Ndërlidhjet

"OSBE: Strukturat paralele po avancojnë ndarjen"


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare

INFOPRESS
Krerët e institucioneve të Kosovës, presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi, e kundërshtuan të hënën mundësinë se njohja e Kosovës nga Maqedonia është vënë në kushtëzim nga kjo e fundit, që Prishtina fillimisht të njohë Maqedoninë me këtë emër. Përfaqësuesit e shtetit të Kosovës janë të një mendimi se Maqedonia sikurse edhe vendet tjera demokratike, shumë shpejt do të njohin pavarësinë e Kosovës. Më të fuqishme këtë shpresë e bën edhe fakti se Shkupi zyrtar, sipas tyre, ka njohur tashmë pasaportën e re të shtetit të Kosovës. "Maqedoninë e kam quajtur me të drejtë një fqinj strategjik, sikur që kemi interesim që të zhvillojmë marrëdhënie të mira edhe me Malin e Zi, Shqipërinë, e nesër edhe me Serbinë. Pra, është me rëndësi që të përcjellim mesazhet më të mira të bashkëpunimit për interesa të partneritetit fqinjësor", tha presidenti Sejdiu. Në këtë kuadër, ai tha se nuk është hyrë asnjëherë në rrugën e kushtëzimeve, prandaj për Kosovën, sipas tij, është me rëndësi që të fillojë në mënyrë të suksesshme procesi i demarkacionit... Kryeministri Hashim Thaçi, ndërkaq, tha se është në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Gruevski dhe me të gjitha autoritetet në Maqedoni, ndërsa raportet e Qeverisë së Kosovës dhe të Qeverisë së Maqedonisë, siç tha ai, janë të shkëlqyeshme...

KOSOVA SOT
Në seancën e parë të muajit shtator, në të cilën temë qendrore pritet të jetë interpelanca e ministrit të Jashtëm, Skënder Hyseni, Grupi Parlamentar i AKR-së, i cili e ka parashtruar këtë kërkesë, ka paraqitur edhe një mocion shtesë për dorëheqjen e ministrit Skënder Hyseni, duke e konsideruar atë përgjegjës të drejtpërdrejtë për numrin e vogël të shteteve që kanë njohur Kosovën dhe mangësitë e mëdha në fushën e lobimit. Mirëpo, këto dy kërkesa dallojnë shumë njëra nga tjetra, prandaj edhe pozicioni i grupeve parlamentare në Kuvend nuk është krejt i unifikuar rreth kësaj çështjeje. Raportimin e Skënder Hysenit e kanë mbështetur kaherë te gjitha grupet parlamentare, por kur është fjala te kërkesa për dorëheqjen e tij gjërat ndryshojnë edhe në vetë mesin e opozitës. Derisa AKR-ja dhe LDD-ja deklarohen për ndryshime në Ministrinë e Jashtme, AAK-ja ka tone më të matura. Ky subjekt politik dëshiron ndryshimin e qasjes në fushatën e lobimit për Kosovën. Lidhur me mocionin e shtuar në interpelancën e paraqitur nga AKR-ja, anëtari i Kryesisë së Kuvendit të Kosovës nga ky subjekt politik, Ibrahim Gashi, tha se konsiderojnë që në intervalin kohor nga kur është paraqitur interpelanca, nuk janë plotësuar dhe implementuar asnjë nga pikat e interpelancës...

