Qeveria serbe me të cilën OKB-ja negocioi planin gjashtëpikësh për rikonfigurimin e pranisë civile në Kosovë, nuk ka qëndrime të njëjta për këtë prani me disa përfaqësues të serbëve të Kosovës.
Derisa Beogradi zyrtar do ta pranonte misionin evropian, nëse ky mision merr për bazë planin e Ban Ki Moonit, përfaqësues serbë të Kosovës këmbëngulin në mbetjen e UNMIK-ut të pandryshuar.
Oliver Ivanoviq është sekretar shtetëror i Ministrisë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Në parim nuk jemi kundër misionit të BE-së, sepse do të kemi më shumë rend e ligj, edhe në mjediset ku jetojnë serbët, do të thotë serbët do të ndjehen të sigurt, por ky mision do të pranohet vëtem nëse merr pajtimin dhe dritën e gjelbër nga Beogradi".
"Plani gjashtëpikësh është letra fillestare e Ban Ki Moonit drejtuar presidentit Tadiq dhe zotit Sejdiu. Aty përfshihen temat, që do të përmirësonin jetën e përditshme të qytetarëve”, thotë Oliver Ivanoviq.
Por, disa përfaqësues të serbëve të Kosovës tashmë kanë ndërmarrë iniciativë për të hedhur poshtë praninë e EULEX-it në mjediset serbe, pa marrë parasysh se mbi çfarë baze do vendosej ky mision.
Kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, ka thënë se vendosja dhe shtrirja e EULEX-it në mjediset serbe, do të kundërshtohet me peticionin, që, sipas tij, tashmë e kanë nënshkruar dhjetëra mijëra persona.
“Ne, qëndrimin refuzues e kemi dhënë duke nënshkruar peticionin kundër EULEX-it, kundër planit të Ahtisaarit, kundër pavarësisë së Kosovës, dhe 71 mijë serbë dhe joshqiptarë e kanë nënshkruar atë".
"EULEX-i nuk mund të implementohet në mjediset ku jetojnë serbët; natyrisht që do të kundërshtojmë vendosjen e këtij misioni me mjete paqësore”, thotë Ivanoviq, për të shtuar se EULEX-i nuk mund të ketë përparësi ndaj UNMIK-ut, meqë ky i fundit bazohet në vendimet relevante të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pra në Rezolutën 1244.
Qytetarët serbë të Mitrovicës po ashtu kundërshtojnë praninë e BE-së në fushën e policisë dhe të drejtësisë.
“Asgjë nuk na befason. Ata janë të interesuar vetëm për shtetin e tyre të pavarur; sa më të fortë që janë ata, aq më të dobët jemi ne”, thotë Marko Jankoviq, duke iu referuar lidershipit shqiptar të Kosovës.
EULEX-i kundërshtohet edhe nga Nikolla Pantiq.
“Krejt varet nga politikanet tanë, por edhe nga vetë ne”, thotë Pantiq.
Ndryshe, edhe pas refuzimit që Prishtina zyrtare i bëri planit gjashtëpikësh të Ban Ki Moonit, zyrtarët e Qeverisë serbe besojnë se ky plan ende ka gjasa që të jetësohet.
“UNMIK-u është e vetmja palë me të cilën mund të bisedohet dhe pas kësaj UNMIK-u do të mbetet, sepse duhet ta garantojë marrëveshjen".
"Është tjetër çështje ajo që një pjesë e shqiptarëve të Kosovës dhe e bashkësisë ndërkombëtare duan ta heqin ose ta bëjnë krejt të panevojshëm këtë mision. Pra, këtu ndeshen interesat e serbëve dhe të shqiptarëve të Kosovës”, thotë Oliver Ivanoviq, politikani kosovar që tashmë është bërë pjesë e Qeverisë serbe.