgjidhje të përbashkët ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, nga policia e gjyqësia e deri tek transporti dhe telekomunikacioni për serbët e Kosovës. Kreu i Qeverisë së Kosovës i pyetur për ketë çështje dhe se a pajtohet për një dialog teknik me Beogradin, ashtu siç parashihet nga Ban Ki-moon, ka thënë se janë çështje që ndërlidhen me interesat e të dy vendeve, për të cilat Prishtina gjithmonë ka treguar gatishmëri për të diskutuar, por jo për të negociuar. Por, ai nuk e ka përjashtuar mundësinë që në të ardhmen të ketë takime të Prishtinës dhe Beogradit, dhe madje takime të drejtpërdrejta...

ZËRI
Në Beograd mbizotëron bindja që vetë procesi i ekzaminimit të çështjes së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare, po qe se Serbia do t'ia dalë të marrë shumicën e votave të shteteve anëtare të OKB-së për nismën e saj, do të marrë goxha një kohë, dhe që vetë ky fakt do të jetë i dobishëm për Beogradin. Qarqet diplomatike perëndimore në Prishtinë, i kanë thënë gazetës "Zëri" që Beogradi zyrtar, pas ofensivës diplomatike të javëve të fundit, shpreson në bllokimin e procesit të njohjes së shtetit të Kosovës, qysh tash, apo disa javë para se shtetet anëtare të OKB-së (fjala është për 192 shtete që janë në OKB), të votojnë për Rezolutën e propozuar të Serbisë, me të ciiën kërkohen që Gjykata Ndërkombëtare të ofrojë ekspertizën e saj për përputhshmërinë apo kundërshtimin mes pavarësisë së Kosovës dhe të Drejtës-Rendit Ndërkombëtar. Qeveritarët serbë, në përkrahje të kësaj iniciative, kanë pohuar madje që do të pranojnë pavarësinë e Kosovës, po qe se kjo Gjykatë do të konstatojë që pavarësia e Kosovës nuk eshtë në kundërshtim me të Drejtën Ndërkombëlare. Sipas qarqeve diplomatike perëndimore, Serbia shpreson që vetë kërkesa e saj, ende pa u shqyrtuar në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, do të ndikojë edhe te shtetet që janë më pranë njohjes së Kosovës sesa shtyrjes për më vonë të vendimit final, që të presin së pari se çfarë do të ndodhë me Rezolutën e Serbisë, e pastaj, po qe se ajo merr "dritë jeshile" në OKB, të presin edhe vetë rekomandimin e Gjykatës Ndërkombëtare, ashtu që më lehtë të vendosin rreth kësaj teme...

INFOPRESS
Turqia intensifikon bashkëpunimin me Kosovën, tash edhe në fushën e ekonomisë. Të hënën, në Prishtinë, është bërë hapja e Odës Tregtare Kosovare - Turke, ku isbte i pranishëm edhe Mustafa Said Yazicioglu, ministër përgjegjës për bashkëpunim ndërkombëtar i shtetit të Turqisë, si dhe ministrat e Qeverisë së Kosovës. Ministri turk Yazicioglu tha se aktualisht është duke u bërë njohja e pavarësisë së Kosovës në arenën ndërkombëtare, por është duke u punuar edhe në aspektin e zhvillimit ekonomik. "Gjatë vizitës sonë nëpër Kosovë e kemi vërejtur se është një nismë e madhe e zhvillimit ekonomik", tha ai. Sipas tij, në një të ardhme shumë të afërt do të krijohen marrëdhëniet në nivel të ambasadave mes Turqisë dhe Kosovës dhe atëherë marrëdhëniet në mes dy vendeve do të intensifikohen edhe më shumë...

BOTA SOT
Inslitucionet shtetërore të Republikës së Kosovës në radhë të parë kanë për obligim krijimin e lirisë qytetare për të gjithë shtetasit e vet dhe të ndalin terrorin psikologjik në veri, që po ushtrohet prej kohësh nga strukturat paralele serbe. Vetëm në këtë mënyrë mund të krijohen parakushtet për ushtrimin e drejtë të organeve të sigurisë në tërë territorin e vendit. Policia e Kosovës, natyrisht me urdhëresat e Qeverisë, duhet të dislokohet në ato zona, të cilat janë delikate, përderisa rrjetet mafioze dhe të krimit e kanë fillin në veri, pavarësisht vendngjarjes ku mund të kapen elementet e natyrës kriminale. Bazë egjithë kësaj është vendosja e të gjitha pikave doganore; ndryshe nuk mund të flitet për suksese dhe mbikëqyrje të terësisë territoriale. Nisma e fundit e Qeverisë për investime në veri është vetëm një hap pozitiv që është për t'u përshëndetur, por krahas kësaj kërkohet më shumë angazhim në vendosjen e rregullit dhe ligjshmërisë, duke ndihmuar kthimin qytetarëve shqiptarë nga pronat e tyre në veri. Në këtë kontekst, ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, ka thënë se askush nuk mund të pengojë përpjekjet e institucioneve përgjegjëse të Republikës së Kosovës dhe bashkësisë ndërkombëtare për instalimin e gjilhë mekanizmave ligjorë në pjesën veriore të Mitrovicës, sepse ka vendosmëri për të mos toleruar kontrabandën...

KOSOVA SOT
Kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, në kuadër të vizitës në SHBA, ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Demokratike. Ai ka zhvilluar takime edhe me kryetaren e Kongresit Amerikan, Nensi Pellosi, si dhe me ish-sekretaren e Shtetit, Medlin Ollbrajt. Takime të veçanta, kryeparlamentari Krasniqi pati edhe me kryetarët e parlamenteve të Bolivisë, Bosnjë-Hercegovinës, Bullgarisë, Gjeorgjisë, Nigerisë, Ekuadorit, Guines-Bisao, Haitit, Jordanisë, Senegalit, Liberisë dhe të Parlamentit të shtetit Niger. Në këto takime kryeparlamentari Krasniqi i njoftoi homologët me proceset aktuale politike në Kosovë, duke shtruar edhe kërkesën për njohje të shtetit të pavarur të Kosovës nga ana e këtyre shteteve. Kryeparlamentari Krasniqi të hënën ka marrë pjesë në Konventën e Partisë Demokratike në ShBA.. Konventa e demokratëve është duke u zhvilluar në Denver, ku Barak Obama edhe zyrtarisht do të paraqesë kandidaturën e Xhozf Bajden për zëvendëspresident të SHBA-së...





XS
SM
MD
LG