Ndërlidhjet

“Qeveria duarkryq karshi postës serbe në Kosovë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
ZËRI
Pieter Feith do të konfirmohet sërish si emisar special i BE-së për Kosovën – siç ka marrë vesh gazeta Zëri prej burimeve diplomatike të afërta me Brukselin. Diplomati i shquar holandez, siç dihet në pajtim të plotë me Propozimin Gjithëpërfshirës të presidentit Ahtisaari, mban në Kosovë dy postet dhe dy mandatet kryesore ndërkombëtare: atë të ICR-së dhe të EUSR-së. Bashkimi i këtyre dy posteve, i cili është bërë në bazë të përvojës së përfaqësuesit ndërkombëtar në Bosnjë e Hercegovinë, është dashur të lehtësojë punën Feithit, duke e lidhur atë njëkohësisht me instancat më relevante ndërkombëtare, përgjegjëse për Kosovën dhe vetë BE-në, e cila duhet të ketë rolin kryesor në misionin e forcimit të rendit dhe ligjit – në EULEX. Për shkak të zhvillimeve të njohur në BE, ku, siç dihet, akoma mungon konsensusi për çështjen e pranimit të shtetit të Kosovës, sepse pesë shtete të BE-së, Spanja, Sllovakia, Rumania, Greqia dhe Qipro, tutje kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës, kohëve të fundit ishte ngritur çështja se çfarë duhet të bëhet me EUSR-në...

KOHA DITORE
Qeveria e Kosovës e ka quajtur veprim ilegal hapjen e filialit të Postë-Telekomit serb në Graçanicë nga delegacioni i Qeverisë së Serbisë, një ditë pasi është lavdëruar se vizita e këtij delegacioni është bërë me lejen e saj. “Gjërave ilegale në Kosovë po iu vjen fundi”, ka deklaruar zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi, të martën, vetëm një ditë pas përurimit të këtij filiali. Kuçi ka treguar se çdo veprim që nuk është në përputhje me ligjin, është ilegal, por nuk ka treguar se çfarë masash do të marrë Qeveria me këtë rast. Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, pasi e ka cilësuar PT-në e Serbisë operator “ilegal” në Kosovë, i ka treguar planet e Qeverisë në lidhje me këtë. “Ashtu siç është vepruar në të kaluarën, do të veprohet edhe në të ardhmen, për sa u përket këtyre subjekteve operuese”...

EPOKA E RE
Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ardian Gjini, në konferencën e fundit të partisë së tij për këtë vit, qeverisjen aktuale në Kosovë e ka krahasuar me atë të kohës së Benito Musolinit, ndërsa shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe njohjen nga 53 shtete i ka vlerësuar si dy ngjarjet më të rëndësishme që e kanë karakterizuar vitin 2008. Gjini këto ngjarje i ka cilësuar si rezultate të punës shumëvjeçare të popullit të Kosovës. Gjini vitin 2008 e ka konsideruat vit të qeverisjes së degraduar dhe ka vlerësuar se vendi është duke shkuar rrugës për t’u shndërruar në një regjim diktatorial. Gjinit i kanë mjaftuar vetëm pak minuta për të folur për të mirat e këtij viti, ndërsa pjesën tjetër të konferencës e ka shfrytëzuar për ta akuzuar qeverinë për paaftësi dhe mostransparencë...

INFOPRESS
Jo më shumë se dy ditë pas emërimit dhe dekretimit të komandantit të FSK-së, gjeneralit Sylejman Selimi, nga ana e presidentit dhe kryeministrit të vendit, gjeneral Nuredin Lushtaku, komandant i deritashëm i Gardës së Kosovës, ka dhënë dorëheqje. Lushtaku, sipas një shkrese dërguar zyrës së koordinatorit të TMK-së dhe Shtabit të Përgjithshëm të TMK-së, ka bërë të ditur se jep dorëheqje dhe demobilizohet nga detyra si komandant i Gardës së Kosovës. Gjithashtu, ai ka njoftuar se tërhiqet edhe nga aplikacioni për në FSK... Ndër arsyet kryesore që kanë shtyrë gjeneral Lushtakun të japë dorëheqje, sipas kësaj letre, janë pakënaqësitë me procesin e shpërbërjes së TMK-së dhe kritikat e tij rreth emërimit të komandantit të FSK-së...

