Ndërlidhjet

BE aprovoi vendosjen e vëzhguesve në Gjeorgji


Ministrat e Jashtëm të Bashkimit Evropian i dhanë dritë të gjelbërt zbarkimit të 200 vëzhguesve në Gjeorgji. Vëzhguesit do të përqëndrohen në atë që quhet "zonë e sigurisë" për rreth Abkhazisë dhe Osetisë Jugore.

Shefi i diplomacisë evropiane Javier Solana tha se misioni mund të zgjërohet varësisht nga situata në terren.

"Ne jemi të gatshëm dhe të vendosur, që të shkojmë përtej këtyre përkushtimeve, të zbarkohemi edhe në vendet tjera, dhe të shohim se si po zhvillohet situata në terren", ka thënë Solana.

Rusia është dakorduar për vendosjen e vëzhguesve të BE-së si pjesë e marrëveshjes për armëpushim, por deri tash ka hedhur poshtë sugjerimet se ata mund të vendosen brenda Osetisë së Jugut dhe Abkhazisë.

Sot në një intervistë për Financial Times, sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, e ka kritikuar marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja, dhe tha se janë të papranueshme planet e Rusisë për të mbajtur mijëra trupa në dy rajonet separatiste.

Ndërkohë, Komisioni Evropian sot njoftoi se do të japë 500 milionë euro ndihma për rindërtimin e Gjeorgjisë pas konfliktit me Rusinë.
XS
SM
MD
LG