Ndërlidhjet

"Ollbrajt: Krahasimet mes Kosovës e Gjeorgjisë – pa vend"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EPOKA E RE
Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin, i ka kritikuar shtetet evropiane për lojë të dyfishtë dhe për dëgjueshmëri ndaj Uashingtonit, duke thënë se Perëndimi, i cili po e akuzon Rusinë për shkak të njohjes së Osetisë Jugore dhe Abkhazisë - e ka njohur Kosovën, duke i shkelur vendimet e Kombeve të Bashkuara. Në një intervistë për televizionin gjerman ARD, Putin ka thënë se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit, që flet për tërësinë territoriale të Serbisë, është hedhur në mbeturina, ngaqë Shtëpia e Bardhë ka urdhëruar një gjë të tillë. "E kanë hedhur në mbeturinë atë rezolutë dhe e kanë harruar fare. Tentuan ta devijonin, por ishte e pamundur, dhe e harruan në tërësi", ka thënë Putin. Ai ka kërkuar nga vendet perëndimore që ta njohin Osetinë Jugore dhe Abkhazinë, pasi, sipas tij, "ato nuk dallojnë nga Kosova"...

ZËRI
Në një bisedë zhvilluar me të përjavshmen gjermane "Der Spiegel", ish-sekretarja amerikane e Shtetit, Medlin Ollbrajt, hodhi me vendosmëri poshtë çfarëdo krahasimi mes Kosovës dhe rajoneve separatiste në Gjeorgji, Osetisë Jugore dhe Abkhazisë, të cilat u njohën si të pavarura nga ana e Rusisë. "Ky krahasim është i pavend. Kryetari serb, Slobodan Milosheviq, së bashku me bashkëpunëtorët e tij kishte dhënë urdhër për spastrimin etnik të Kosovës. Ne kemi berë përpjekje që me ndihmen e shumë rezolutave të OKB-së të zgjidhim këtë krizë dhe në vazhdimësi kemi bërë përpjekje që të bashkëpunojmë me rusët. Thjeshtë, situata në Kosovë ka qenë ndryshe. Përveç kësaj: ajo që ka bërë Milosheviqi, nuk mund të krahasohet kurrsesi me atë që kanë bërë gjeorgjianët për të mbajtur të bashkuar vendin e tyre", tha Ollbrajt. E pyetur se si do të reagonte ajo, po të kishte qenë në funksion ndaj intervenimit të Rusisë në Osetinë Jugore dhe Abkhazi, Ollbrajt tha: "Do të kisha shkuar menjëherë në Moskë, siç nuk bëri sekretarja aktuale, Kondoliza Rajs. Unë me një gjuhë të qartë do t'u kisha thënë rusëve se sjelljet e tyre janë thjeshtë të papranueshme. Por, njëkohësisht do t'i kisha siguruar se atyre nuk u kërcënohet ndonjë rrezik në kufijtë e tyre"...

KOSOVA SOT
Shumë shpejt pritet që të rishpallet konkursi për Avokatin e Popullit. Ismet Hajrullahu, këshilltar i kryetarit të Parlamentit, Jakup Krasniqi, ka pohuar se së shpejti Parlamenti i Kosovës do ta rishpallë konkursin për Avokatin e Popuilit. "Nuk mund të saktësoj data se kur do të ndodhë, por kjo në një të ardhme shumë të afërt do të ndodhët", u shpreh Hajrullahu me plot bindje. Ai ka pohuar për gazetën "Kosova Sot" se kriteret për ombudsperson do të jenë të njëjta dhe nuk do të ndryshojnë. Ndërkaq, në Kosovë janë duke qarkulluar ide të ndryshme për zgjedhjen e Avokatit të Popullit. Një nga propozimet që janë duke qarkulluar është edhe ai që Avokati i Popullit të emërohet nga radhët e minoritetit serb, propozim i cili është dhënë nga KIPRED-i. Ky propozim duket që është frymëzuar nga zgjedhja e Avokatit të Popullit maqedonas, i cili ështe zgjedhur nga radhët e komunitetit shqiptar në Maqedoni...

INFOPRESS
Organizata joqeveritare "Çelenja", u ka rekomanduar institucioneve të Bashkimit Evropian ne Kosovë dhe institucioneve qeverisëse të Kosovës që çdo material që lidhet me integrimin e Kosovës në BE dhe procedura tjera, të publikohen në ueb-faqet zyrtare të këtyre institucioneve. Një raport i kësaj organizate, i dalë nga një monitorim i ueb-faqeve të këtyre institucioneve dhe i politikave për integrim gjatë kësaj periudhe të këtij viti, tregon se nga mospublikimi i dokumenteve të ndryshme, qytetarët e Kosovës janë pak të informuar rreth procesit të integrimit të Kosovës në BE. Raporti ne fjalë nxjerr në pah se në ueb-faqet e Agjencionit për Integrime Evropiane ka pak dokumente dhe atë vetëm tri sosh. Ndërkohë, sipas këtij raporti 22 faqesh, nëpër institucionet e Kosovës deri më tani nuk kanë ndonjë publikim të tillë. Sipas këtij raporti, këtë tashmë kanë nisur ta bëjnë disa ministri...

