Ndërlidhjet

Barack Obama sot mban konferencë për shtyp


Barack Obama sot do të takohet me këshilltarët e tij ekonomikë dhe do të mbajë konferencën e parë për shtyp që nga zgjedhja e tij si president i SHBA-ve.

Bashkëpunëtorët e tij thanë se Obama ka folur me telefon me liderët e nëntë vendeve aleate të Shteteve të Bashkuara, Australisë, Britanisë, Kanadasë, Francës, Gjermanisë, Izraelit, Japonisë, Meksikës dhe Koresë së Jugut, që t'i falënderojë për urimet e tyre.

Obama dje shpalli se ka zgjedhur kongresistin Rahm Emanuel të jetë shef personeli në administratën e tij.

Të enjten, në Chicago, Obama i mori informatat e para sekrete të kundërzbulimit nga zyrtarët amerikanë teksa përgatitet të inaugurohet si president i 44-të i Shteteve të Bashkuara më 20 janar, 2009.

Pritet që të hënën Obama të udhëtojë në Uashington, ku në Shtëpinë e Bardhë do të bisedojë me presidentin në largim, George Bush.
XS
SM
MD
LG