Ndërlidhjet

“Ladley ka propozuar ndarjen e Kosovës?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
EXPRESS
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës pranojnë se kanë pasur takime me ndërmjetësin e OKB-së (Andrew Ladley), por ata kanë mohuar të kenë marrë diçka të shkruar nga ai... “Në këtë takim është konstatuar se Kosova funksionon si shtet i pavarur dhe ne respektojmë vetëm dokumentin e presidentit Ahtisaari”, ka thënë zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, të dielën, për Express. Në bazë të fjalëve të Kuçit, ndërmjetësi nga Zelanda e Re nuk mund të ketë shumë shpresë të fitojë pëlqimin e Prishtinës për gjashtë pikat. “Në Kosovë nuk mund të ketë zgjidhje tjetër përveç asaj që parashihet në dokumentin e presidentit Ahtisaari. Edhe ai ka qenë një kompromis”, ka theksuar Kuçi...

KOHA DITORE
I dërguari i OKB-së për ndërmjetësim në “dialogun” Prishtinë-Beograd rreth rikonfigurimit të pranisë civile ndërkombëtare në Kosovë, Andrew Ladley, ka propozuar hiç më pak se “ndarjen administrative” të veriut nga pjesa tjetër e Kosovës. Këtë e kanë bërë të ditur burime ndërkombëtare për “Kohën Ditore”, ndërsa e kanë konfirmuar edhe burime të besueshme brenda institucioneve të Kosovës. Diplomati Ladley është takuar të premten larg vëmendjes së medieve, me drejtuesit e institucioneve të Republikës së Kosovës, me presidentin Fatmir Sejdiu, kryeministrin Hashim Thaçi, si dhe me zëvendëskryeministrin Hajredin Kuçi, me qëllim të shpalosjes zyrtare të propozimit të tij. Mirëpo, sipas burimeve, liderët kosovarë nuk e kanë lejuar të dërguarin e OKB-së as që ta shpalosë propozimin, duke i dhënë fund në mënyrë të njëanshme takimit...

LAJM
Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO e bën Kosovën me një shtet fqinj të fuqishëm në shumë fusha, e sidomos në atë të sigurisë rajonale. Në anën tjetër, Kosova, vlerësohet se do ta ketë shumë më lehtë se Shqipëria procesin e anëtarësimit në strukturën veri-atlantike, pasi janë bërë nëntë vjet që NATO-ja gjendet në Kosovë dhe se ajo po i ngre kapacitetet e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Zëvendësministri i Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, Petrit Karabina, tha të dielën për “Lajm” se me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO do të fitojnë dhe përfitojnë të gjithë shqiptarët. “Në të gjitha shtetet e rajonit do të krijohet një element më i madh sigurie. Kosovën tashmë unë e konsideroj pjesë të NATO-s. Dhe, natyrisht, në kuptimin zyrtar, Kosova tani është drejt integrimit të proceseve të anëtarësimit. Anëtarësimi i Shqipërisë do t’i ndihmojë të gjitha shtetet në rajon, por në veçanti Kosovës”, tha ai...

INFOPRESS
Këtë javë ka gjasë që Kuvendi i Kosovës të miratojë një rezolutë, përmes së cilës dënon të gjitha krimet që janë bërë ndaj popullatës së Kosovës nga regjimi komunist që nga viti 1945. Komisioni për Legjislacion i Kuvendit, që i është dhënë detyrë ta përpilojë këtë rezolutë, tashmë e ka përgatitur një draft dhe pritet që shumë shpejt këtë ta finalizojë. Propozimin për këtë rezolutë e kishte dhënë grupi Parlamentar i Partisë Demokratike në seancën e 17 tetorit të Kuvendit. Ky propozim ishte mbështetur nga të gjitha grupet tjera parlamentare. Me një rezolutë të tillë, Kosova i bashkohet Evropës rreth distancimit nga regjimi komunist...

