Ndërlidhjet

“Sot - njohjet nga Maqedonia dhe Mali i Zi?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Lidhja Demokratike e Kosovës, më së largu deri në javën e ardhshme, mund të vonojë propozimin e emrave për dy poste të zëvendësministrave, atij të Ministrisë së Forcës së Sigurisë dhe atij të Tregtisë dhe Industrisë. Partia Demokratike e Kosovës, ndërkaq, tashmë e ka bërë hapin e saj drejt plotësimit të pozitës ë zv/ministrit të Punëve të Jashtme. LDK, duket se është në një situatë paqartësia ku Kryesia e gjuan topin në anën e presidentit se është kompetencë e tij të propozojë emrat, ndërkaq nga Presidenca topi kthehet tek Kryesia se në fakt në Kryesi të LDK-së duhet të kërkohet përgjegjësia për këtë çështje. Zyrtarë të lartë të kësaj partie i kanë thënë të mërkurën gazetës se kjo çështje pritet të përfundojë më së largu deri në javën e ardhshme. Edhe pse Kryesia e LDK-së, të mërkurën, pritej të mbante mbledhjen e rregullt, ajo është shtyrë për një ditë tjetër...

EPOKA E RE
Ministri i Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Skënder Hyseni, ka thënë për Epokën e Re, se Kosova e ka pritur me keqardhje kalimin e rezolutës serbe në Asamblenë e Përgjithshme, por, sipas tij, Kosova është e përgatitur dhe e mobilizuar që të vazhdojë edhe më tutje në progresin e diplomacisë. Hyseni ka theksuar se të arriturat e shtetit të Kosovës dhe të qeverisë do ta drejtojnë edhe më tutje procesin e njohjeve, do ta drejtojnë edhe më tutje procesin e konsolidimit të shtetit, të një shteti social e tolerant... “Kosova do ta vazhdojë papengueshëm edhe anëtarësimin e saj në të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare, siç është Fondi Monetar dhe Banka Botërore, procesi i cili tashmë do të jetë i pakthyeshëm, ashtu siç është proces i pakthyeshëm pavarësia e Kosovës dhe konsolidimi i shtetit të Kosovës”, u shpreh Hyseni...

ZËRI
“Po qe se EUELX-i do të vendoset në Kosovë, roli i UNMIK-ut nuk do të jetë si i mëparshmi”, ka deklaruar përfaqësuesi rajonal i Mitrovicës, Zherard Galluçi, në takimin me gazetarë shqiptarë të Mitrovicës, në pjesën jugore të qytetit. Ai tha se rikonfigurimi i UNMIK-ut në të vërtetë paraqet shkuarje të misionit të Kombeve të Bashkuara nga ato pjesë të Kosovës ku nuk mund të kryejë veprimtarinë e vet, duke shtuar se “asgjë nuk do të punojmë me dhunë, por me vullnetin e qytetarëve”. “EULEX-i ende nuk ka mandate për të shkuar në enklavat serbe dhe në pjesën veriore të Kosovës, ka thënë përfaqësuesi rajonal i UNMIK-ut, Galluçi, dhe ka shtuar se këtë nuk e dëshirojnë serbët dhe Qeveria e Serbisë në Beograd. “Këtu asgjë nuk do të punohet me dhunë, por me dëshirë të qytetarëve”, ka thënë Galluçi, pas një kohe të gjatë para gazetarëve shqiptarë, para të cilëve ka shtuar se UNMIK-u bashkëpunon me të gjithë në Kosovë...

EXPRESS
Fitorja e Serbisë në iniciativën e saj për të kërkuar nëpërmjet Asamblesë së Kombeve të Bashkuara opinionin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për legalitetin e pavarësisë së Kosovës, është zbehur me njoftimet e Maqedonisë dhe Malit të zi se do ta njohin Kosovën. Këto njohje janë tepër të rëndësishme për shkak se vijnë nga vendet fqinjë të Kosovës, të cilat kanë pasur marrëdhënie të mira me Serbinë dhe kanë qenë po ashtu anëtarë konstituentë të ish-Jugosllavisë. Qeveria e Maqedonisë pritet që të enjten të marrë vendim për njohjen e pavarësisë së Kosovës, dhe një akt i tillë pritet të merret edhe nga Mali i Zi në mbledhjen e Qeverisë malazeze...

