Ndërlidhjet

Ahmeti : Kosova të njihet më 22 shtator


Shkupi
Shkupi
Do të ketë apo jo njohje të Kosovës nga ana e Maqedonisë para datës 23 shtator? Çështja e njohjes së shtetit të Kosovës është aktuale nga të gjitha mediat në vend, ndërsa jo zyrtarisht bëhet e ditur se në takimin e presidentit të Republikës, Branko Cërvenkovski, me komandantin e komandës së bashkuar të NATO-s në Napoli, admiralin amerikan Mark Fitxherald, në veçanti është biseduar për njohjen e Kosovës nga Shkupi, në çka me të madhe ka insistuar admirali amerikan.

Për këtë, askush nga kreu shtetëror nuk ka dashur të prononcohet, ndërsa në një brifing me gazetarë, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, tha se do të ishte mirë që Kosova të njihet më 22 shtator, por as ai nuk konfirmoi nëse kjo do të ndodhë.

Ahmeti ka përsëritur vetëm faktin se edhe kryeministri Gruevski është në favor të njohjes së Kosovës dhe se këtij qëndrimi, sipas liderit të BDI-së, i ka ndihmuar edhe kapërcimi i të gjitha pengesave në përcaktimin e vijës kufitare, para së gjithash në zonën e ndjeshme të Debëlldesë.

Ndërkohë, duke komentuar këto njoftime, Mani Nesimi, ish-diplomat, thotë se Maqedonia tashmë ka shansin për të përfituar në forcimin e imazhit të saj para ndërkombëtareve, e në veçanti para SHBA-ve, të cilët janë edhe përkrahësit më të fuqishëm për zgjidhjen e kontestit për çështjen e emrit me Greqinë.

“Me këtë faktikisht shtohet numri i vendeve që njohin pavarësinë e Kosovës dhe, nga ana tjetër, aleatëve të vet Maqedonia, në këtë rast Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilët janë një nga sponsoruesit më të fuqishëm të pavarësisë së Kosovës, i jep me dije se është plotësisht në vijën e asaj që ndërmerr administrata amerikane”, tha Mahi Nesimi, duke shtuar se Maqedonia nuk duhet të hamendet edhe për faktin se me njohjen e Kosovës përfiton një fuqi, me të cilën nuk do të ketë as edhe një problem të hapur.

“Njohja që tani po thuhet se do të ndodhë së shpejti, mendoj se do të jetë një sprovë për të dyja vendet, për shkak se tani janë eliminuar kushtimisht të themi të gjitha parakushtet që i potenconte Maqedonia, siç ishte demarkacioni i vijës kufitare, dhe kjo në fakt është një fitore për të dyja vendet në këto momente”, tha zoti Nesimi, duke shtuar se në rast se Maqedonia nuk pranon ta njohë Kosovën para 23 shtatorit, ajo, sipas tij, do të humbasë edhe mbështetjen amerikane për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve me Greqinë.

Mes dy vendeve, më 24 dhe 25 shtator, janë paraparë bisedimeve të reja për kapërcimin e dallimeve për emrin e Maqedonisë.
XS
SM
MD
LG