Ndërlidhjet

EULEX zotohet për një sistem të sundimit të ligjit


Pjesëtarë të EULEX-ut
Pjesëtarë të EULEX-ut

EULEX-i zotohet se do të ketë vetëm një sistem të sundimit të ligjit, duke lënë të kuptohet se nuk do të ketë vend për strukturat paralele serbe të vendosura në veri dhe enklava serbe.




Nëse EULEX-i mban zotimet, brenda një periudhe kohore në Kosovë mund të shpërbëhen strukturat paralele serbe, të krijuara tash nëntë vjet.

Qasja e misionit evropian të sundimit të ligjit ndaj këtij problemi është e thjeshtë - në Kosovë duhet të ketë vetëm një sistem të sundimit të ligjit.

"Për EULEX-in është e qartë se duhet të ketë vetëm një sistem të sundimit të ligjit funksional në Kosovë dhe ne po punojmë drejt arritjes së kësaj. Kjo do të arrihet duke punuar me institucionet kosovare të sundimit të ligjit. Ne do të sigurojmë se do të përmirësojmë sistemin aktual në Kosovë dhe kjo nënkupton se do të punojmë për interesin e të gjithë njerëzve në Kosovë", thotë zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal.

Premtime për shpërbërjen e strukturave paralele serbe në veri dhe mjediset tjera të banuara me serbë janë dhënë edhe më parë nga zyrtarë të UNMIK-ut. Por, këta të fundit fajësohen se për hir të ruajtjes së qetësisë, kanë toleruar funksionimin e këtyre strukturave, të cilat janë më të fuqishme në veriun e Kosovës.

Javën e kaluar, presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, kritikoi misionin e OKB-së për këtë neglizhencë dhe shfaqi shpresën se EULEX-i do t'i përmbahet mandatit.

"Nuk është bërë punë edhe e institucioneve të sigurisë, edhe të drejtësisë, por edhe e të tjerave në shuarjen e mekanizmave, të cilët kanë frymuar në kahje të gabuar, flas për strukturat paralele", tha Sejdiu.

Përfaqësues të serbëve të veriut të Kosovës tashmë kanë shprehur qëndrimin e tyre ndaj EULEX-it - nuk do të përleshen me ta, por do t'i injorojnë. Për serbët në veri, mision i vetëm legal mbetet edhe më tej UNMIK-u.

Marko Jakshiq, nga i ashtuquajturi Kuvend i Komunave Serbe, nuk sheh të ketë ndonjë vullnet në mesin e serbëve për shuarjen e strukturave paralele të financuara nga Beogradi zyrtar.

"Ne nga ana jonë, politikisht do të luftojmë që t'i mbajmë të gjitha strukturat e shtetit të Serbisë në ato vendbanime. Për ne, strukturë paralele është Republika e vetëshpallur e Kosovës. Presim që në të ardhmen e tërë Kosova të futet në juridiksion serb, ndërsa me veprimet e tij, EULEX-i tani po mundohet që të nxisë konflikt me serbët, jo vetëm në veri", thotë Marko Jakshiq.

Por, Karin Limdal konsideron se do të jetë dialogu me serbët lokalë ai, përmes të cilit EULEX-i synon të arrijë qëllimin - krijimin e një sistemi të vetëm të sundimit të ligjit.

"Nuk mund të arrini askund nëse nuk përfshihen në dialog dhe kjo është mënyra se si punon këtu EULEX-i. Kjo është rruga për të arritur qëllimin", thotë Limdal, por duke potencuar se megjithatë EULEX-i nuk ka mandat që të nisë negociata për këtë qëllim.

Analisti për çështje sigurie, Ramadan Qehaja, thotë se misioni i ri evropian në Kosovë do ta ketë shumë të vështirë shpërbërjen e strukturave paralele. Një nga problemet në mospërmbushjen e këtij synimi, sipas Qehajës, është baza legale jo qartë e përcaktuar e këtij misioni.

"Ju e dini se po përmendet Rezoluta 1244. Këtë e përmendi para dy ditësh edhe Iv de Kermabon. Shtrohet pyetja se si do të luftohen strukturat paralele të sigurisë që veprojnë në atë pjesë të territorit tonë?”

“Mendoj se kjo është shumë vështirë të realizohet për momentin. Edhe sipas 1244-shit nuk është dashur të lejohet që ato struktura të funksionojnë që 9 vjet atje. Prandaj, EULEX-i do të ketë vështirësi shumë të mëdha nëse nuk i qaset këtij problemi ashtu siç duhet, t'i eliminojë ato struktura", thotë Qehaja.

Por, qenia nën ombrellë të Rezolutës 1244 në kohën kur në Kosovë është në fuqi Kushtetuta e Kosovës, sipas Karin Limdal, nuk do ta pengojë misionin evropian që të zbatojë mandatin në fushën e sundimit të ligjit.

"Nuk shoh të ketë ndonjë problem. Siç e dini, EULEX-i është këtu, ne veprojmë nën mandatin legal që del nga Plani i Veprimit të Përbashkët i BE-së. Nuk shohim ndonjë problem", thotë Limdal.

EULEX-i nuk jep ndonjë afat kohor se kur do të mund të krijohet një sistem i vetëm i sundimit të ligjit në Kosovë, por shpresat i ka të mëdha.
XS
SM
MD
LG