Ndërlidhjet

NYT & FT: “Serbia fiton të drejtën për të sfiduar pavarësinë e Kosovës”


"New York Times" dhe "Financial Times"

Nëpërmjet një opsioni të pazakonshëm të ligjit ndërkombëtar, Serbia ka fituar në përpjekjet që Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë të shqyrtojë mënyrën se si është shpallur pavarësia e Kosovës, shkruan në numrin e sotëm e përditshmja New York Times.

Gazeta shkruan se votimet në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ishin thellësisht të polarizuara, me 77 vende që përkrahën kërkesën e Serbisë, 6 që e kundërshtuan atë, përfshirë këtu edhe Shtetet e Bashkuara dhe 74 abstenime.

Gjykata, selia e së cilës gjendet në Hagë, shpeshherë është thirrur për të ndërmjetësuar në konfliktet ndërkufitare dhe çështje të ngjashme, por kërkesat nga Kombet e Bashkuara për një mendim ligjor janë kryesisht të rralla, shkruan New York Times.

Rasti i pavarësisë së Kosovës do të jetë një rast veçanërisht i vështirë. Përderisa ligji ndërkombëtar njeh disa nga hapat formalë drejt pavarësisë nga ish-kolonitë në vendet sikur që është Afrika dhe Amerika latine, nuk ka udhëzime të ngjashme se si duhet vepruar mbi shkëputjen në vendet tradicionale sikur që është Evropa, thotë Nicolas Burniat, një avokat, i cili për gjashtë vjet me radhë ka punuar për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.

New York Times rikujton se shumica e vendeve evropiane kanë abstenuar nga votimi. Madje, disa ambasadorë kanë tërhequr vërejtjen se kjo nismë e Serbisë do të shërbejë veç për të vështirësuar hyrjen e saj në Bashkimin Evropian.

Duke nënvizuar se 22 nga 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian e kanë njohur tashmë Kosovën që prej shpalljes së pavarësisë së saj, ambasadori britanik në Kombet e Bashkuara, Sir John Sawers, ka thënë se "Serbia duhet të punojë në mënyrë konstruktive me partnerët e saj të ardhshëm të Bashkimit Evropian".

Ambasadori francez, Jean-Maurice Ripert, citohet të ketë thënë se një veprim i këtillë, "nuk ndihmon në zbutjen e tensioneve".

Rosemary Di Carlo, ndërkaq, e dërguara e Shteteve të Bashkuara, ka nënvizuar se "pavarësia e Kosovës është e pakthyeshme", duke e përshkruar kërkesën e Serbisë si të panevojshme dhe të dëmshme, shkruan New York Times.

E përditshmja tjetër, Financial Times, shkruan se edhe pse dëgjimi i rastit në Gjykatë do të mund të zgjasë rreth dy vjet dhe vendimi nuk do të jetë i detyrueshëm, fitorja diplomatike e Beogradit do të mund të ngadalësojë njohjet e mëtejme të shtetësisë së Kosovës.

Një vendim pozitiv në Gjykatën Ndërkombëtare do të mund të forcojë dorën e Serbisë për të bërë pazar mbi ndarjen e Kosovës, në mënyrë që veriu i banuar me shumicë serbe t'i bashkohet Serbisë.

Financial Times, mes tjerash, rikujton edhe faktin se presidenti i Serbisë, Boris Tadiq, ka thënë se është i gatshëm ta shqyrtojë opsionin e ndarjes, për të zgjidhur më në fund çështjen e Kosovës.
XS
SM
MD
LG