Ndërlidhjet

Gates: Trupat amerikane në Kosovë më së paku deri në fund të 2009-ës


Robert Gates
Robert Gates

Pjesëmarrja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara në forcat paqeruajtëse të KFOR-it është e rëndësishme për aleatët evropianë. Ai tha se tashmë e ka aprovuar rotacionin e trupave që garanton praninë amerikane më së paku deri në tetor të vitit të ardhshëm.


Shtetet e Bashkuara do t'i mbajnë trupat e tyre në Kosovë më së paku deri në fund të vitit 2009, ka thënë sekretari amerikan i Mbrojtjes, Rober Gates, duke nënvizuar mbështetjen për operacionet paqeruajtëse të NATO-s, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Zoti Gates, vizita e të cilit në Kosovë shënon vizitën e nivelit më të lartë të Shteteve të Bashkuara që prej shpalljes së pavarësisë, ka thënë se ai synon t'i vizitojë ushtarët amerikanë në përbërje të KFOR-it. Që prej vitit 2001, asnjë sekretar amerikan i Mbrojtjes nuk e ka vizituar Kosovë, shkruan Reuters.

Zoti Gates ka hedhur poshtë supozimet se vizita e tij ka për synim t'i dërgojë mesazh Rusisë, e cila ka kundërshtuar pavarësinë e Kosovës dhe e cila është në konflikt me Perëndimin për shkak të luftës me Gjeorgjinë në gusht të këtij viti.

I pyetur se si do të mund të reagojë Rusia për këtë vizitë në Kosovë, sekretari amerikan i Mbrojtjes ka thënë: "Unë nuk e konsideroj Kosovën si pjesë të pragut të Rusisë. Synimi im parësor në Kosovë është t'i vizitoj trupat amerikane", ka thënë zoti Gates.

Sipas tij, pjesëmarrja e vazhdueshme e Shteteve të Bashkuara në forcat paqeruajtëse të KFOR-it është e rëndësishme për aleatët evropianë. Ai tha se tashmë e ka aprovuar rotacionin e trupave që garanton praninë amerikane më së paku deri në tetor të vitit të ardhshëm.

"Ne do të vazhdojmë t'i përmbushim përgjegjësitë tona atje", ka thënë zoti Gates, njofton agjencia e lajmeve Reuters.

Ndalesa e tij në Kosovë shënon fillimin e një jave takimesh me ministrat evropianë të mbrojtjes, gjatë të cilave temë qendrore pritet të jenë diskutimet mbi ndërhyrjen ushtarake të Rusisë në Gjeorgji dhe shqetësimet që ish-shtetet sovjetike kanë për veprimet e mundshme të Moskës në shenjë agresioni të ripërtërirë në rajon.

Shefi i Pentagonit në Kosovë ka takuar zyrtarë të lartë të Kosovës. Pas kësaj vizite, ai do të udhëtojë për në Maqedoni dhe Hungari për të marrë pjesë në takimet me ministrat evropianë të mbrojtjes.

XS
SM
MD
LG