Ndërlidhjet

Debati i dytë McCain-Obama


Kandidatët presidencialë amerikanë Barack Obama dhe John McCain zhvilluan debatin e dytë televiziv.
Siç edhe mund të pritej debati i mbajtur në Nashvil u fokusua tek problemet ekonomike.

Obama tha se SHBA-të po përjetojnë një krizë më të rëndë financiare se në kohën e "Depresionit të Madh".
Obama premtoi zvogëlimin e taksave për klasën e mesme.

"Klasa e mesme ka nevojë për një paketë shpëtimi. Kjo do të thotë shkurtim taksash për shtresën e mesme, çfarë do ta bëjë të mundur që ky grupim të mund të qëndrojë në shtëpitë e veta. Me këtë nënkuptohet ndihmë për shtetet dhe qeveritë lokale që të fillojnë projekte rrugësh e urash, që do t'i lejojnë njerëzit të kenë punë", tha kandidati demokrat Obama.

Rivali republikan, John McCain paraqiti qëndrimet e tij për zgjidhjen e krizës ekonomike. Nëse zgjidhet president, McCain do të urdhërojë Departamentin e Thesarit të blejë kreditë e dështuara dhe t'i rinegociojë ato për të ndihmuar pronarët e shtëpive në vështirësi.

"Si president i SHBA-ve do të urdhërojë sekretarin e thesarit që të blejë menjëherë kreditë e këqija dhe t'i rinegociojë ato sipas vlerës së re të shtëpive. Rënia e vlerës së shtëpive do t'i mundësojë njerëzve të bëjnë pagesat e kredive, tashmë më të ulta dhe të qëndrojnë në shtëpitë e tyre", tha McCain.

Politika e jashtme ishte sërish pjesë e debatit. Përqëndrimi në Irak largoi vëmendjen e SHBA-ve nga Afganistani, tha Obama. McCain ngriti pikëpyetje serioze lidhur me deklaratat e Obamës se është i gatshëm të sulmojë terroristët në Pakistan pa miratimin e Islamabadit.
Të dy kandidatët iu përgjigjën pyetjeve nga publiku.
XS
SM
MD
LG