Ndërlidhjet

Plani KB-Serbi destabilizon rajonin


Zbatimi eventual i planit gjashtëpikësh të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë, paraqet rrezik për stabilitetin në Maqedoni dhe në vendet tjera të rajonit, theksojnë zyrtarë të lartë të partive politike shqiptare, si dhe ekspertët e pavarur në vend.

”Nëse do të kemi implikime negative në integritetin territorial të Kosovës, atëherë gjithsesi do të ketë efekte domino në Ballkan – në Maqedoni dhe më gjerë. Prandaj, të gjitha projektet që kanë të bëjnë me stabilizimin e Kosovës, ato projekte duhet të kenë mbështetjen fillestare të institucioneve legjitime të Kosovës”, thotë deputeti i Bashkimit Demokratik për Integrim, Tahir Hani.

Edhe nënkryetari i Partisë Demokratike Shqiptare, Iljaz Halimi, vlerëson se plani gjashtëpikësh për shtrirjen e EULEX-it në Kosovë do të hapë çështje të pambyllura në Maqedoni.

”Në raport me atë që u ofrohet komunave me shumicë serbe në Kosovë, atëherë vetvetiu paraqitet nevoja e ndonjë paralelizmi, se nuk mund të ketë dy kute nga faktori ndërkombëtar për zgjidhjen apo mundësinë e funksionimit të pushtetve lokale, pavarësisht se për cilin shtet bëhet fjalë. Në këtë mënyrë, mund të ndikojë që të paraqiten kërkesa për një mundësi të barabartë të funksionimit të pushtetve lokale”, tha Halimi.

Ndërkohë, Biljana Vankovska, nga Instituti për Kërkime Socio-politike në Shkup, vlerëson se faktori ndërkombëtar duhet të jetë shumë i kujdesshëm kur bëhet fjalë për Kosovën dhe duhet të punojë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe serbëve të Kosovës, e jo të lejojë ndarjen eventuale të Kosovës në baza etnike.

"Me krijimin e tërësive të pastra etnike parashtrohet pyetja, ku do të ndalet ai proces, mos ndoshta do të vazhdojë në Maqedoni me ndonjë ridefinim të ri të rregullimit kushtetues? Bosnja është një bombë e tempuar me shumë çështje të pazgjidhura, kështu që mendoj se faktori ndërkombëtar duhet të tregojë përgjegjësi më të madhe dhe ndjenjë për atë që tash po e bën", thekson Biljana Vankoska.

Nga ana tjetër, edhe Jeton Shasivari, politikolog, nënvizon se “miratimi i këtij plani dhe vënia e tij në jetë në Kosovë, do të reflektohet mjaft negativisht”

“Si plan parasheh krijimin e zonave etnike që do të jenë zona kancerogjene, t’i quaj kështu, për Kosovën si shtet i pavarur dhe sovran dhe këto zona, në të ardhmen, lirisht do të mund të shndërroheshin në pjesë të Serbisë. Posaçërisht plani i Ban Ki Moonit, po qe se vihet në zbatim dhe në aplikim në Kosovë, do të shkaktojë një efekt domino për tërë rajonin dhe më gjerë
”, tha Shasivari.
XS
SM
MD
LG