KOHA DITORE
Opozita kosovare, e cila ka filluar përgatitjet për fuqizimin e misionit të saj në institucionet e vendit, i ka paralajmëruar drejtpërdrejt të dielën prijësit e shtetit se tash e tutje ajo nuk do t'u shkojë për shtat partive në koalicion qeverisës, PDK-së të udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe LDK-së të presidentit Fatmir Sejdiu. Më të vendosur se kurrë, dy liderët e partive opozitare, ai i AAK-së, Ramush Haradinaj, dhe ai i AKR-së, Behgjet Pacolli, kanë diskutuar të dielën në shtëpinë e Haradinajt për më shumë se tri orë për strategjinë e funksionimit të opozitës pas zhvillimeve të fundit në vend. Madje, paralajmërimin se opozita do të jetë shumë më e fuqishme se tash e ka dhënë lideri i AKR-së, Behgjet Pacolli. "Unë jam i bindur se pas këtij takimi do të jemi shumë më të fuqishëm", ka deklaruar Pacolli. Ai ka shtuar se si parti opozitare ato janë të obliguara që t'i realizojnë premtimet e dhëna, dhe për të arritur qëllimin kanë vendosur që të shtojnë bashkëpunimin ndërmjet vete. "Normalisht, ne kemi një funksion të dyfishtë: edhe të mbrojmë punën tonë, pra të kryejmë obligimet që kemi marrë ndaj shoqërisë kosovare, por edhe ta monitorojmë Qeverinë...", është shprehur Pacolli...

EXPRESS
Një zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara, David Harland, do të arrijë të mërkurën në Kosovë për të marrë përgjegjësinë e ushtruesit të detyrës së Zëvendësit të Përfaqësuesit Special të Sekretarit të Përgjithshëm. Zëdhënësi i UNMIK-ut, Alexander Ivanko, ka konfirmuar të dielën për Express se zoti Harland do të duhej të arrinte të mërkurën për të qëndruar diku pesë javë. "Ai vjen si ushtrues detyre i Zëvendësit të PSSP-së", ka thënë Ivanko. "Por, nuk e di çfarë detyrash do të ketë. Për ato, ai duhet të diskutojë me PSSP-në Lamberto Zan-nier". Duket se Sekretari i Përgjithshëm, Ban Ki-Moon, në mungesë të gjetjes së përkrahjes nga Këshilli i Sigurimit për të emëruar një zëvendësshef të UNMIK-ut, është detyruar të zgjedhë që deri më 15 tetor, kur sipas planeve të fillimit do të mbaronte një fazë e rikonfigurimit të misionit, të dërgojë dy zëvendësshefa të përkohshëm...

BOTA SOT
Përderisa institucionet e Kosovës janë vonuar me propozimet e para për përfaqësuesit diplomatikë, kjo çështje si duket do të zvarritet edhe më, meqë të propozuarit duhet të presin dekretimin presidencial, por edhe t'i nënshtrohen trajnimeve profesionale, të cilat si duket do të zgjasin tri javë. Ende nuk dihet kur do të fillojnë ditën e parë diplomatike të propozuarit e Qeverisë për të përfaqësuar Kosovën në ambasadat e para në botë, ende nuk dinë se kur do të fillojnë punën në vendet që tashmë janë përcaktuar, ndonëse duhet përfillur procedurat e parapara që janë edhe të obliguara me Konventën Ndërkombëtare. Lista e 31 të propozuarve nga ana e Qeverisë ende nuk ka marrë bekimin e presidentit Sejdiu, por para së gjithash të propozuarit duhet të presin edhe përgjigjen pozitive nga ato vende ku ata janë propozuar. Ndonëse nuk mund të flitet ende për një datë të saktë të fillimit të punës së ambasadorëve të parë të Kosovës, shpresohet se përfaqësimi diplomatik i Kosovës do të fillojë në një afat sa më të shkurtër, meqë Kosova ka nevojë për të zhvilluar një diplomaci intensive, sidomos tani kur kemi të bëjmë me procesin e njohjeve të reja dhe thellimin e marrëdhënieve bilaterale me vendet që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës...

LAJM
Përveç pasaportës së zakonshme, me të cilën do të pajisen të gjithë qytetarët e Kosovës, kategori të caktuara të personave në Kosovë do të kenë të drejtë të pajisen me pasaporta diplomatike., zyrtare apo pasaporta të veçanta. Katër llojet e pasaportave që do të prodhohen nga Qeveria e Kosovës tashmë janë të dizajnuara, nderkohë që pasaportat e rregullta tashmë janë në qarkullim, kurse ato diplomatike zyrtare dhe të veçanta do të lëshohen së shpejti. Ministri i Punëve të Brendshme, Zenun Pajaziti, thotë se me ligj janë të përcaktuar katër lloje dokumentesh udhëtimi të Republikës së Kosovës... Sipas ministrit, të gjitha këto pasaporta janë dizajnuar në pë-puthje me kriteret e parapara në Kushtetutën e Kosovës, përfshirë edhe përdorimin e alfabetit dhe të kritereve tjera të përcaktuara me ligj. "Janë rreth 100 shenja të sigurisë brenda ketij dokumenti dhe askush nuk do të ketë mundësi ta falsifikojë apo keqpërdorë asnjë prej këtyre dokumenteve". Albana Beqiri, zëdhënëse e Ministrisë së Punëve të Jashtme, thotë se përfituesit e pasaportave diplomatike dhe atyre zyrtare të Republikës së Kosovës janë të precizuar me ligj. Sipas saj, me pasaporta diplomatike do të pajisen vetëm zyrtarët më të lartë shtetërorë, si dhe ambasadorët dhe familjet e tyre...
XS
SM
MD
LG