LAJM
Me gjithë arritjet dhe gjendjen politike e të sigurisë në ekuilibër, sidomos në gjysmën e parë të këtij viti, shoqëria kosovare nuk mund të quhet shumetnike. Ky ka qenë vlerësimi që ka bërë shefi i misionit të OSBE-së, Tim Guldimann, në prezantimin e raportit më të ri të kësaj organizate mbi të drejtat e njeriut, marrëdhëniet ndëretnike dhe demokracnë në Kosovë. "Në këtë raport, OSBE-ja ka hedhur disa nga shqetësimet në lidhje me funksionimin e institucioneve, raportet ndëretnike dhe të drejtat e njeriut në përgjithësi. Dhe, megjithëse gjërat kanë avancuar, Kosova ende nuk është një shoqëri shumetnike. Ka një ngecje të vazhdueshme në integrimin e pakicës serbe në institucione. Ndërsa, në pjesën veriore ndarja në të vërtetë është avancuar përmes zgjerimit të institucioneve administrative paralele në fushën politike", tha Guldimann. Në raportin e fundit, OSBE-ja ka dhënë kritika të ashpra si asnjëherë tjetër për disa fusha të funksionimit të institucioneve të vendit. Bashkëveprimi i dobët në mes të Qeverisë dhe Kuvendit vërehet edhe në hartimin e ligjeve, si rezultat i mospërfshirjes së duhur të ekspertëve ligjorë. Kritikat e raportit forcohen edhe më tej kur është fjala për funksionimin e Parlamentit të vendit. Sipas raportit, ka mungesë të udhëzuesve të harmonizuar për hartimin e legjislacionit dhe, më e rëndësishmja, komisionet parlamentare nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për shqyrtimin e draft-ligjeve...

EPOKA E RE
Shefi i diplomacisë sllovene, Dmitrij Rupel, ka deklaruar se misioni i BE-së në Kosovë, EULEX, është realitet dhe nuk mund të anulohet. Ai ka thënë se ky mision është i dobishëm, në radhë të parë për serbët në Kosovë dhe Serbinë. "Nganjëherë habitem që në Serbi mohohet misioni EULEX. Të gjitheve u është e qartë se me UNMIK-un është vështirë të vazhdohet në Kosovë. Pra, nëse duam që të kemi një prani ndërkombëtare në Kosovë, duhet vendosur për ndonjë formë të kësaj pranie, por zgjidhje më të mirë se EULEX-i nuk ka", është shprehur Rupel në një intervistë dhënë gazetës "Dnevnik" të Novi Sadit. I pyetur nëse ka hapësirë për kompromis rreth EULEX-it, apo për një zgjidhje që do të ishte "triumfuese" edhe për Serbinë, Rupel ka thënë se "prania e EULEX-it në veri të Kosovës tashmë është një zgjidhje "triumfuese" për Serbinë. Shefi i diplomacisë sllovene ka thënë se nuk duhet bërë një kufi të ri nëpërmjet EULEX-it në veri të Kosovës, ndërsa për të gjitha çështjet e tjera mund të arrihet marrëveshja, sidomos nëse kjo marrëveshje shkon në drejtim të përmirësimit të sigurisë dhe mbrojtjes së serbëve në Kosovë...

ZËRI
Në ligjëratën mbajtur në Universitetin e Prishtinës, ish-emisari amerikan për Ballkanin, Riçard Hollbruk, është shprehur i impresionuar që Kosova është bërë shtet i pavarur dhe sovran. Ai ka kujtuar rrugën që kanë ndjekur kosovarët për të ardhur tek liria dhe kontributin e tij dhënë në këtë proces. Kosovarët, sipas tij, e kanë merituar pavarësinë dhe në këtë periudhë nuk është më e rëndesishme se sa shtete e kanë njohur Kosovën apo se çfarë po ndodh në Kaukaz, sa është e rëndësishme ngritja ekonomike e vendit dhe pranimi në Bashkimin Evropian. Këto komente Hollbruk i ka bërë në Universitetin e Prishtinës, në ligjëratën me temën "Zhvillimet politike në rajon dhe më gjerë". "Jam i impresionuar dhe ju uroj për pavarësinë. Kam ardhur disa herë në Kosovë, por kësaj here është krejt ndryshe, kam ardhur në Kosovën e pavarur dhe ju përgëzoj për këtë", ka thënë Hollbruk. Ai ka thënë se Kosova e pavarur nuk mund të krahasohet kurrsesi me rajonet e Abkhazisë dhe Osetisë Jugore, sepse Kosova ka kaluar nëpër një proces deri te pavarësia. "Prandaj, mos lejoni të pranoni që ajo që ka ndodhur në Gjeorgji ka ngjashmëri me procesin në Kosovë", ka thënë Hollbruk...