EPOKA E RE
Dy liderët opozitarë, Behgjet Pacolli (AKR) e Nexhat Daci (LDD), e kanë akuzuar Fatmir Sejdiun se nuk është duke u sjellë si president i të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, siç e parasheh Kushtetuta. Presidenti Fatmir Sejdiu, që nga koha kur është zgjedhur president i Kosovës, dy herë është takuar me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, kurse asnjëherë as me kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin, as me atë të LDD-së, Nexhat Dacin. “Asnjëherë presidenti Sejdiu nuk më ka ftuar zyrtarisht në Presidencë, pavarësisht që kam kërkuar të kem një takim me të”, është ankuar Pacolli. Po ashtu edhe Nexhat Daci është ankuar... “Mendimi im është që presidenti nuk pop e luan rolin unifikues sipas Kushtetutës së Kosovës. Por, nuk mund të them që ma ka refuzuar kërkesën time, pasi në parim i mbetet gjithmonë të madhit të marrë hapa për t’u takuar me liderët e tjerë”, ka thënë Daci...

KOSOVA SOT
Drejtuesit e Trustit e pranojnë se humbjet kanë arritur në mbi 5 për qind, por kjo nuk është përfundimtare, pasi që ata thonë se ende nuk kanë marrë raport nga menaxhuesit e mjeteve ku i kanë të investuara jashtë. Zëvendësdrejtori i Trustit, Vërshim Hatipi, ka theksuar se Trusti ende nuk ka marrë të gjitha raportet nga institucionet ku trusti ka investuar mjetet, prandaj nuk dihet saktë se sa për qind kanë pësuar rënie mjetet... Shpend Ahmeti, nga Instituti për Studime të Avancuara GAP, thotë se humbjet e mjeteve të Trustit mund të shkojnë mbi 50 milionë, mirëpo, sipas tij, nuk ka qenë e mundur të ndërhyhet në asnjë mënyrë që të evitohen ato...

BOTA SOT
Me mijëra shërbyes civilë të Kosovës janë të pakënaqur me kushtet e punës dhe të ardhurat e tyre minimale nga buxheti i shtetit. Ata ndihen të diskriminuar dhe të përbuzur nga Qeveria e Kosovës, për shkak se kjo e fundit në disa sektorë, që varen nga buxheti, ka bërë disa rritje në të ardhura, si në arsim dhe një përmirësim në shëndetësi, po që asgjë nuk ka bërë për nëpunësit e shtetit... Ndërkaq, tash edhe Sindikata e Shërbyesve Civilë të Kosovës paralajmëron organizimin e grevës. Majlinda Lulaj, zëdhënëse e Ministrisë së Shërbimeve Publike, thotë se presionet sindikale janë të natyrshme për kohën të cilën po e kalon vendi ynë... Qeveria ka punuar në këtë çështje dhe ka autorizuar ministrin e Shërbimeve Publike që të kontaktojë me Sindikatën e Shërbyesve Civilë...

ZËRI
Reformimi i LDK-së, sipas të gjitha gjasave, të cilën gjë e vërtetojnë edhe ngjarjet e fundit që lidhen me dorëheqjen e Blerim Kuçit, ka hasur në një seri pengesash, të cilat nuk dihet se në ç’mënyrë mund të tejkalohen, në mënyrë që të ecet tutje në jetësimin e një procesi, i cili është i domosdoshëm për këndelljen e kësaj partie. Këtu, me të shpejtë, duket që mund të numërohen tri pengesa, të cilat janë vendosur para këtij procesi, i cili edhe ashtu është mjaft i ndërlikuar. Pengesa e parë mund të artikulohet si “sindroma e karrigeve” apo i tablove të këqija të Kuvendit të Gjashtë Zgjedhor të LDK-së, dhe atyre të Nexhat Dacit, ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës. Ata që i druajnë këtyre skenave më shumë do të preferonin që reformimi në LDK të jetë një proces i ngadalshëm, afatgjatë, i cili pas një periudhe të re kohore, që me siguri matet me muaj të shumtë, do të konkludohej me një Kuvend të ri zgjedhor, ku do të votohej për lidershipin e ri...
XS
SM
MD
LG