Ndërlidhjet

Tiranë: Dënohet vendimi i Rusisë


Ministria e Jashtme e Shqipërisë dënoi vendimin e Rusisë për njohjen e pavarësisë së Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut dhe e konsideron këtë hap të papranueshëm dhe në kundërshtim të plotë me të drejtën ndërkombëtare dhe me rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Ministria e Jashtme e hedh poshtë me vendosmëri çdo përpjekje për të vendosur paralele midis Kosovës dhe rajoneve të Gjeorgjisë, Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut. Argumente të panumërta historike, shkencore e juridike dëshmojnë se rasti i Kosovës është unik dhe zgjidhja e zbatuar për të është unike. Si i tillë, ai nuk mund të shërbejë si model për zgjidhjen e konflikteve të tjera.

"Duke mbështetur shkëputjen nga Gjeorgjia të Abkhazisë dhe Osetisë së Jugut, ndërkohë që në rastin e pavarësimit të Kosovës mbrojti të kundërtën, Moska po kompromenton përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për zgjidhjen e drejtë, realiste dhe të qëndrueshme të konflikteve" thuhet, pos tjerash, në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.
XS
SM
MD
LG