EXPRESS
Hulumtimi më i ri i opinionit të qytetarëve të Kosovës tregon se është rritur kënaqësia e tyre me punën e institucioneve qeveritare, por njëkohësisht është rritur edhe gatishmëria e tyre për të protestuar për shkaqe ekonomike, por edhe politike. Rezultatet e anketës së UNDP-së, e realizuar në nëntor, tregojnë se përafërsisht 57 për qind e të anketuarve janë të kënaqur me punën e Qeverisë së Kosovës, gjë që paraqet një rritje prej 7 për qind, krahasuar me anketën e korrikut të këtij viti. Rezultati i hulumtimit ka zbuluar se ekziston një perceptim konstant se nevojat imediate të Kosovës janë të natyrës socio-ekonomike. Papunësia dhe varfëria vazhdojnë të jenë sfidat dhe kërcënimet më të mëdha për sigurinë e vendit...

BOTA SOT
Lidhja Demokratike e Kosovës shënoi mbrëmë 19-vjetorin e themelimit të saj. Duke përkufizuar rolin e LDK-së në proceset politike të Kosovës në një periudhë 19-vjeçare, presidenti i shtetit, Fatmir Sejdiu, tha se pa Lidhjen Demokratike dhe presidentin historik, dr Ibrahim Rugova, Kosova nuk do të ishte kjo që është, ngase ndërtimi i shtetit ka kaluar nëpër sfida mjaft të mëdha. “Shënimi i 19-vjetorit të themelimit të LDK-së shënon një nga ngjarjet më të rëndëishme për lidershipin politik dhe shtetin e Kosovës. LDK-ja ishte prijatare e mendimit politik shtet-formues në luftën për liri, demokraci dhe pavarësi...”, vlerësoi presidenti Sejdiu...

LAJM

Strukturat paralele serbe që funksionojnë në veri të Mitrovicës dhe që përfaqësojnë institucionet e shtetit të Serbisë kanë nisur regjistrimin e popullatës në atë pjesë të qytetit. Banorët e disa lagjeve konfirmojnë se disa persona që janë prezantuar si punëtorë të Entit të Statistikave të Serbisë, kanë kërkuar të dhëna nëpër shtëpitë dhe banesat në veri për numrin e anëtarëve të familjeve. Banorët shqiptarë këtë veprim të strukturave paralele serbe e shohin si një provokim të radhës. Sipas tyre, qëllimi i këtyre strukturave është që të dëshmojnë kinse shteti serb është funksional në këtë pjesë të Kosovës. Megjithatë, ata thonë se banorët shqiptarë e kanë injoruar këtë kërkesë të këtyre strukturave paralele...

KOSOVA SOT
Shteti italian do të mbështesë financiarisht ngritjen e Forcave të Sigurisë së Kosovës. Kështu u bë e ditur pas një takimi që zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, i shoqëruar nga ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, zhvilluan me zëvendësministrin italian të Mbrojtjes, Guido Kroseto, ku në fokus të diskutimeve kanë qenë ndihmat italiane për krijimin e FSK-së. Kuçi falënderoi Italinë për ndihmën që i ka dhënë Kosovës dhe shprehu gatishmërinë për bashkëpunim të plotë në të gjitha fushat, sidomos atë të ndërtimit të Forcave të Sigurisë dhe Shërbimit Inteligjent të Kosovës. Ndërsa, zëvendësministri i Mbrojtjes së Italisë, Guido Kroseto, tha se jo vetëm më KFOR-in, por edhe EULEX-in, Italia është e angazhuar më së shumti...
XS
SM
MD
LG