Ndërlidhjet

Kosova (s’) ka politikë evropiane


Kosova nuk po tregon se ka politikë evropiane, derisa integrimi i saj as që gjen vend në agjendën e zgjerimit të Bashkimit Evropian. Janë këto disa nga konkluzionet e nxjerra në debatin mbi të ardhmen e Kosovës në familjen evropiane.


Rruga e Kosovës drejt Bashkimit Evropian duket të jetë më e gjatë, sesa është menduar. Të paktën kështu mendojnë ata që nuk janë pjesë e Qeverisë, meqë Prishtina zyrtare konsideron se është në rrugë të mirë, meqë agjendë kryesore të saj ka integrimet evropiane.

Por, kryetari i Bordit të Klubit për Politikë të Jashtme, Veton Surroi, kritikon Qeverinë se nuk ka një politikë evropiane dhe se agjenda e saj për integrim përbëhet vetëm nga deklaratat.

"Kjo natyrisht mund t'i atribuohet mungesës së përgjithshme të politikë-bërjes në fushën e politikës së jashtme, por nuk është e mjaftueshme, pasi që politika evropiane nuk është vetëm politika e jashtme, por është ridimensionimi i shoqërisë, ristrukturimi i shoqërisë. Dhe, gjykuar nga ky këndvështrim, viti 2008 është i humbur në përcaktimin evropian të Kosovës",
thotë Surroi.

Me një kritikë të tillë nuk pajtohet anëtari i kabinetit qeveritar, Enver Hoxhaj. Ai thotë se Kosova ka qenë shumë e zënë me krijimin e shtetit në vitin 2008, derisa agjenda evropiane tash mbetet prioritet.

"Definitivisht, Kosova ka një politikë evropiane. Ju e dini se për integrim në BE ekzistojnë kriteret politike dhe ekonomike dhe standardet evropiane, ku Kosova nuk bën përjashtim nga vendet tjera. Meqë ky ishte vit i pavarësisë së Kosovës, mendoj se agjenda e Qeverisë, e qytetarëve, e shoqërisë, tani është agjenda evropiane", tha Hoxhaj.

Publicisti Surroi numëron tri shkaqe që e bëjnë 2008-ën vit të humbur për përcaktimin evropian të Kosovës. E para, sipas tij, është se Kosova nuk ka definuar qartë atë çka dëshiron nga misioni evropian në Kosovë; e dyta, se ende mungon plani i zhvillimit afatmesëm; dhe e treta, se Kosova ka humbur rastin që të kushtëzojë integrimin e Serbisë me raportet që kjo e fundit zhvillon me Kosovën.

"Të tria këto raste të humbura kanë rrezik që misioni evropian në Kosovë të jetë mision stabilizimi dhe ai mision të vazhdojë për disa vjet me radhë pa krijuar ndryshime substanciale në shoqërinë tonë dhe, ç'është më me rëndësi, pa krijuar një iniciativë politike evropiane të Kosovës”,
thotë Surroi.

Tone pesimiste për të ardhmen evropiane të Kosovës jep edhe kryetari i Iniciativës Evropiane për Stabilitet (ESI), Gerald Knaus. Derisa vendet ballkanike, si Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Shqipëria kanë bërë hapa përpara drejt integrimeve euro-atlantike, shumë më prapa mbeten Serbia, Bosnja dhe Kosova. Por, derisa Serbia e Bosnja megjithatë gjejnë vend në agjendën evropiane për zgjerim, sipas Knaus, Kosova nuk përmendet fare.

"Dy gjëra që i di nga Brukseli janë se në diskutimet që bëhen për vitin e ardhshëm, Kosova përmendet fare rrallë në kontekstin e zgjerimit të Evropës, në të vërtetë nuk përmendet kurrë. Kosova aktualisht nuk ka perspektivë kredibile, për shkak se nuk është njohur nga të gjitha vendet e BE-së. Në Kosovë mund të bëni gjëra nga brenda, por në rrugë për në BE zyrtarisht ju ngecni. Për shembull, sa i përket regjimit të lirë të vizave, në të gjitha debatet nuk kam dëgjuar asnjëherë të jetë përmendur Kosova", thotë Knaus.

Ai rekomandon që si Kosova, edhe vendet tjera ballkanike, duhet ta shfrytëzojnë sa më shumë që të jetë e mundur vitin 2009, që ai e quan vit të mundësisë, pasi presidencën e radhës e mbajnë dy shtete që janë pro zgjerimit - Republika Çeke dhe Suedia.
XS
SM
MD
LG