Ndërlidhjet

Njohja e Kosovës – dobi e ndërsjellë


Flamuri i Republikës së Kosovës
Flamuri i Republikës së Kosovës
Maqedonia as edhe për një çast nuk duhet të hamendet, por sa më parë të njohë pavarësinë e Kosovës, pasi nga kjo mund të ketë vetëm përfitime, në radhë të parë në zhvillimin e dy vendeve përmes bashkëpunimit ekonomik.

Kështu vlerësojnë ekspertët për çështje ekonomike dhe përfaqësuesit e odave ekonomike, duke komentuar zhvillimet dhe debatet lidhur me marrjen e vendimit nga ana e Shkupit për njohjen e Republikës së Kosovës.

"Maqedonia është vonuar jashtë mase në njohjen e Kosovës si shtet të pavarur dhe sovran. Ne konsiderojmë se kjo politikë që po ndjek Maqedonia, është politikë që çon në involvimin e vetë Maqedonisë. Politika që ndjekin udhëheqësit maqedonas nuk garanton perspektivë të zhvillimit ekonomik, duke pasur parasysh parametrat ekonomikë të këmbimit të mallrave me Kosovën, e cila gjendet si shtet i vetëm ku Maqedonia eksporton mbi 200 milionë euro, ndërsa importon 10
deri në 20 milionë euro në vit".

"Ky fakt dhe shumë të tjerë të rëndësisë ekonomiko-politike duhet të ndikojnë tek politikanët maqedonas, që të fillojnë të bëjnë politikë konform politikës së faktorëve botërorë në sferën ekonomike”, tha Hazbi Nuredini, përfaqësues i Odës Ekonomike të Maqedonisë veri-perëndimore.

Edhe profesori universitar, Seadin Xhaferi, thotë se është në dobi të ekonomisë së Maqedonisë që sa më parë të njihet Kosova, që të mos humben tregjet, të cilat Prishtina mund t'i lidhë me shtetet tjera në rajon.

“Vetë njohja e Kosovës nga Maqedonia gjithnjë e më tepër do të rrisë proceset në aspektin ekonomik, meqë Maqedonia nuk është ndonjë vend me zhvillim apo imazh të mirë ekonomik. Për këtë arsye, Kosova është një treg mjaft i mirë, është i afërt, kurse edhe vetë Kosova ka me Maqedoninë se çfarë të arrijë në sferën ekonomike dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve”, tha profesori Seadin Xhaferi.

Ai hedh poshtë pretendimet e personaliteteve të ndryshme se gjoja Maqedonia ka frikë nga humbja e tregut serb, në rast së njeh shtetin e Kosovës.

“Maqedonia mund të humbë vetëm disa tregtarë të vegjël që nuk do të kishin peshë apo që do të reflektonin negativisht në ekonominë e Maqedonisë", thotë zoti Xhaferi.

Nga ana tjetër, Hazbi Nuredini, nga Oda Ekonomike e Maqedonisë veri-perëndimore, thotë se në mosnjohjen e Kosovës ndikojnë edhe presionet apo nostalgjitë për tregun serb, të cilat duhet të evitohen edhe me angazhimin e faktorit politik shqiptar, i cili po tregohet i pakonsoliduar në pengimin e qarqeve të caktuara për marrjen e vendimit për njohjen e Kosovës.

"Fuqitë botërore të aspektit politik dhe ekonomik janë ato që diktojnë rrjedhat dhe që po mbrojnë me ngulm interesat e Maqedonisë për të gjitha çështjet e pazgjidhura, përfshirë edhe kontestin me Greqinë. Ndërsa, politika e Maqedonisë heziton që në rastin e bashkëpunimit me Kosovën të mos ndjekë hapat e fuqive botërore. Konsideroj se elita politike maqedonase menjëherë duhet të lirohet nga ndikimi i politikës serbe", tha Hazbi Nuredini.
XS
SM
MD
LG