Ndërlidhjet

Analistët mbi njohjen nga Shkupi


Pamje në Shkup
Pamje në Shkup
Ekspertët maqedonas konsiderojnë se njohja e Kosovës nga Maqedonia është bërë për shkak të presioneve të fuqishme nga Uashingtoni dhe jo për shkak të interesave shtetërore e kombëtare.

“Me njohjen e Kosovës, Maqedonia ka befasuar edhe opinion e brendshëm, pasi deri më tani thuhej se gjatë marrjes së vendimit do të kihen parasysh interesat shtetërore. Unë nuk shoh se kishim ndonjë strategji të mirë në raport me fqinjin tonë të madh, Serbinë. Njohja e Kosovës është bërë pas një presioni të fuqishëm nga Uashingtoni dhe nuk bëhet fjalë për një aksion të koordinuar mes Shkupit dhe Podgoricës. Pra, kemi të bëjmë me një imponim nga jashtë”, tha Biljana Vankovska, eksperte për politikë të jashtme.

Por, ndryshe mendon analisti shqiptar, Mersel Bilalli, sipas të cilit, akti i njohjes ka ndodhur në moment shumë të volitshëm dhe i njëjti vetëm sa përforcon pozitat e Maqedonisë.

“Politikisht, Maqedonia forcon pozicionet. Ajo, para disa muajve, lëshoi mundësinë që kolektivisht të bëjë njohjen e Kosovës, ndoshta për arsye të brendshme. Megjithatë, mendoj se në momentin më të volitshëm edhe Maqedonia, edhe Mali i Zi, bënë njohjen dhe me këtë dëshmuan orientimin e tyre euroatlantik dhe përcaktimin për një politikë të fqinjësisë së mirë, të paqes dhe sigurisë në rajon”, thotë Bilalli

Nga ana tjetër, Biljana Vankovska thotë se nga njohja, Maqedonia do të pësojë në raport me Serbinë, e cila, sipas saj, do të ndëshkojë Shkupin në të gjitha aspektet.

“Është e qartë se Serbia ka plan në raport me sjelljen e saj ndaj Maqedonisë. Serbia arriti një fitore, të them morale, në Kombet e Bashkuara dhe tani ka të drejtë të mbrojë interesat e saj. Mendoj se do të ketë pasja për Maqedoninë. Dje bëmë një akt me të cilin do të duhet të përballemi në të ardhmen”, tha Vankovska.

Ndërkohë, Mersel Bilalli nuk beson se masat serbe ndaj Maqedonisë do të jenë afatgjata, pasi nga sanksionet eventuale do të pësonte vetë Serbia.

“Me siguri se disa masa do të merren, në radhë të parë për shkak të formave, të cilat i kanë praktikuar më parë; e dyta, mendoj se e gjithë kjo bëhet për përdorim të brendshëm. Shpresoj se masat nuk do të jenë të karakterit të gjatë, pasi edhe në interes të Serbisë do të ishte që të mos ndërpresë marrëdhëniet ekonomike me Maqedoninë. Andaj, nuk pres ndonjë veprim radikal, pasi kjo do t’i shkaktonte dëm vetë Serbisë, e cila ka deficit tregtar me Maqedoninë”, u shpreh Bilalli.

Ai nuk pajtohet edhe me vlerësimet e Vankovskës për forcimin e pozicioneve të Serbisë, pas kalimit të rezolutë së saj në Kombet e Bashkuara.

“Sa i përket rezolutës, mendoj se nuk ka vend për panik, pasi ajo ka të bëjë vetëm me mendim këshillëdhënës të Gjyqit Ndërkombëtar. Raste të këtilla kemi pasur shumë dhe ato nuk kanë kurrfarë karakteri obligativ, kanë më tepër karakter konsultativ, njëjtë sikur të pyesni dikë për këshilla juridike”, tha analisti Meresel Bilalli.
XS
SM
MD
LG