Ndërlidhjet

“BE e pakënaqur me reagimet e Serbisë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Reagimet histerike të Beogradit ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës nga ana e Malit të Zi dhe Maqedonisë nuk janë pëlqyer nga diplomatët në Bashkimin Evropian. Ndonëse se Serbia dhe Ballkani nuk ishin tema të diskutimeve të takimit të ministrave të jashtëm në Luksemburg, të hënën, shumë diplomatë kanë shfrytëzuar rastin që të tërheqin vërejtjen se sjellja e Serbisë mund të ketë ndikim negativ në raportet në rajon, por nuk do të mbetet pa pasoja as për vetë Serbinë. I pyetur nga “Koha Ditore” se si i komentin sjelljet e Serbisë dhe dëbimin e ambasadorëve të Maqedonisë dhe të Malit të Zi nga Beogradi, veprim që Serbia nuk e ka ndërmarrë ndaj askujt tjetër deri tash që ka njohur Kosovën si shtet, ministri i Jashtëm i Francës, Bernard Kouchner, ka thënë se nuk e ka ditur më parë për këtë veprim të Serbisë dhe ai është për keqardhje. “Në fund besoj se edhe ata do ta kuptojnë realitetin. Ata siç duket janë mjaft nervozë...”

LAJM
Rreth 280 milionë eurot e Trustit pensional nuk janë në duar të sigurta në kohën kur vendet e eurozonës kërkojnë shpëtim nga kolapsi financiar, ndërsa 400 milionë eurot e privatizimit nuk janë goditur nga kriza globale financiare. Përderisa Kosova humbi 30 milionë euro nga kriza financiare, 280 milionët e mbetur mbeten ende në mëshirën e vullnetit të shteteve për të ndërhyrë me fonde shtetërore. Në Trustin Pensional të Kosovës thonë se për shtatorin ende nuk kanë ndonjë raport se a ka pësuar humbje të tjera Fondi i pensioneve të Kosovës. “Edhe paratë e trustit janë prekur nga kjo krizë. Por, vlen të theksohet se qeveritë e shteteve perëndimore ku janë edhe paratë e Trustit, janë duke bërë çdo gjë të mundshme që të mos lejojnë ekonominë globale të pësojë kolaps”, tha për “Lajm” zyrtari për informim i Trustit, Visar Ymeri. Ai pranon se paratë janë të investuara përmes menaxhuesve të mjeteve në tregjet botërore të kapitalit, të cilat tregje tani janë buzë kolapsit...

BOTA SOT
Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Dardanisë ka kritikuar koalicionin qeverisës për mosshtrirjen e autoritetit në gjithë territorin e Republikës së Kosovës, duke thënë se qeverisja në Kosovë nuk ka program të qartë. “Qeverisja në Kosovë nuk po ofron vizion dhe as program të qartë me të cilin parashihet se në cilën periudhë do të fillojë rritja e punësimit, në cilin sektor kjo qeveri ka program të afatizuar në periudhë, sa është kostoja e saj dhe cilat janë benefitet e saj”, tha kryetari Nexhat Daci. Sipas tij, periudha pas futjes në fuqi i e Kushtetutës ka demonstruar se ka pak vullnet në klasën qeverisëse për të demonstruar kapacitetet e veta që po ndërtohet një shtet funksional dhe demokratike...

INFOPRESS
Kryeministri i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, ka thënë të hënën se vendimi për njohjen e pavarësisë së Kosovës nuk është sjellë për shkak të presioneve , por për shkak të nevojës së forcimit të besimit të partneritetit me vendet e Bashkimit Evropian dhe të NATO-s. “Karakteristikë e politikës shtetërore të Malit të Zi është që të ndiqet realiteti dhe jo iluzionet”, deklaroi Gjukanoviq në një konferencë me gazetarët në Vjenë, në një takim ku po diskutohet mundësia e investimeve në Mal të Zi. Ai tha se vendi i tij dëshiron që të aplikojë për anëtarësim në BE dhe NATO, dhe logjika tregon se është i nevojshëm forcimi i marrëdhënieve dhe besimit të ndërsjellë. Lidhur me marrëdhëniet me Serbinë, ai porositi se Mali i Zi do të punojë si deri më tani me qëllimin më të mirë, që marrëdhëniet të ndërtohen mbi bazën e shëndoshë, sikur me fqinjët dhe miqtë e saj...