BOTA SOT
Kërkesa e palës maqedonase m të cilën ajo synon që matanë kufirit të mbesin mbi 6 hektarë tokë private të pronarëve nga fshati Debëllde si dhe ankesat e kundërshtimet e banorëve të fshatit Lubishtë të kësaj komune, të cilët theksojnë se në këtë pjesë vija kufitare nuk është përcaktuar dhe nuk është shenjëzuar në bazë të vijës së vjetër kufitare dhe dokumenteve, kadastrave, kanë bërë që punët në vënien e gurit të kufijve në mes të Kosovës dhe Maqedonisë të ndërpriten për kohë të pacaktuar. Problemi që tani ka rrjedhur konfirmohet edhe ngha kryetari i Komunës së Vitisë, Nexhmedin Arifi. Sipas tij, punët në përkufizimin e vijës kufitare që ishte rezultat i marrëveshjes së nënshkruar nga të dy komisionet shtetërore të Kosovës dhe Maqedonisë janë bllokuar dhe për këtë, sipas tij, në bazë të informatave që ka marrë nga përfaqësuesi i fshatit Debëllde dhe anëtar vëzhgues i Komisionit shtetëror të Kosovës, fajtore është pala maqedonase, e cila nuk respekton tash atë çka ka nënshkruar më parë...

KOHA DITORE
Serbisë i është dhënë pëlqimi nga vendet e botës në Kombet e Bashkuara që shpallja e pavarësisë së Kosovës të vlerësohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. Në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, pas një debati gati dyorësh, 77 shtete të botës votuan për të mbështetur propozim-rezolutën e Serbisë, vetëm 6 shtete votuan kundër, kurse 74 abstenuan. Me këtë shumicë të thjeshtë Serbia ka realizuar nismën e saj, meqë, sipas praktikave të punës së AP të OKB-së dhe debateve për pranimin apo refuzimin e projekt-rezolutave, gjatë votimeve numërohen vetëm votat për dhe kundër. Abstenimet nuk numërohen. Dy shtetet me ulëse të përhershme në KS të OKB-së, SHBA-të dhe Mbretëria e Bashkuar, kanë shfaqur pas votimit habinë e tyre për këtë përkrahje, ndërsa kanë theksuar se pavarësia e Kosovës nuk mund të zhbëhet...

KOSOVA SOT
Qeveria ka miratuar projekt-udhëzimin administrativ për metodologjinë e hartimit të vlerësimit të rrezikut dhe planeve për mbrojtje dhe shpëtim dhe udhëzimin administrativ për themelimin e Këshillit për siguri në komunikacionin rrugor. Po ashtu, ekzekutivi ka miratuar projektligjin për rrezatim jonizues dhe jo jonizues, ndërsa miratoi propozimin për aprovimin e listës së titujve të punonjësve që do të jenë përfitues të masave stimuluese, duke përfshirë edhe shumën për këto pozita. Në të përfshihen stafi që punon në teknologjinë informative dhe inxhiniering. Kështu, duke pasur parasysh situatën kaotike në sistemin e pagave për këtë kategori, Qeveria, pas një studimi, ka vendosur që pagat prej 1800 eurosh të zbresin në 600 euro, ndërsa shtesa më e vogël të jetë 100 euro...

LAJM
Nota zyrtare e njohjes zyrtare të Republikës së Kosovës si shtet i pavarur dhe sovran nga Portugalia, ka mbërritur të mërkurën në Prishtinë. Sipas një njoftimi të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, nëpërmjet kësaj note zyrtare, ministri portugez i Punëve të Jashtme, Luis Amado, e njofton ministrin Skënder Hyseni se që nga 7 tetori 2008, Republika e Kosovës zyrtarisht njihet nga Qeveria e Portugalisë si shtet sovran dhe i pavarur... Kancelaria e Gjermanisë, Angela Merkel, gjatë takimit me ministrin shqiptar, Sali Berisha, e ka vlerësuar si një akt pozitiv njohjen e pavarësisë nga Lisbona . Portugalia është vendi i 48-të në botë, respektivisht vendi i 22-të i BE-së, që ka njohur shtetin e ri...
XS
SM
MD
LG