Ndërlidhjet

“BE: Në fund të javës do ketë pajtim për EULEX-in?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
KOHA DITORE
Ndonëse presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi janë dukur shumë të vendosur, por jo edhe aq të disponuar, kur kanë bërë publik lajmin për refuzimin e kërkesave të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, në Bruksel, për çudi, nuk ekziston ndonjë shqetësim i madh lidhur me këtë refuzim. Përkundrazi, disa diplomatë nga disa vende anëtare të BE-së i thanë "Kohës ditore" se "edhe pse nuk është arritur ende pajtim në diskutime me përfaqësuesit e Prishtinës, është ecur përpara dhe mund të kemi rezultate të kënaqshme deri në fund të kësaj jave". "Ne respektojmë mediat dhe të drejtën e liderëve politikë që të japin deklarata. Por, ne vlerësojmë jo në bazë të deklaratave për shtyp, por në bazë të kontakteve zyrtare, e ata na thonë se ka hapësirë që të sqarohen paqartësitë dhe të arrihet pajtim deri në fund të kësaj jave", tha një diplomat evropian. Por, ajo që ende duket e paqartë në fjalorin e zyrtarëve të BE-së, është insistimi se kinse "nuk ka kushtëzime nga askush". Duke e ditur se pranimi i kushtëzimeve të Beogradit, që tashmë janë pranuar edhe nga OKB-ja, edhe nga BE-ja, nuk ndihmon që të merret edhe pajtimi i Kosovës, disa diplomatë të vendeve të BE-së nuk ngurojnë të "fajësojnë" edhe mediat e Kosovës për mënyrën se si kanë krijuar, sipas tyre, "një armiqësi ndaj propozimeve të sekretarit të përgjithshëm të OKB-së"...

ZËRI

Brenda pak ditësh, dy herë radhazi është shtyrë mbledhja e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, që ishte planifikuar së pari më 7, e pastaj më 11 nëntor, me qëllim të shqyrtimit të raportit më të ri për Kosovën, të Ban Ki Munit, sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, i cili duhet të shërbejë si bazë për ndërtimin e qëndrimit të Këshillit të Sigurmit për vendosjen e misionit të EULEX-it në Kosovë. Është paraparë që instanca më e lartë e sigurisë botërore ta miratojë një Deklaratë Presidenciale, e cila do të mbështet Marrëveshjen e UNMIK-ut/OKB-së me Qeverinë e Serbisë për gjashtë çështjet e ngritura nga Ban Ki-Muni (policia, gjyqësia, doganat, kontrolli kufitar, transporti, trashëgimia kulturore edhe religjioze), si dhe do ta ofronte modelin e "neutralitetit të statusit" (nën ombrellën e OKB-së), duke respektuar Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, për stacionimin e EULEX-it. Ky skenar i zhvillimit të ngjarjeve u zmbraps me vendimin e së hënës (10 nëntor) të liderëve institucionalë të Kosovës, kryetarit Fatmir Sejdiu dhe kryeministrit Hashim Thaçi, për ta refuzuar marrëveshjen gjashtëpikëshe për bashkëpunim midis UNMIK-ut dhe Qeverisë së Serbisë, e cila është parakusht (për Beogradin) që të lejohet vendosja e EULEX-it në Kosovë. Mbledhja e Këshillit ët Sigurimit të OKB-së do të mund të mbahej më 15 nëntor, nëse më së voni këtë të mërkurë (më 12 nëntor) sqarohet raporti midis Prishtinës dhe Perëndimit për këtë çështje...

KOSOVA SOT
Kërkesa për një interpelancë rreth raportit të KE-së për Kosovën, drejtuar kryeministrit Hashim Thaçi, nga Grupi Parlamentar i AAK-së, është aporovuar nga Kryesia e Kuvendit të Kosovës dhe i është përcjellë Qeverisë së Kosovës. Këtë lajm e bëri publik për opinionin kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, i cili tha se Kuvendi ka caktuar kuvendin e ri për seanca plenare, që do të mbahen më 20 dhe 21 nëntor. "Më 20 nëntor kryesisht kemi të bëjmë me ligjet dhe disa çështje që i kemi pasur në të kaluarën në shqyrtim dhe më 21 nëntor e kemi seancën në të cilën do të debatojmë për Projektligjin për buxhetin e vitit 2009. Natyrisht është miratuar edhe kërkesa e Grupit Parlamentar të AAK-së për interpelancën e kryeministrit. Ne kemi marrë vendim që të çojmë kërkesën në Qeveri dhe ajo do të përgjigjet se kur do të organizohet seanca e interpelancës", tha kryeparlamentari Krasniqi...

BOTA SOT
Në Fakultetin Juridik të Univeristetit të Prishtinës janë mbledhur ekspertët juridikë dhe hartues të Kushtetutës së Kosovës për të debatuar për ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e shpalljes së Republikës së Kosovës. Në temën "Ligjshmëria e Pavarësisë së Kosovës", kanë folur Dr. Arsim Bajrami, ministër, Nekibe Kelmendi, ministre, Ekrem Murtezai, nga Akademia e Shkencave Sociale dhe e Arteve të Kosovës, dhe përfaqësuesi i Qendrës për Integrime Evropiane, Fadil Bajraktari. Të pranishëm në këtë tubim ishin edhe ekspertë të fushës juridike dhe akademike, përfaqësues të shoqërisë civile, studentë etj. Të gjithë ata që morën pjesë në këtë debat vlerësuan se nuk ka vend për ndonjë shqetësim për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Sipas tyre, ekzistojnë shumë fakte me të cilat do të mbrohet ligjshmëria e pavarësisë së Kosovës në gjykatën ndërkombëtare të drjetësisë, duke thënë se Kosova kurrë s’ka qenë pjesë e Serbisë dhe se në një formë edhe vetë OKB-ja ka ndihmuar procesin e pavarësimit nëpërmjet dokumentit të të dërguarit të saj Martti Ahtisaari...