EXPRESS

Ngritja e Ministrisë së Jashtme të Kosovës, që u bë e mundur për herë të parë në historinë e vendit pas hyrjes në fuqi të Kushtetutës së re më 15 qershor, është shndërruar në një rrëfim skandali. Së paku pesë zyrtarë të lartë janë emëruar në strukturën e Ministrisë pa asnjë konkurs, por përmes një vendimi për transferim. Ushtruesi i Detyrës së Sekretarit Permanent, Fitim Gllareva, thotë se bëhet fjalë për vendim të Qeverisë. "Me vendimin e Qeverisë nr. 13/26, datë 09 korrik 2008, Zyra për Koordinimin e Bashkëpunimit Ndërkombëtar dhe Dialogun Rajonal, e cila ka funksionuar brenda Zyrës së Kryeministrit që nga prilli i vitit 2004, është transferuar në Ministrinë e Punëve të Jashtme bashkë me stafin e saj", ka thënë Gllareva për Express. Ndërkohë, një numër të emëruarish të tjerë në postet kyçe kanë mungesë serioze të përvojës. Emrash Ujkani, 29 vjeçar, i emëruar në krye të Zyrës për BE dhe NATO, ka përvojën më të gjatë i ardhur nga Agjencia për Integrim në kuadër të Zyrës së Kryeministrit. Burime brenda Ministrisë kanë thënë se Agron Maloku, i emëruar në zyrën e çështjeve ekonomike dhe strategjisë, si dhe Jetmira Bërdynaj, e caktuar për të drejtuar çështjet konsullore, madje nuk dinë asnjë gjuhë të huaj. Sipas konkursit, për t'u emëruar në këto poste janë dashur pesë vjet përvojë pune...

KOHA DITORE
Presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka takuar të hënen përfaqësuesin e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Lamberto Zannier, dhe zëvendësin e tij, David Horland. Pas takimit nuk janë prononcuar as Sejdiu, i cili nuk ka dalë nga zyra, e as shefi i UNMIK-ut. Ndërkaq, sipas një kumtese nga kabineti i presidentit, është bërë e ditur se në këtë takim është biseduar kryesisht për ecurinë e procesit të rikonfigurimit të UNMIK-u dhe për bashkëpunimin e insti-tucioneve të Republikës së Kosovës me këtë mision. "Konkluzion i përbashket ishte se, pavarësisht vështirësive që janë shfaqur gjatë këtyre nëntë vjetëve, UNMIK-u ka bërë një punë të suksesshme në Kosovë dhe si i tillë edhe duhet të përmbyllet, në mënyrë që t'i hapet udha vendosjes së misionit EULEX dhe shtrirj es së tij në tërë vendin", është thënë në kumtesën e Presidencës. Të hënën, Sejdiu ka pritur edhe komandantin e ri të KFOR-it. Situata e sigurisë në Kosovë dhe trajnimi i Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë qenë disa nga temat që janë diskutuar ne këtë takim mes Sejdiut dhe Giuseppe Emilio Gayt, në takimin e parë të tyre që kur gjenerali italian ka marrë detyrën e re. "Biseduam për të gjitha aspektet e bashkëpunimit që kanë të bëjnë në stabilitetin e vazhdueshëm të Kosovës, të dëshmimit të saj si një vend demokratik dhe i qëndrueshëm...", ka thënë presidenti Sejdiu pas takimit...

BOTA SOT
Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota, priti në një takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Prishtinë, z. Arbën Çejkun, me bashkëpunëtorë. Z. Çejku me këtë rast e uroi ministrin Mujota për postin dhe përgjegjësitë e reja në kuader të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Ai po kështu përcolli përgëzimet e ministrit të Mbrojtjes, z. Oketa, dhe institucioneve shtetërore të Republikës së Shqipërisë. Ministri Mujota, pasi e falënderoi z. Çejku dhe institucionet e shtetit shqiptar për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, e njoftoi atë lidhur me punën dhe angazhimet e Ministrisë që e drejton, si dhe me përgatitjet për fillimin e procesit të ndërtimit të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mes tjeash, minisiri Mujota veçoi zbatimin e Kushtetutës dhe ligjeve në këtë process të rëndësishem për vendin, si dhe ndihmën e bashkëpunimin e plotë të NATO-s dhe mekanizmave të tjerë ndërkombëtarë për ndërtimin e kapaciteteve të sigurisë në Kosovë...

XS
SM
MD
LG