Ndërlidhjet

Clinton: Obama është gati të udhëheqë


Ish-presidenti amerikan Bill Clinton i ka dhënë përkrahje kandidatit Barack Obama dhe ka ftuar anëtarët e Partisë Demokratike që të votojnë për të.

Ai ka bërë këto komente në Konventën e Partisë Demokratike, që po mbahet në Denver të Colorado-s.

"Është e qartë se puna që duhet të bëjë presidenti i ardhshëm i Amerikës është të rindërtojë ëndrrën amerikane dhe të rivëjë lidershipin amerikan në botë. Dhe ajo që kam për të thënë për këtë është se cdo gjë që kam mësuar për tetë vjet si president, dhe në punën që kam bërë në Amerikë dhe botë, më ka bindur se Barack Obama është njeriu i duhur për këtë punë", tha Clinton.

Në ditën e tretë të Konventës së Partisë Demokratike ka folur edhe senatori Joe Biden, i zgjedhuri i Obamas për nënpresident.

Ai është fokusuar në politikën e jashtme amerikane dhe ka kritikuar administratën Bush për neglizhencë.

"Në ditët e fundit kemi parë pasojat e kësaj neglizhence me Rusinë e cila sfidoi lirinë e shtetit demokratik të Gjeorgjisë. Barack dhe unë do t'i japim fund kësaj neglizhence, do ta mbajmë përgjegjëse Rusinë për veprimet e saj dhe do të ndihmojmë popullin e Gjeorgjisë", tha Biden.


XS
SM
MD
LG