Ndërlidhjet

Jo implementimit të planit që shkel sovranitetin


Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi gjatë konferencës për shtyp, 26 nëntor 2008.
Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi gjatë konferencës për shtyp, 26 nëntor 2008.

Presidenti Fatmir Sejdiu dhe kryeministri Hashim Thaçi kanë përsëritur sot (e mërkure) qëndrimin e tyre refuzues ndaj planit 6-pikësh të Ban Ki Moonit. Kjo u bë në prag të mbajtjes së mbledhjes së KS-së, ku do paraqitet raporti i Ban Ki Moonit.

Liderët e institucioneve të Kosovës kanë përsëritur sot qëndrimin e tyre refuzues ndaj planit 6-pikësh të Ban Ki Moonit.

Kjo u bë në prag të mbajtjes së mbledhjes së Këshillit të Sigurimit, ku do të paraqitet raporti i Ban Ki Moonit, i cili përmban planin gjashtëpikësh - rezultat i marrëveshjes Beograd-BE-OKB. Njoftohet se në aneks janë të përfshira edhe katër pikat e Prishtinës zyrtare, me të cilat refuzohet ky plan dhe i jepet mbështetje shtrirjes së EULEX-it.

Në një konferencë të përbashkët për gazetarë me kryeministrin Thaçi, presidenti Fatmir Sejdiu ka thënë se Prishtina mbetet pas qëndrimit të saj refuzues të paraqitur më 18 nëntor.

“Përgjigjja jonë ndaj raportit të Sekretarit të Përgjithshëm mbetet e njëjtë. Jemi të bindur se nuk mund të lejohet implementimi i gjashtë pikave në çfarëdo mënyre që shkel sovranitetin e Republikës së Kosovës”.

“U bëjmë thirrje miqve tanë, zëri i të cilëve është dëgjuar tashmë qartë në mbrojtje të sovranitetit tonë, të sigurojnë se masat që ndërmerren për lehtësimin e vendosjes së EULEX-it, të bëhen në koordinim dhe konsultim të plotë me institucionet e Republikës së Kosovës”, lexoi Sejdiu deklaratën e përbashkët të presidentit dhe kryeministrit të Kosovës, lidhur me raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Moon, për vendosjen e EULEX-it.

Presidenti Sejdiu dhe kryeministri Thaçi nuk kanë saktësuar se si në formë konkrete do të zbatohet ky refuzim, nëse në ndërkohë miratohet plani i Ban Ki Moonit në Këshillin e Sigurimit.

Sejdiu ka thënë se pavarësisht të gjthave, Kosova do të bashkëpunojë me miqtë ndërkombëtarë, por gjithnjë duke kërkuar që sovraniteti i Kosovës të mos shkelet.

“Në mënyrë konkrete do të bashkëpunojmë dhe kontaktojmë me EULEX-in, absolutisht po, sepse do të jetë iluzore që të thuhet diçka tjetër; janë faktorë apo mekanizma ndërkombëtarë që ne i kemi pranuar edhe në procesin e bisedimeve; është në Deklaratën e Pavarësisë dhe në Kushtetutën e Kosovës dhe po ashtu në proces të implementimit të politikave të përgjithshme në kuadër të mandatit që e ka EULEX-i, dhe ne besojmë se do t’i përmbahet atij mandati”.


“Çdo qasje tjetër që mund të marrë karakterin e daljes nga ky mandat, sigurisht se do ta ketë refuzimin tonë”, tha presidenti Sejdiu.

Ndërsa, kryeministri Hashim Thaçi ka thënë se çdo shkelje e Kushtetutës do të jetë e papranueshme.

“Gjithçka është e qartë, Kosova e ka Kushtetutën e vet, e ka Kushtetutën moderne dhe gjithçka që vjen në kundërshtim me këtë Kushtetutë, për institucionet dhe popullin e Kosovës është e papranueshme, por edhe do të jetë e rezistueshme nga ana jonë; e rezistueshme në kuptimin e respektimit në plotësi të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”, tha Thaçi.

Por, për opozitën kjo nuk tregon një qëndrim të qartë të Prishtinës zyrtare. Ahmet Isufi, nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, shpreh pakënaqësinë me këtë qëndrim, siç e quan, jo të qartë, dhe konfuzion që, sipas tij, po i bëhet opinionit kosovar.

“Konsiderojmë se nuk po sqarohet opinioni si duhet; duhet thënë qartë gjërat e zhvillimeve që kanë ndodhur. Plani 6-pikësh nuk duhet pranuar dhe duhet hedhur i tëri poshtë. Po ashtu, prania e EULEX-it në Kosovë duhet të qartësohet, në bazë të Kushtetutës së Kosovës dhe të draftit të zotit Ahtisaari, se 1244-shi është shterur dhe nuk ka nevojë më që të jetë i qëndrueshëm në Kosovë”, tha Isufi.

Ndryshe, në mesin e serbëve të Kosovës vazhdojnë ndasitë lidhur me vendosjen e EULEX-it. Sllobodan Petroviq, i Partisë Liberale Serbe, që është pjesë e institucioneve të Kosovës, konsideron se në cilëndo formë që të shtrihet, EULEX-i është i dobishëm për të gjithë qytetarët.

“Që nga fillimi, qëndrimi ynë ka qenë se EULEX-i është diçka që duhej të ndodhte; kjo është në interes të qytetarëve, në interes të sundimit të ligjit në Kosovë. Natyrisht, do të ishte më e rëndësishme nëse ka mbështetjen e Beogradit, Prishtinës e Këshillit të Sigurimit. Sa i përket 6 pikave, për mua është me rëndësi që njerëzit të jetojnë në paqe, të kenë jetë më të mirë”, tha Petroviq, duke shtuar se serbët e Kosovës janë shumë të pafuqishëm për të ndryshuar pozicionet kundërthënëse të Prishtinës e të Beogradit.

Në anën tjetër, përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, të mbledhur rreth Këshillit Nacional Serb, kanë nënshkruar një peticion kundër shtrirjes së EULEX-it. Marko Jakshiq thotë se serbët e veriut të Kosovës nuk ndjekin politikë të ndarë nga serbët në pjesët tjera të Kosovës.

“Ne nga ana jonë kemi nënshkruar peticionin, jo vetëm nga serbët e veriut, por edhe nga pjesët tjera të Kosovës, se nuk pajtohemi me vendosjen e EULEX-it në vendbanimet serbe. Këtë peticion ua kemi dërguar organeve më të larta shtetërore të Serbisë. Fatkeqësisht, edhe pas kësaj, Beogradi nuk i ka dëgjuar kërkesat tona dhe u pajtua që në kuadër të planit gjashtëpikësh ta lejojë ardhjen e EULEX-it”, thotë Jakshiq.

Liderët kosovarë kanë vlerësuar se plani gjashtë-pikësh i Ban Ki Moonit cenon sovranitetin e Kosovës. Ndërsa, ka zëra që thonë se ky plan çon në ndarjen funksionale të Kosovës, plan ky i paraqitur kohë më parë nga ish-ministri serb për Kosovën, Sllobodan Samarxhiq.

Megjithatë, disa vende, që tashmë e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, i kanë kërkuar Kosovës që ta pranojë këtë plan, i cili mundëson vendosjen e EULEX-it edhe në pjesët e banuara me serbë, ku deri më tani ky mision është kundërshtuar.
XS
SM
MD
LG