EPOKA E RE

Paria Demokratike e Kosovës, e drejtuar nga kryeministri Hashim Thaçi, sot mbush nëntë vjet që kur është themeluar, kryesisht nga drejtues të drejtorisë politike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nëntëvjetori, për dallim nga të tjerët, PDK-në e gjen numër një në Republikën e Kosovës. Sekretari i Përgjithshëm i PDK-së, Jakup Krasniqi, i cili konsiderohet një ndër shtyllat kryesore të partisë, gjatë një bisede për “Epokën e re”, ka thënë se ky është vjetori më i rëndësishëm që nga themelimi i saj. “Është vjetori më domethënës në historinë e PDK-së, për faktin se në këtë vjetor PDK-ja është partia numër një. Po ashtu mund ta quaj sukses se në këtë kohë ka ndodhur një qeverisje e mirë dhe po në këtë vjetor ka ndodhur edhe shpallja e pavarësisë së Kosovës në koordinim me faktorin ndërkombëtar. Mund të them se është një arritje e madhe për vendin”, ka theksuar Krasniqi...

ZËRI
Ashtu siç kishin paralajmëruar më herët, partitë opozitare serbe në Mal të Zi: Lista Serbe, Partia Popullore Socialiste, Partia Popullore dhe Partia Demokratike Serbe, organizuan mbrëmë, në orën 18:00, para ndërtesës së Kuvendit të Malit të Zi, protestën me moton “Fytyra është më e rëndësishme”, në të cilën sipas medieve të Podgoricës e të Beogradit. Morën pjesë ndërmjet 8 mijë e 10 mijë protestues... Arsye e mbajtjes së protestës, sipas organizatorëve, ishte njohja e shtetit të Kosovës nga Qeveria e Malit të Zi... Kërkesat e protestuesve ishin që Qeveria e Mali të Zi, deri të mërkurën, më 15 tetor, në orën 11, të anulojë vendimin për njohjen e Kosovës, ndërsa Kuvendi i Malit të Zi të organizojë referendum në të cilin do të deklarohen qytetarët e Malit të Zi për atë se a janë për njohjen e Kosovës apo jo...

KOSOVA SOT
E, ndërsa misioni i Bashkimit Evropian ende s’ka arritur të bëhet funksional. Lëvizja e Albin Kurtit ka nisur një fushatë kundër këtij misioni. Posterët e “Vetëvendosjes”, mbishkrimet nëpër vetura apo mure, mund të mos kenë ndonjë pasojë kushedi çfarë në pamje të parë, por gjithsesi mund ta kenë një efekt. Hiç më pak as më shumë sa në rastin e UNMIK-ut. Opinioni e di se sa ndikuan edhe aktivistët e “Vetëvendosjes” në zhvlerësimin e imazhit të UNMIK-ut gjatë muajve të fundit. Në fakt, kjo edhe pati efektet e veta, sepse me minimizimin rolit të misionit të Kombeve të Bashkuara, u zhbllokua deri diku pushteti i kosovarëve. Sot, pavarësisht se ndikimi ndërkombëtar mbetet, kemi, megjithatë, një qeveri shumë të pavarur nga selia e UNMIK-ut dhe ky është një fakt pozitiv. Thelbi i aksionit të radhës, që vjen nga radhët e “Vetëvendosjes”, është përzierja e sërishme e misionit ndërkombëtar në punët e autoriteteve kosovare...
XS
SM
MD
LG