Ndërlidhjet

Serbët e veriut kundër vendimit të KS-së


Mitrovicë - Ura qendrore
Mitrovicë - Ura qendrore

Deklarata presidenciale e Këshillit të Sigurimit për vendosjen e EULEX-it në Kosovë mbështetet nga Beogradi zyrtar, por hidhet poshtë nga disa përfaqësues të serbëve të Kosovës. Serbët e Kosovës konsiderojnë se me këtë vendim, Kosova po largohet edhe më tej nga shteti serb.


Beogradi zyrtar e konsideron fitore diplomatike, serbët e Kosovës - humbje. Ky është vlerësimi që serbët në Kosovë e Serbi i bëjnë deklaratës presidenciale të Këshillit të Sigurimit, e cila mbështet vendosjen e EULEX-it në Kosovë, duke marrë për bazë 6-pikëshin e Ban Ki Moonit.

Sekretari shtetëror në Ministrinë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Oliver Ivanoviq, i tha Radios Evropa e Lirë se presioni i diplomacisë serbe në OKB, ka rezultuar i suksesshëm.

Këtë, sipas tij, e dëshmon fakti se 6 pikat për të cilat u pajtua Beogradi, kanë marrë prioritet dhe domethënie të plotë, pasi janë përfshirë në raportin e Sekretarit të Përgjithshëm.

Ivanoviq ka theksuar se diplomacia serbe ia ka dalë që ta imponojë UNMIK-un në territoret ku serbët janë shumicë, duke mos i lënë hapësirë veprimi organizatave tjera.

“Konsideroj se në këtë hapësirë nuk ka qasje Zyra Civile Ndërkombëtare, të cilën ne e shohim si rrezikun kryesor për integritetin territorial”,
tha Ivanoviq.

Ai kujtoi se Zyra Civile Ndërkombëtare, e udhëhequr nga Pieter Feith, gjendet në Kosovë me ftesë të institucioneve të Kosovës, që implementon planin e Ahtisaarit dhe nuk është neutrale ndaj statusit.

“Sa i përket EULEX-it, ky është një tregim tjetër; neutraliteti i EULEX-it karshi statusit është tashmë i qartë; këtë e ka përsëritur edhe Ban Ki Moon, e ka lidhur me Rezolutën 1244”, tha Oliver Ivanoviq.

Ai ka shpjeguar se vendosja e EULEX-it në praktikë do të thotë më shumë rend dhe ligj, ndërsa nga kjo, komuniteti serb vetëm sa mund të përfitojë.

Por, disa përfaqësues të serbëve të Kosovës konsiderojnë se seanca e fundit e Këshillit të Sigurimit është një disfatë e Serbisë karshi Kosovës.

Nënkryetari i Kuvendit të Komunave Serbe të Kosovës, Marko Jakshiq, ka vlerësuar se rezultat i kësaj seance është largimi i mëtejmë i Kosovës nga shteti serb.

“Ne, deri tash, kemi mbledhur më shumë se 70 mijë nënshkrime kundër vendosjes së EULEX-it, për ta paralajmëruar Beogradin se ai, në një formë, nënkupton realizim të planit të Ahtisaarit dhe krijimin e një shteti tjetër shqiptar në Ballkan. Fatkeqësisht, nuk na kanë dëgjuar. Fatkeqësisht, ne dalëngadalë po e largojmë Kosovën nga shteti serb
”, tha Marko Jakshiq.

Por, mendime të ndryshme lidhur me vendosjen e EULEX-it ka edhe mes vetë qytetarëve serbë në Mitrovicë.

Pesimist për situatën, Nikolla Pantiq është i vendosur që të mbetet në Mitrovicë, pa marrë parsysh se cila organizatë shtrin autoritetin në këtë pjesë, ku kontrollin e ruan edhe më tej sistemi paralel serb, i mbështetur nga Qeveria serbe.

“Këtu nuk është mirë dhe nuk mundemi kurrsesi. UNMIK-u i dëbon serbët dhe i sjell shqiptarët. Unë nuk do të largohem nga këtu, edhe nëse vdes. Nuk më intereson se kush do të vijë, EULEX-i apo UNMIK-u; unë nuk do të largohem”, thotë Nikolla Pantiq.

Por, një mendim tjetër për shtrirjen e EULEX-it ka Marko Mirosavleviq.

“Pasi që Beogradi, si të them, ka marrë një qëndrim siç duhet sa u përket serbëve në Kosovë, do të thotë më nuk do të ketë tërheqje nga çfarëdo qoftë. Ky popull duhet të respektohet dhe jo të konsiderohet si popull i kategorisë së tretë. T’u tregohet atyre shqiptarëve se nuk mund të bëjnë çka të duan, jo vetëm me Serbinë, por as me UNMIK-un, sikurse që janë kërkesat e tyre, për shembull se shteti është i tyre dhe se mund të bëjnë me popullin çfarë të duan”.

“Përndryshe, jam i kënaqur dhe është me interes, sepse është e rregulluar edhe me status që EULEX-i do të jetë neutral dhe jo të jetë sipas planit të Martti Ahtisaarit”,
tha Mirosavleviq.

Gjashtë pikat e përfshira në raportin e Ban Ki Moonit janë rezultat i marrëveshjes së arritur në relacionin Beograd-OKB-Bruksel. Këto pika janë kundërshtuar nga Prishtina, qëndrimi i së cilës, përmes katër pikave, është përfshirë po ashtu në raportin e Ban Ki Moonit, i cili mori dritën jeshile nga Këshilli i Sigurimit.

XS
SM
MD
LG