Ndërlidhjet

Mungesat në sistemin e OKB-së


OKB
OKB

Në sesionin e 63-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, do të ngritën padyshim çështjet që kanë të bëjnë me efektivitetin e këtij institucioni në zgjidhjen e problemeve globale. Kombet e Bashkuara asnjëherë nuk kanë qenë një ilustrim i përsosur i diplomacisë multilaterale; pavarësia e Kosovës dhe kriza aktuale në Gjeorgji kanë dëshmuar qartazi mungesat e një sistemi të krijuar në ditët e fundit të Luftës së Dytë Botërore.

Para se të largohej nga posti i sekretarit të përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Kofi Annan, në fund të 2006-ës, pati thënë se pa reformimin e Këshillit të Sigurimit, roli global i Kombeve të Bashkuara do të zbehet dhe kjo organizatë do ta gjejë veten në një situatë gjithnjë e më pak relevante në raport me zhvillimet në botë.

Një prej kërkesave kryesore për reformim, nga shumë palë, është zgjerimi i Këshillit të Sigurimit për të pasqyruar më mirë realitetet e reja të shekullit të 21-të. Kjo për faktin se edhe pse të 192 anëtarët e Asamblesë së Përgjithshme mund ta përcaktojnë strategjinë e veprimit, janë 15 anëtarët e Këshillit të Sigurimit ata që ekzekutojnë vendimet e rëndësishme politike të Kombeve të Bashkuara.

Mirëpo, me gjithë diskutimet në këtë drejtim, çështja e zgjerimit të Këshillit të Sigurimit aktualisht mbetet vetëm në nivel fjalësh.

Edward Luck, nga Instituti Ndërkombëtar për Paqe dhe këshilltar i posaçëm i sekretarit të përgjithshëm, Ban Ki Moon, thotë për Radion Evropa e Lirë se nuk ka shumë gjasë që pesë anëtarët e përhershëm të këshillit të pajtohen ndonjëherë për përfshirjen e anëtarëve tjerë të përhershëm, veçanërisht jo anëtarë me të drejtë vetoje.

"Të shtosh më shumë anëtarë të përhershëm? E përhershmja është sinonim i papërgjegjësisë. Nëse je i përhershëm, atëherë ka gjasë të mos japësh llogari përpara vendeve tjera anëtare, sepse nuk ke nevojë të rizgjedhësh. Prandaj, nuk jam i sigurt nëse shtimi i vendeve të përhershme do të ishte mënyra më e mirë. Dhe, nëse pesë anëtarë me të drejtë vetoje ngadalësojnë punën e këshillit, me 7, 8 ose 10 fuqi vetoje do të jetë më e vështirë për të vepruar", thotë zoti Luck.

Stewart Patrick, nga Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë në Washington, thotë se disproporcioni i përfaqësimit në Këshillin e Sigurimit duket se i trimëron anëtarët e përhershëm të zbatojnë agjendat e tyre specifike për rajonin, në vend se të merren me qasje multilaterale.

“Multilateralizmi funksionon vetëm kur ka marrëveshje midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit. Dhe, kundërthëniet mbi Gjeorgjinë kanë dëshmuar se kur ka mosmarrëveshje midis pesë anëtarëve, atëherë nuk ka zgjidhje në korniza të Këshillit të Sigurimit dhe se çdo lëvizje përpara kërkon negociata të rënda, qoftë në binarë bilateralë apo në kuadër të grupeve të vogla vendesh që duan të ecin përpara individualisht", thotë zoti Patrick.

Zoti Luck, ndërkaq, pohon se sekretari i përgjithshëm Ban ka zhvilluar një dinamikë më të shpejtë dhe energjike në këtë drejtim, por përpjekjet e tij kanë pasur rezultate të përziera.

Një prej arsyeve, thotë zoti Luck, është rezistenca nga burokracia e rrënjëzuar në Kombet e Bashkuara. Arsyeja tjetër ndërkaq është kuptimi ndryshe që reforma ka tek vendet e ndryshme anëtare.

"Në teori, të gjitha vendet anëtare duan reformën, në praktikë ata kanë botëkuptime të ndryshme mbi të. Prandaj, është shume e vështirë të arrihet konsensusi midis anëtarëve për ndryshime në këtë organizatë. Fuqitë e mëdha kanë frikë nga humbja e një shkalle të kontrollit, kurse fuqitë e vogla kanë frikë se zotimet e tyre, çfarëdo qofshin ato, do të humben nga ndonjë reformë e kontrolluar nga fuqitë e mëdha dhe kontribuuesit e mëdhenj. Prandaj, ekziston një veto e ndërsjellë midis fuqive të mëdha dhe atyre të vogla mbi reformimin", thotë zoti Luck.

Shtetet e Bashkuara tradicionalisht kanë qenë kontribuuesit më të mëdhenj në buxhetin e Kombeve të Bashkuara. Por, dinamika midis Washingtonit dhe Kombeve të Bashkuara nuk ka qenë gjithnjë aq e lehtë; ajo është përcaktuar kryesisht nga erërat politike në Shtetet e Bashkuara. Këtë vit, me mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale në Shtetet e Bashkuara, erërat kanë kahje të ndryshme.

Stewart Patrick jep më shumë shpjegime në këtë drejtim. Sipas tij, kandidati demokrat, Barack Obama, është i gatshëm të angazhohet më gjerësisht se administrata aktuale në ndërtimin e konsensusit në Kombet e Bashkuara, nëpërmjet asaj që quhet diplomaci e dhënies dhe marrjes.

Kandidati republikan, John McCain, thotë zoti Patrick, i sheh Kombet e Bashkuara thjesht vetëm si një instrument më shumë për një diplomaci multilaterale, i njeh Kombet e Bashkuara si një nga shumë forumet ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG