Ndërlidhjet

“Policët serbë i raportojnë vetëm EULEX-it”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Kryeministri Hashim Thaçi është ballafaquar me kritika të ashpra nga opozita në Kuvend, lidhur me raportin e fundit të Komisionit Evropian për progresin në Kosovë. Me kërkesë të partisë opozitare, AAK, kryeministri Thaçi është ftuar në interpelancë për të raportuar lidhur me raportin e Komisionit Evropian. Sipas opozitës, ky raport paraqet një kthim prapa në periudhën e vitit të fundit dhe dëshmon se në Kosovë po instalohet një keqqeverisje me pasoja të rënda për vendin. Mirëpo, me këto konstatime nuk është pajtuar as kryeministri dhe ministrat e kabinetit të tij. Gjatë gjithë kohës së debatit, PDK-ja ka heshtur, duke u lënë kohën për debat ministrave nga radhët e saj. Fjalimet e ministrave shpesh janë ndërprerë me duartrokitje ironike nga radhët e taborit opozitar. Në prezantimin e tij, kryeministri Thaçi tha se integrimi në Evropë nuk është proces i lehtë, kurse ngecjet e paraqitura në raport, sipas tij, janë edhe si pasojë e periudhës kalimtare të përgjegjësive nga UNMIK-u tek kosovarët...

INFOPRESS
Dy ditë pas funksionalizimit të misionit evropian, ministri i Jashtëm britanik, David Miliband, ka përshëndetur shtrirjen e EULEX-it, duke theksuar rëndësinë që ka ky mision për vendosjen e ligjit në Kosovë. Në një deklaratë të transmetuar nga ambasada britanike në Prishtinë, thuhet se kreu i diplomacisë britanike, Miliband, vlerëson se EULEX-i do të çojë Kosovën përpara në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian. Gjithashtu thuhet se Miliband ka kërkuar nga qeveria dhe institucionet e Kosovës një angazhim të vazhdueshëm që të punojë me misionin e BE-së, duke pasur parasysh këtu brengat e serbëve dhe komuniteteve tjera pakicë që jetojnë në Kosovë...

LAJM
Emërimi i komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës, si duket, nuk do të bëhet as në këtë javë. Hajredin Kuçi, zëvendëskryeministër, tha për “Lajm” se emërimet e komandantit të FSK-së dhe shefit të Agjencisë Kosovare të Inteligjencës do të bëhen së shpejti, ndonëse la të kuptohet se kjo nuk do të ndodhë deri në fund të kësaj jave. “Së shpejti kryeministri do të dalë me emrat”, tha Kuçi. Sipas tij, emërimet në krye të institucioneve të rëndësishme të shtetit do të bëhen para Vitit të ri. “Brenda këtij viti do ta përmbyllim këtë proces”. Kuçi nuk ka dashur të tregojë emrin që bordi për krijimin e FSK-së i ka rekomanduar kryeministrit Hashim Thaçi, por burime qeveritare bëjnë të ditur se i propozuari është komandanti aktual i TMK-së, Sylejman Selimi...

KOHA DITORE
Një ditë pas shtrirjes së EULEX-it, katër stacionet policore në veri të Kosovës – Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Stacioni në veri të Mitrovicës – kanë vendosur që të ndërpresin kontaktet zyrtare me Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicë. Këtë vendim, komandantët e stacioneve policore në veri e kanë marrë, të mërkurën pasdite, pas takimit me kreun e policisë së EULEX-it, Rainer Kuehn, dhe me disa zyrtarë të tjerë ndërkombëtarë. Gazeta nuk ka mundur të konfirmojë nëse vendimi i eprorëve policorë serbë është marrë pas marrëveshjes me EULEX-in, apo krye në vete si kundërpërgjigje për mosarritje të marrëveshjes. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka konfirmuar takimin e përfaqësuesve të EULEX-it me komandantët e stacioneve policore të veriut, po ka mohuar të ketë detaje për atë që është folur në takim...

BOTA SOT
Pas shume akuzave dhe debateve që kanë lindur për emërimin e kryeshefit ekzekutiv në partinë e dytë në pushtet, LDK-në, më në fund duket se Kryesia e këtij subjekti politik po shkon drejt zgjidhjes s problemit që e kishte kapluar partinë. Mungesa e kryeshefit për më se dy muaj ka ndikuar në një mënyrë ose tjetër në mbarëvajtjen e reformave në LDK. Një “dritë e gjelbër” është hapur për të ndryshuar gjërat tashmë edhe pas zgjidhjes së dy emrave të zëvendësministrave nga radhët e kësaj partie. Ministri Sadri Ferati, emri i përfolur për kryeshef ekzekutiv të LDK-së, i cili thuhet se është përzgjedhur nga vetë presidenti Fatmir Sejdiu, është i gatshëm ta pranojë këtë detyrë, nëse kjo është në interes të LDK-së. “Kryesia nuk ka marrë vendim, por edhe në këtë funksion, edhe në funksione të tjera, jam i gatshëm të investoj në vetveten, në dobi të interesit të qytetarëve të Kosovës dhe të interesit të LDK-së, aty ku e fitoj besimin”, ka thënë Ferati për gazetën “Bota sot”...

EPOKA E RE
Analistët vendorë të sigurisë e kanë mirëpritur shtrirjen e EULEX-it në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Ata besojnë se nëse EULEX-i zbaton në përputhshmëri detyrat që dalin nga Kushtetuta e Kosovës dhe nga plani i Ahtisaarit, do të jetë shumë pozitiv për vendin. “Është pozitiv, sepse është krejt tjetër nga UNMIK-u, që në një formë nuk do të ketë më ato detyra ekzekutive që ka pasur UNMIK-u. EULEX-i më tepër do t’i përkrahë institucionet e vendit në ngritjen e kapaciteteve, pra marrjen e përgjegjësive”, ka thënë për “Epokën e re”, Nuredin Ibishi. Ide të njëjtë me Ibishin ka shprehur edhe analisti tjetër i sigurisë, Ramadan Qehaja...

EXPRESS
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (ICJ), që tashmë ka filluar procesin për nxjerrjen e një opinioni këshillues lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, vlerëson se shpenzimet për këtë rast mund të kushtojnë rreth 435,000 dollarë. Kështu thuhet në një dokument të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e cila në seancën e mbajtur më 8 tetor, ka aprovuar iniciativën e Serbisë, që ICJ të vlerësojë juridikisht shpalljen e pavarësisë së Kosovës. “Në bazë të përvojës me rastet e mëhershme, GJND-ja vlerëson se shpenzimet e përgjithshme për nxjerrjen e opinionit këshillues do të jenë rreth 435,000 dollarë”, thuhet në dokument. Me gjithë këtë vlerësim fillestar, Gjykata e Drejtësisë me seli në Hagë, ka paralajmëruar OKB-në se mund të nevojiten mjete shtesë deri në fund të procesit juridik, “duke marrë parasysh se sa i ndërlikuar është ky rast dhe numrin e konsiderueshëm të shteteve anëtare që pritet të marrin pjesë”...

KOSOVA SOT
Vendosja e EULEX-it në Kosovë, sipas kushteve të parapara me planin 6-pikësh, është e rrezikshme dhe do të shtrojë rrugën për ndarjen e Kosovës. Kështu u tha në një tryezë të organizuar nga organizatat joqeveritare në Kosovë, të cilat kanë theksuar se plani 6-pikësh, që iu imponua Kosovës, ka theksuar edhe më shumë ndarjen në vija etnike. Ata kanë drejtuar gishtin nga institucionet e Kosovës, duke theksuar se të gjithë e kanë pranuar në mënyrë të heshtur. Sipas tyre, institucionet e vendit duhet të kundërpërgjigjen me strategji të qartë për të shmangur një rrezik të tillë. Blerton Ajeti, nga organizata “Çohu”, tha se gjashtë pikat e Ban Ki Moonit e kanë futur Serbinë si palë vendimmarrëse në fushën e sigurisë, gjyqësisë, doganave, administrim të kufijve dhe transport...
XS
SM
MD
LG