Ndërlidhjet

“Mali i Zi e Maqedonia i thonë ‘po’ shtetësisë së Kosovës”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Ekstaza e Serbisë për “suksesin” e arritur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së nuk ka zgjatur më shumë se 24 orë. Pasi e ka cilësuar si “fitore të madhe diplomatike”, Beogradi vetëm një ditë më vonë është gjetur në dysheme, pasi është nokautuar nga shteti prej të cilit më së paku e ka pritur. Mali i Zi e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ky vendim i shtetit, me të cilin Serbia kishte bashkëjetuar deri në vitin 2006, e ka nervozuar së tepërmi Qeverinë e Serbisë. Për ta bërë Beogradin të vuajë edhe më shumë është përkujdesur Maqedonia, e cila në një veprim të sinkronizuar me Malin e Zi, por me zhurmë më të madhe, ka bërë të njëjtën gjë. Njohja që ka ardhur nga këto dy shtete e çon numrin e vendeve që kanë pranuar pavarësinë e Kosovës në 50. Lajmin për njohjen e Kosovës nga Maqedonia e ka konfirmuar zëvendëskryeministri i këtij shteti, Abdylhaqim Ademi, ndërsa njohjen e pavarësisë së Kosovës nga fqinji perëndimor, Mali i Zi, e ka konfirmuar ministri malazias i Punëve të Jashtme, Milan Roqen...

KOHA DITORE
Qeveria e Malit të Zi dhe Qeveria e Maqedonisë, si dy fqinjë të afërt të Serbisë dhe të Kosovës, si dhe si vende me orientime të qartë evropiane dhe euroatlantike, kanë rëndë dakord mes vete që së bashku të paraqiten me një deklaratë të përbashkët që lidhet me kontekstin e vendimeve lidhur me pavarësinë e Kosovës. Mali i Zi dhe Maqedonia në mënyrë të vazhdueshme e kanë mbështetur procesin e bisedimeve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, ndërsa plani e të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së për zgjidhjen e statusit të Kosovës e konsiderojnë bazë të mirë për gjetjen e një zgjidhjeje, që do të shpinte drejt një stabiliteti të qëndrueshëm dhe për një perspektivë euroatlantike të rajonit. Shpallja e pavarësisë së Kosovës është bërë pasi kanë dështuar të gjitha përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare që bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës të rezultojnë me një zgjidhje të statusit të Kosovës. Mali i Zi dhe Maqedonia janë të vendosura për një stabilitet të qëndrueshëm, paqe, siguri dhe prosperitet të të gjitha vendeve të rajonit, me perspektivë të qartë evropiane dhe euroatlantike...

BOTA SOT
Miratimi i rezolutës serbe nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara është një sinjal se institucionet dhe diplomacia në Kosovë kanë dështuar në raport me shtetin fqinj, Serbinë, që po e konteston mënyrën e pavarësimit të Kosovës, vlerësojnë përfaqësuesit e partive politike dhe analistët, të cilët megjithatë besojnë në ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës në raport me ligjet ndërkombëtare... Lideri i Aleancës Kosova e Re, Behgjet Pacolli, miratimin e rezolutës serbe e vlerëson si rezultat të mospunës së institucioneve të Kosovës në sferën e diplomacisë. “Ne kemi hetuar qysh herët se mungon diçka, se nuk kemi punuar sa duhet në diplomaci. Ka qenë një angazhim vetëm në ditët e fundit kur presidenti i Kosovës dhe ministri i Jashtëm ishin në vizitë në Nju Jork dhe kjo vizitë e shkurtër nuk ka mjaftuar që të ndryshohen gjërat”, thotë Pacolli...

KOSOVA SOT
Pas gjithë zhurmës së krijuar në media dhe interpretimit të ndryshëm të propozimit të Kryesisë së Kuvendit për buxhetin e vitit 2009, Komisioni Parlamentar për Buxhet i Kuvendit të Kosovës e ka pasur të enjten në shqyrtim këtë propozim dhe, pasi ka shfaqur shuam kritika për anashkalimin e tij në konsultim rreth hartimit të propozimit të buxhetit të Kuvendit, ka vendosur që të krijojë nënkomision të veçantë, i cili do të merret me finalizimin e këtij propozimi. Në këtë shqyrtim ka marrë pjesë sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, dhe drejtori i Buxhetit, Agim Krasniqi. Parimisht, të gjithë anëtarët e Komisionit janë pajtuar me dëshirën e Kryesisë për të krijuar kushte më të mira pune, por jo edhe super-privilegje, të cilat do të binin ndesh me realitetin social, i cili mbretëron në Kosovë. Kryetari i Komisionit, Gani Koci, tha se në këtë propozim , i cili është bërë me anashkalimin e Komisionit, që vetëm për ir të kohës së shkurtër të rihartimit nuk është refuzuar nga Komisioni, ka mjaft vend për korrigjime dhe reduktime...

