Ndërlidhjet

Shkup: Qeveria i adreson kritikat e BE-së


Qeveria e Maqedonisë ka hartuar një program për zgjidhjen e të gjitha vërejtjeve të raportit të fundit të Komisionit Evropian. Por, opozita ka hedhur akuza në drejtim të partive në pushtet për anashkalimin e opozitës dhe mosmarrjen e vërejtjeve lidhur me procesin e integrimit. Opozita thotë se programi është i ngjashëm me të kaluarin, që nuk përmirësoi aspak pozicionin e Maqedonisë në raport me integrimin në BE.

-----

Hartimi i një programi nga ana e Qeverisë për përmbushjen e rekomandimeve të Bashkimit Evropian ka shkaktuar polemika mes shumicës parlamentare dhe opozitës në Këshillin Kombëtar për euro-integrime, që drejtohet nga Radmilla Sheqerinska.

Opozita thotë se fare nuk është konsultuar gjatë hartimit të programit, ndërsa sa i përket përmbajtjes, Sheqerinska tha se ai nuk dallon aspak nga ai i një viti më parë, që nuk i solli asgjë Maqedonisë në procesin e integrimit.

”Programi, të mos kemi dilema, ka një hendikep të madh. Ai kryesisht përmban temat dhe formatin e vitit të kaluar dhe nëse e lexoni me vëmendje, do të shihni se theks është vënë në disa prioritete politike, ndërsa nuk përfshihet aneksi 2, i cili nënkupton afat për kriteret ekonomike”,
tha Radmilla Sheqerinska, kryetare e Këshillit Kombëtar për euro-integrime.

Por, zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Ivica Boçevski, tha se programi përfshin të gjitha vërejtjet e raportit të fundit të Komisionit Evropian.

“Në këtë program parashihet realizimi i rekomandimeve sa i përket reformës së policisë dhe gjyqësisë, pastaj përshpejtimi i reformave në drejtim të implementimit të legjislaturës në sferën e anti-korrupsionit dhe administratës publike, si dhe të gjitha kriteret tjera”, tha Boçevski.

Veç kësaj, programi përqendrohet edhe në evitimin e problemeve apo mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe demokratike. Deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi, tha se tashmë po dëshmohet se dhuna nuk ishte përgatitur nga shqiptarët, të cilët etiketoheshin si dhunues të votës së lirë, por nga struktura të caktuara shtetërore.

“Padrejtësisht u krijua përshtypja se dhuna zgjedhore dhe parregullsitë ndodhën në pjesën shqiptare. E përshëndes për faktin që Qeveria merr obligimin ligjor dhe kushtetues të jetë garant, e jo instrument, sepse më 1 qershor ndodhi keqpërdorimi i institucionit shtetëror në funksion të mosrespektimit të procedurës dhe shkeljes së rregullativës ligjore zgjedhore”,
deklaroi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Përkundër kësaj, të gjitha partitë thonë se duhet evituar të gjitha kritikat e raportit të KE-së. Sipas tyre, me rëndësi të veçantë është organizmi i zgjedhjeve lokale dhe presidenciale që do të mbahen në mars të vitit të ardhshëm.
XS
SM
MD
LG