LAJM
Prokurorët dhe gjykatësit ndërkombëtarë, të cilët kanë vepruar nën ombrellën e UNMIK-ut, kanë lënë në sirtarët e tyre shumë dosje dhe akuza ndaj atyre që kanë bërë krime gjatë luftës së fundit në Kosovë. Heshtja dhe mosndriçimi i vrasjeve dhe krimeve të ndryshme nga drejtësia ndërkombëtare, i ka indinjuar familjarët e të vrarëve dhe të të masakruarve gjatë luftës prill-qershor 1999. Familjarët tash kanë një fije shpresë te prokurorët dhe përfaqësuesit e drejtësisë së EULEX-it. Hazir Thaçit, nga Karaqeva e Dardanës, i është vrarë djali, Asllani (1958). Atë, më 11 maj 1999, e kishte marrë policia e Dardanës dhe tek pas luftës ishte gjetur në liqenin e Badovcit, i vrarë dhe i masakruar. Thaçi i kujton momentet më të rënda të jetës së tij, kur policia kishte marrë djalin nga shtëpia. Ai tha se ekspedita policore përbëhej nga Dragan Salkoviq, Momçilo Trajkoviq dhe Sërba Kërstiq. "Para syve të mi morën Asllanin të gjallë dhe kurrë nuk u kthye më në shtëpi. Momçilo Trajkoviqi atëherë ishte komandant i policisë. E kam denoncuar disa herë në UNMIK, në KFOR dhe në Gjykatë, por të kota ishin lutjet e mia që ai të dilte para drejtësisë. Këta të EULEX-it po premtojnë shumë se ligji do të funksionojë e unë kësaj fjale i gëzohem më së shumti", tha Thaçi...

EPOKA E RE
Paksa më i relaksuar është dukur të martën nënkryetari i parë i LDK-së, Eqrem Kryeziu, karshi politikës që është zhvilluar ditëve të fundit në Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Nuk ka preferuar që biseda të zgjatet shumë me arsyetim se ato çka janë thënë më herët, tashmë janë të ditura për opinionin. Ai, po ashtu, ka mbrojtur qëndrimin e tij, ku ditë më parë kishte kritikuar mediet se po merren me LDK-në, duke bërë telenovela si të llojit "Kasandra". "Këshilla ime dashamirëse do të ishte që mediet nuk do të duhej të projektonin e as të sajonin konflikte me çdo kusht", ka thënë Kryeziu, duke shtuar se po të ishte LDK-ja parti hermetikisht e mbyllur, mediet nuk do të mund të flisnin për krizë. Kurse për akuzat e fundit që i janë adresuar personalisht atij dhe Sejdiut nga një pjesë e anëtarëve të Kryesisë së LDK-së, se janë duke e shkatërruar partinë, Kryeziu u është përgjigjur: "Mund të jetë edhe besimi që kanë, se mund të bëjnë diçka të mirë për LDK-në". Madje, Kryeziu iu është përgjigjur kritikuesve, duke thënë se e ka recetën e tij për ta shpëtuar LDK-në, në mënyrë që të kthehet përsëri në partinë "number one" që ishte dikur. "E kam recetën, e ajo është: "Të gjithë së bashku"...

INFOPRESS

Divizioni i sigurimit brenda Policisë së Kosovës, shumë shpejt pritet të shuhet, ndërsa pjesëtarët e tij të kalojnë në polici të rregullt, si pjesë tjetër e kolegëve të tyre. Ky divizion, ka afërsisht rreth 600 pjesëtarë që bëjnë sigurimin në pika të caktuara, brenda objekteve të policisë, por edhe në objektet institucionale, si në Qeveri, Kuvend të Kosovës etj. Këta pjesëtarë, më parë, kanë kryer vetëm dy javë trajnim, ndërsa tani për tu bërë policë u duhet të bëjnë trajnim shtesë prej 12 javëve në Akademinë Policore në Vushtrri. Deri tani, këta pjesëtarë kanë qenë të paarmatosur, ndërsa armët do t'i kenë në posedim, pas përfunimit të trajinimit, nëse ata e kalojnë me sukses...

EXPRESS
Të gjithë deputetët aktivë në Kuvendin e Kosovës, që vazhdimisht janë ankuar për minutazh të vogël gjatë pyetjeve parlamentare, nga muaji i ardhshëm do të kenë më shumë kohë në dispozicion. Këtë e mundëson rregullorja e re e punës së Kuvendit, e cila të martën ka marrë dorën e fundit nga Komisioni për Mandate, Imunitete dhe Rregullore të Punës. Jo rrallëherë deputetëve u është ndërprerë automatikisht mikrofoni. Pas disa vërejtjeve kryesisht të aspektit gjuhësor, Komisioni mbështeti tekstin e Rregullorës, të cilin ia dërgoi Kryesisë për procedim të mëtejmë në Kuvend. Kryetari i këtij komisioni, Ahmet Isufi, ka thënë se me rregullorën e re, deputetëve do t'u shtohet edhe një minutë shtesë gjatë pyetjeve parlamentare. "Kemi kohëzgjatjen e debatit në pika të ndryshme, sidomos pyetjet parlamentare, ndryshimi në interpelancë dhe mocione të ndryshme", ka thënë ai...
XS
SM
MD
LG