Ndërlidhjet

Varfëria - shqetësimi më i madh


Pamje në Prishtinë
Pamje në Prishtinë

Papunësia dhe varfëria janë problemet kryesore në Kosovë. Niveli i kënaqshmërisë së qytetarëve me institucionet është rritur paksa, ndërsa përgjegjëse për situatën ekonomike e politike, qytetarët tani bëjnë qeverinë, e jo komunitetin ndërkombëtar.


Varfëria përsëri është shqetësimi kryesor i kosovarëve, të cilët mendojnë se situata e rëndë ekonomike e kërcënon edhe stabilitetin e vendit. Ky konstatim del edhe nga Raporti i fundit i Paralajmërimit të Hershëm, fakte të të cilit janë publikuar sot nga UNDP-ja.

"Papunësia dhe varfëria janë problemet më të mëdha, me të cilat, sipas qytetarëve, ballafaqohet sot Kosova. Problemi i tretë është korrupsioni, i cili nga vendi i pestë ku gjendej në korrik, tash ka kaluar në të tretin", shpjegon Faton Bislimi, nga Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara.

Sipas perceptimeve të qytetarëve, KEK-u kryeson listën e institucioneve, për të cilat besohet se janë më të korruptuara, duke u pasuar nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, gjykatat, doganat dhe institucionet tjera.

Sipas anketës, te qytetarët vërehet një rritje e gatishmërisë për të protestuar për arsye ekonomike dhe politike, derisa përgjegjëse për situatën e krijuar, sipas tyre, tani është qeveria, e jo më misionet ndërkombëtare.

"Sa i përket rrethanave që e kërcënojnë stabilitetin në Kosovë, kemi përgjigje të ndryshme në mesin e pjesëtarëve të ndryshëm etnikë. Papunësia dhe varfëria vazhdojnë në mënyrë të fuqishme të jenë arsyeja numër një, që shqiptarët besojnë se e kërcënon stabilitetin e Kosovës. Në anën tjetër, serbët e Kosovës rendisin përkeqësimet e raporteve ndëretnike si arsyen numër një të kërcënimit të stabilitetit", thotë Faton Bislimi.

UNDP-ja, përmes Raportit të Paralajmërimit të Hershëm, ka nxjerrë të dhëna edhe për besimin, që qytetarët kanë në institucione. Derisa është shënuar një rritje krejt e vogël e besimit të qytetarëve në institucionet qendrore, gjykatat sërish mbesin institucionet më pak të besueshme.

Qytetarët, si udhëheqës më të besuar kanë renditur presidentin Sejdiu, kryeministrin Thaçi, të pasuar nga liderët opozitarë Haradinaj, Pacolli e Daci.

Megjithatë, sipas raportit, kur bashkohet numri i të anketuarve që nuk i besojnë askujt dhe nuk e dinë kujt t'i besojnë, krijohet një shifër prej 25 % e të anketuarve që është më shumë se numri i të anketuarve që i besojnë njërit prej udhëheqësve.

Ndërsa, lidhur me mbajtjen ose jo të zgjedhjeve qendrore, që është bërë temë debati për një kohë të gjatë në Kosovë, qytetarët kanë dhënë këto përgjigje:

"38 për qind e të anketuarve thonë se duan që vitin e ardhshëm të mbahen edhe zgjedhjet lokale, edhe ato qendrore, krahasuar me 16 për qind që duan vetëm mbajtjen e zgjedhjeve lokale, 8 për qind duan vetëm mbajtjen e zgjedhjeve qendrore. Serbët nuk duan të mbahen kurrfarë zgjedhjesh në Kosovë", shpjegon Faton Bislimi.

Sa i përket raporteve ndëretnike, 55 për qind e shqiptarëve do të pranonin të punojnë me serbët, ndërsa janë vetë 43 për qind e serbëve që do ta bënin këtë.

Sidoqoftë, për raportet jo të mira ndëretnike, shqiptarët fajësojnë ndikimin e Beogradit dhe mosgatishmërinë e serbëve lokalë për t'u integruar në shoqëri. Ndërsa, serbët e Kosovës fajësojnë për këtë gjendje qasjen e liderëve kosovarë dhe përpjekjet jo të mjaftueshme të tyre për ta integruar komunitetin serb.

Sipas shefit të UNDP-së në Kosovë, Frode Mauring, edhe ky raport tregon praninë e pesimizmit në Kosovë lidhur me situatën e përgjithshme ekonomike dhe politike.

"Në përgjithësi, njerëzit e anketuar ndjejnë se situata e përgjithshme nuk është duke u përmirësuar. Njerëzit shqetësohen për jetën e përditshme dhe duan përmirësime. Por, sipas pikëpamjeve të tyre, nuk janë duke marrë përgjigje nga qeveria në adresimin e këtyre sfidave”.

Tash një vit kam thënë se ndoshta shpallja e pavarësisë nuk do t’i zgjidhë problemet. Tani del se pritjet e qytetarëve kanë qenë shumë të mëdha", thotë shefi i UNDP-së, Frode Mauring, i cili mendon se zgjidhja e problemeve në Kosovë kërkon përfshirjen e të gjithë faktorëve - qeverisë, misioneve ndërkombëtare, qytetarëve e shoqërisë civile.

XS
SM
MD
LG