Ndërlidhjet

“Kermabon: Nuk e pyesim Beogradin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon, thotë se shtrirja e këtij misioni në tërë territorin e Kosovës do të ndodhë në muajin dhjetor. Në një intervistë për “Infopress”, ai thotë se për këtë nuk kërkojnë aprovimin e Beogradit, po shprehet se është i nevojshëm bashkëpunimi me autoritetet atje për lehtësim të shtrirjes. Përdorimi i forcës për shtrirje të tërësishme nuk vjen në shprehje. Thotë se misioni i EULEX-it është teknik dhe jo politik, megjithatë edhe mund të imponojë vendime. Puna e parë që do të bëjnë pasi që të jenë shtrirë në tërë territorin Kosovës, do të jetë hapja e dosjeve të krimeve të luftës si dhe çështje të tilla që kanë të bëjnë me sundimin e ligjit...

KOSOVA SOT
Propozimi i ashtuquajtur për ndarje administrative të Kosovës apo tërësisë së veçantë administrative në veri, në fakt, është përpjekje e formimit të rajonit në hapësirën me shumicë serbe, ide kjo që është hedhur poshtë nga politika institucionale dhe opozita e Republikës së Kosovës. Përfaqësues të Grupit të Quint-it, në kontaktet e fundit me përfaqësues të Kosovës, këto propozime i konsiderojnë të papranueshme dhe të dëmshme për gjithë procesin. Në një linjë është shprehur për gazetën edhe ministri i Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, i cili, duke i konsideruar të dëmshme propozimet e tilla, tha se nuk ka nevojë për ide të tjera. Prandaj, sipas tij, me gjithë rezistencën e një pjese të serbëve dhe politikës së Beogradit, nuk është zgjidhja në tejkalimin e pakos së Ahtisaarit. “Zgjidhje është implementimi i pakos së Ahtisaarit”...

EXPRESS
Përveç ligjeve që burojnë nga Kushtetuta e Republikës së Kosovës, misioni i Bashkimit Evropian që shpreson të fillojë punën në fillim të dhjetorit, do të zbatojë edhe Rregullore të UNMIK-ut. Zyrtarë të EULEX-it thonë se këtë e lejon Kushtetuta e Kosovës. “Do t’i zbatojmë ligjet e aplikueshme në Kosovë, që është në përputhje me nenin 145 të Kushtetutës së Kosovës, që përfshin edhe Rregulloret e UNMIK-ut”, ka thënë Karim Limdal, një nga zëdhënëset e EULEX-it. Pjesa më e madhe e rolit të EULEX-it ka të bëjë me këshillim dhe monitorim të strukturave kosovare të sundimit të ligjit, ku EULEX nuk ka nevojë të zbatojë ndonjë ligj, por vetëm të kujdeset se po respektohen standardet evropiane...

KOHA DITORE
Raporti vjetor i Komisionit Evropian për vendet e zgjerimit, pa përjashtim për të gjitha këto vende, si sfidën kryesore përmend nevojën për një luftë më të madhe kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, ndërsa nga kritikat nuk e ka kursyer as Kosovën, e cila për disa vite me radhë vazhdon të ketë raport të veçantë nga Komisioni Evropian. Është ky raporti i parë i Komisionit Evropian qëkur Kosova ka shpallur pavarësinë. Ndonëse raporti dhe pakoja e zgjerimit të BE-së, si dokument strategjik, pritet të miratohet në takimin e Komisionit Evropian të mërkurën në Bruksel, “Koha Ditore” ka siguruar draftin e këtij raporti. Në këtë raport Komisioni nënvizon se Kosova ka shpallur pavarësinë e saj më 17 shkurt, ka miratuar Kushtetutën e saj, e cila është në përputhje me standardet evropiane... Por, nga autoritetet e Kosovës thuhet se pritet forcimi i sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar...