EPOKA E RE
Zhvillimet e fundit brenda LDD-së i konsideron freski për partinë. Ka pranuar se gjendja e LDD-së nuk është e shkëlqyeshme, por e ka cilësuar normale, pasi që është duke lëvizur drejt progresit. Heshtjen opozitare e ka arsyetuar duke thënë se nuk i preferon proceset revolucionare. Madje, ka bërë të ditur se as në shkencë (në laborator) nuk i dëshiron eksplodimet. Krijimin e një blloku opozitar, të proklamuar aq shumë në opinion, nuk e konsideron të lehtë, pasi që të tria partitë opozitare kanë interesa dhe programe të ndryshme. 70 për qind të punës së qeverisë e vlerëson të dështuar, kurse nuk i hyn në hak punës së Fatmir Limajt dhe të Enver Hoxhajt. Flet për Epokën e Re, kryetari i Lidhjes Demokratike të Dardanisë, Nexhat Daci...

LAJM
Ndonëse nuk kanë dhënë ndonjë datë të caktuar dhe pa ndonjë vendim, sindikalistët e Judikaturës së Kosovës kërcënojnë se do të hidhen në grevë nëse nuk u plotësohen kërkesat e tyre. Anëtarët e kësaj sindikate janë mbledhur të enjten për të diskutuar rreth vendimeve që do të ndërmarrin nëse nuk u plotësohen kërkesat për rritje të pagave 100 për qind. Përpos pa ndonjë vendim, anëtarët, pjesëmarrës në këtë takim, nuk mund të merreshin vesh mes vete. Në pyetjen se kur do ta caktojnë protestën, njëri nga anëtarët e kësaj sindikate tha se ata do t’i bashkohen grevës së punëtorëve shëndetësorë, ndërkaq kryetari i Sindikatës së Judikaturës, Ismet Mehmeti, tha se nuk janë të përgatitur për t’i bashkuar punëtorëve shëndetësorë, greva e të cilëve fillon të hënën. Megjithëkëtë, Mehmeti ka lexuar një komunikatë të gjatë, në të cilën i kanë paraqitur kërkesat e tyre dhe arsyetimet në lidhje me to...

EXPRESS
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë po pret të marrë rezolutën e miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, me të cilën kërkohet mendimi këshillëdhënës se a është në përputhje me të drejtën ndërkombëtare shpallja e pavarësisë së Kosovës. “rezoluta duhet të na dërgohet me një letër përcjellëse nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon. Zakonisht letra vjen brenda disa orësh ose ditësh pas aprovimit në Asamblenë e Përgjithshme”, ka thënë të enjten për Express një zyrtar i GJND-së, që kërkoi të mos citohet me emër, për shkak të procedurave të Gjykatës. Në momentin që GJND-ja pranon letrën nga kreu i OKB-së, kjo bëhet e ditur menjëherë përmes një kumtese për media. Zëdhënësi i OKB-së, Brenden Varma, ka thënë dje se këshilltarët ligjorë të Sekretarit të Përgjithshëm, po punojnë në përgatitjen e letrës për GJND-në dhe ajo do të dërgohet “shumë shpejt”...

INFOPRESS
Shefi i misionit të Britanisë së Madhe në OKB, ambasadori John Sawers, ka thënë se mendimi këshillues i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë nuk do të përcaktojë asgjë, por do të jetë një këshillë për diçka që ka ndodhur në të kaluarën, e jo një udhëzim për të ardhmen. Ambasadori Sawers ka thënë se nuk ka dyshim në ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës dhe as në ligjshmërinë e njohjes së kësaj pavarësie nga Britania e Madhe. “Mendoj se gjëja që bie më së shumti në sy ishte se më shumë vende e kishin të pamundur të mbështesin rezolutën serbe sesa që votuan në favor të saj”, tha Sawers, duke shtuar se nga 80 vende që ose abstenuan ose votuan kundër, shumica prej tyre ishin vende kryesore të BE-së dhe vende perëndimore, me të cilat duhet të bashkëpunojë ngushtë Serbia, derisa po ecën drejt integrimeve në BE dhe në strukturat euroatlantike...
XS
SM
MD
LG