Ndërlidhjet

Tërmkolli: LDK s'ka strategji të reformimit


Melihate Termkolli
Melihate Termkolli

"LDK-ja s'ka strategji reale për reformim, sepse partia ka mbetur peng i postit të ngrirë të kryetarit të saj, Fatmir Sejdiu", thotë në intervistë për Radion Evropa e Lirë, Melihate Tërmkolli, deputete dhe anëtare e Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës.



RADIO EVROPA E LIRË
Zonja Tërmkolli, Kosovën gjer më tani e kanë njohur 46 shtete. Si i vlerësoni ju njohjet e deritanishme të shtetit të pavarur të Kosovës, procesin në tërësi?

MELIHATE TËRMKOLLI
Unë mendoj se është një proces që është i varur nga shumë faktorë dhe nga zhvillime të ndryshme që po ndodhin në gjithë botën.

Në fakt, ne e dimë që edhe njohja e pavarësisë së Kosovës u bë në koordinim me bashkësinë ndërkombëtare, me SHBA-të dhe vendet e BE-së, dhe fatkeqësisht njohja ka ngelur në këto kontura, domethënë në konturat e atyre shteteve me të cilat u bë koordinimi i njohjes së pavarësisë së Kosovës dhe janë shumë pak nga vendet tjera që kanë njohur Kosovën.

Natyrisht, kjo është një pozitë e palakmueshme për Kosovën dhe me pasoja jo të mira për vendin. Mendoj se ka një problem në këtë drejtim, se institucionet e Kosovës, Qeveria dhe institucionet tjera, duket sikur fare nuk menodjnë për çështjen e njohjes, nuk kanë asnjë plan apo një veprim në këtë drejtim.

Me gjasë, më tepër po e llogarisin si një përgjegjësi të miqve tanë, sesa një përgjegjësi të vetë institucioneve të Kosovës. Është shqetësuese në veçanti mosnjohja nga disa vende të BE-së, kur dihet mirë fakti se Kosova pretendon të jetë anëtare e BE-së dhe me këtë pozicion do të jetë shumë i vështirë zhvillimi i mëtutjeshëm.

Gjithashtu është shqetësuese edhe mosnjohja nga disa vende të rajonit, që po ashtu do t'i ketë ato ndikimet e veta në procese të ndryshme zhvillimore, në veçanti në zhvillimin ekonomik.

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni diplomacinë serbe, apo më konkretisht iniciativat e Serbisë për të ndalur procesin e njohjes në Kosovë?

MELIHATE TËRMKOLLI
Së pari, institucionet e Kosovës, Qeveria në radhë të parë, nuk ka një origjinalitet të politikës dhe planit për njohje, për dallim nga Serbia që po bën iniciativa të ndryshme në këtë drejtim.

Këtë mund ta përmbledh me një fjali: Në planin diplomatik, Serbia po lufton shumë më shumë për Kosovën, sesa institucionet e Kosovës për veten tonë.

RADIO EVROPA E LIRË
Në anën tjetër, opozita ka kritikuar Qeverinë aktuale të Kosovës për ngecjen në njohje. Cili është qëndrimi juaj?

MELIHATE TËRMKOLLI
Zëri i opozitës nuk është ai që do të duhej të ishte, nuk është aq i fuqishëm, për faktin se ka një heterogjenitet në radhët e opozitës. Përveç Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, mund të them që dy partitë tjera nuk mund të quhen në kuptimin e plotë të fjalës opozitë; kanë një qëndrim shumë të paqartë rreth qeverisë.

Madje, me sa po shihet, janë duke pritur që të jenë pjesë e qeverisjes dhe ngurojnë ta thonë atë që do të duhej ta thonë.

Opozita për të bërë një punë më serioze, duhet të jetë shumë më e fuqishme, gjë që në Kosovë, ka shumë pak gjasa të ndodhë dhe mbase kjo është një nga elementet apo arsyet kryesore pse Kosova, në njëfarë mënyre, në planin e politikës institucionale po rrëshqet kah një dikataturë dhe një autoritarizëm.

RADIO EVROPA E LIRË
Janë bërë më se 6 muaj prejse koalicioni aktual PDK-LDK udhëheq vendin. Cili ka qenë roli deri më tani i Lidhjes Demokratike të Kosovës në këtë koalicion?

MELIHATE TËRMKOLLI
Roli i LDK-së në këtë koalicion nuk ka qenë shumë i dukshëm. Përveç një shërbimi që i ka bërë PDK-së, nuk shihet ndonjë veprim tjetër që do të ishte i dukshëm dhe që do ta bënte LDK-në më të fuqishme.

Kjo i ka arsyet e veta, sepse në këtë qeveri u instaluan njerëzit që ishin më të papranueshmit në LDK, njerëzit që nuk do t'i merrnin votat madje as në lagjet e tyre. Natyrisht se kjo nuk do koment dhe nuk ka se si të vlerësohet ndryshe. Por, LDK-ja i ka bërë një shërbim të mirë PDK-së dhe besoj se do të zhvillohen gjërat pak më ndryshe.

RADIO EVROPA E LIRË
Anëtarët e Kryesisë së LDK-së janë zotuar kohë më parë se LDK-ja do të nisë një proces reformash. A ka LDK-ja një strategji për t'u reformuar?

MELIHATE TËRMKOLLI
Mund ta them me keqardhje që LDK-ja nuk ka një strategji, ka një shkresë që më shumë është fshehje e realitetit. Do të thotë, një i ashtuquajtur plan, që nuk mendoj se është një plan për reformën që e ka paraqitur kryetari i LDK-së.

Pra, është më tepër një hedhje hi syve sikur po ndodh diçka, e në fakt për të mos ndodhur asgjë. Po them me keqardhje se LDK-ja nuk ka një strategji për reformat që duhet të zhvillohen në LDK. Ka copa idesh apo ide të ndryshme, që të shumtën e herave nuk ndodhen brenda institucioneve zyrtare dhe organeve përkatëse të LDK-së; më tepër thuhen nëpër media ose nëpër forma të tjera dhe në këtë drejtim është një gjendje jo e mirë.

Po ashtu, LDK-ja ka edhe një problem shumë të rëndësishëm – ajo tashmë është peng i pozitës së kryetarit, pozitë e ngrirë, dhe menodoj që dëmet për LDK-në në këtë drejtim janë të dyfishta.

Dëmi i parë ishte derisa kryetari ishte kryetar i LDK-së që dëmtoi shumë LDK-në dhe tash po e dëmton edhe me këtë pozitë që thuhet se është e ngrirë, por, në fakt, po zhvillohet një formë e papëlqyeshme e punës në LDK. Dhe, kjo vërtet duhet të zgjidhet.
XS
SM
MD
LG