BOTA SOT
“Procedura e privatizimit të PTK-së do të zgjasë më shumë se një vit, ndërsa çmimin e shitjes do ta përcaktojë tregu”, tha të mërkurën ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, pas takimit të Komitetit për Privatizimin e Postës dhe Telekomit të Kosovës. Me këtë rast ai tha se opsionet dhe strukturat e formës së privatizimit të PTK-së janë të hapura dhe Komiteti do të shqyrtojë se cila formë e privatizimit do të jetë më e leverdishme. “Se a do të jetë privatizim i pjesshëm, total apo dhënie me koncesion, e tërë kjo varet nga vëzhgimet e Komisionit Ndërministror dhe pastaj ky komision do t’i ofrohu Qeverisë opsionin më të mirë, e ajo do ta miratojë atë”, theksoi ministri Shala...

ZËRI
Pas disa shtyrjeve të terminëve, Kryesia e Lidhjes Demokratike të Kosovës do të mblidhte sot në mesditë në takimin e saj të rregullt, ndërsa sipas pohimeve nga zyrtarë të kësaj partie, në këtë takim anëtarët e Kryesisë së LDK-së do të njoftohen për dorëheqjen e kryeshefit ekzekutiv të LDK-së, Blerim Kuçi, nga kjo përgjegjësi, pas kërkesës së kryetarit me post të ngrirë të LDK-së dhe presidentit të Kosovës, Fatmir Sejdiu. Ndonëse nuk është thënë se kush zyrtarisht do të bëjë këtë njoftim, tashmë të eksploatuar edhe në media, pritet që anëtarët e Kryesisë së LDK-së t’i njoftojë për këtë ndonjëri nga nënkryetarët e partisë. Kjo mbledhje e Kryesisë së LDK-së vjen pas një javë debatesh kryesisht në media, rreth asaj se a kishe dhënë dorëheqje të parevokueshme apo jo kryeshefi ekzekutiv, Blerim Kuçi...

EPOKA E RE
Vendet e Quint-it, pa Rusinë, SHBA-ja, Gjermania, Franca, Britani dhe Italia, të mërkurën kanë kundërshtuar fuqishëm propozimin e ndërmjetësit të OKB-së, Endrju Ledli, për ndarjen administrative të Kosovës. Shtetet e Quint-it do të pranonin çdo marrëveshje në mes të Prishtinës dhe Beogradit për gjashtë pikat e propozuar nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, ka thënë një diplomat perëndimor në Prishtinë. Sipas medieve serbe, ky diplomat ka thënë se pesë shtetet e Grupit të Kontaktit, pa Rusinë, do ta pranonin njëzëri çdo lloj marrëveshjeje që arrijnë palët. I njëjti burim ka thënë se këto shtete e hedhin poshtë propozimin për ndarje të të dërguarit të OKB-së, Ledli. “Ne duam ta varrosim këtë dokument, apo sido që ta quani, sepse përjashtojmë çdolloj ndarjeje si alternativë”, ka thënë ky diplomat...

LAJM
Sado që juridikisht proklamohet pacenueshmëria e tërësisë territoriale të Kosovës, realiteti në terren e thotë të kundërtën. Pjesa veriore e Kosovës, e populluar me shumicë serbe, edhe pas pavarësisë vazhdon të funksionojë sipas ligjeve të Serbisë. Sinjalet që vijnë, ndërkaq, vetëm sa e forcojnë idenë e ndarjes. Veriu i Mitrovicës, zonë kjo gjithsej 1.5 kilometra katrorë, kontrollohet nga disa dhjetëra agjentë të fshehur të Agjencisë Informative Serbe të Sigurisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe grupeve kriminale të sponsoruara nga Beogradi. Pak ditë pas propozimit ët të dërguarit të OKB-së për bisedime Beograd-Prishtinë, Andrew Ladley, për “ndarje administrative” të veriut nga pjesa tjetër e Kosovës, Instituti i Kosovës për Kërkime dhe Zhvillimin e Politikave (KIPRED) publikoi raportin nëpërmjet të cilit alarmon për rrezikun e ndarjes përfundimtare të Kosovës. Nëse Qeveria nuk del me një strategji për integrimin e veriut, atëherë opsioni i vetëm që është në tavolinë, është jo ndarja administrative, por ndarja përfundimtare e veriut të Kosovës”, tha për Lajm Ilir Deda...
XS
SM
MD
LG