Ndërlidhjet

Prishtina: EULEX të mos bie pre e kushtëzimeve


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës

Misioni evropian i sundimit të ligjit nuk komenton qëndrimet e serbëve të veriut për të mos bashkëpunuar me këtë mision, derisa të mos ketë qëndrim neutral ndaj statusit të Kosovës. Zyrtarë të Qeverisë dhe analistë kosovarë konsiderojnë se EULEX-i nuk duhet të bie pre e asnjë kushtëzimi dhe duhet t'i përmbahet mandatit të tij.



Prishtina zyrtare konsideron se nuk duhet të paraqesë ndonjë problem për EULEX-in vendimi i krerëve të komunave paralele serbe në veri të Kosovës që të ndërpresin kontaktet me këtë mision evropian, derisa ky i fundit të mos veprojë si neutral ndaj statusit të Kosovës.

Vetë EULEX-i nuk komenton këto qëndrime të serbëve, derisa shprehet i vendosur se do të vazhdojë me shtrirjen dhe zbatimin e mandatit në tërë Kosovën.

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, konsideron se qëndrimi i serbëve të veriut nuk i kontribuon stabilitetit në vend.

"Disa përfaqësues serbë që realisht janë masha në duart e institucioneve të Serbisë dhe funksionojnë vetëm sa për t’i kryer punët duke marrë instruksione nga Beogradi, e kanë një rol shumë obstruktiv në Kosovë dhe këtë rol e kanë pasur në vazhdimësi. Kjo nuk i ndihmon gjendjes së mirë, të çtensionuar dhe normalizimit në përgjithësi, sidomos në pjesën veriore. Deklaratat e fundit që shkojnë në këtë drejtim, konsiderojmë se janë vazhdimësi e një qasjeje të tillë shumë jokonstruktive", thotë Memli Krasniqi.

Serbët, që gjenden në krye të komunave paralele serbe në veri, kanë thënë se EULEX-i ka nisur në qetësi të zbatojë pakon e Ahtisaarit dhe Kushtetutën e Kosovës, të cilat nuk pranohen nga Beogradi dhe serbët lokalë. Kjo edhe ka bërë që ata të kushtëzojnë bashkëpunimin me këtë mision evropian.

Analisti Ilir Deda mendon se qëndrimi i fundit i serbëve tregon përçarjen e politikës së Beogradit karshi Kosovës.

"EULEX-i ka mandat të qartë, është i vendosur në veri. Përfaqësues të komunave në veri nuk janë përfaqësues legalë, janë ilegalë, janë anëtarë të Partisë Radikale Serbe dhe të Partisë Demokratike të Koshtunicës. Kështu që kjo ka edhe një dimension në politikën brenda vetë Serbisë, sepse vetë Tadiq është zotuar se nuk do të ketë probleme nga serbët e veriut në punën e EULEX-it", thotë Deda.

Deda konsideron se EULEX-i nuk duhet të lejojë assesi që të bie pre e kushtëzimeve, që vijnë nga ana e serbëve.

"Nëse EULEX-i në këtë fazë fillestare të punës së vet dështon që ta ushtrojë autoritetin e tij të plotë në veri, atëherë kjo do të tregojë edhe për dobësitë e EULEX-it dhe që nuk mund të ketë standarde të dyfishta në punën e tij; në njërën anë, që të kushtëzohen dhe të mos punojnë me sukses, ndërsa, në anën tjetër, ku ka përkrahje ta ushtrojë plotësisht autoritetin e vet. Duhet të jetë mision uniform, mund të ketë kushtëzime, por nuk duhet bërë pre e kushtëzimeve të brendshme si në Serbi, ashtu edhe në Kosovë", pohon Deda.

Ndryshe, serbët e veriut kanë paralajmëruar edhe përkeqësim të situatës së sigurisë, nëse, siç kanë thënë, misionet ndërkombëtare tentojnë vendosjen e simboleve shtetërore të Kosovës në veri.

Për Memli Krasniqin, kjo tregon se disa serbë nuk mund të shkëputen nga e kaluara e dhunshme.

"Na vjen shumë keq që ende ka përfaqësues të komunitetit serb që menjëherë mbështeten te logjika e dhunës, djegieve, shkatërrimit. Ky është kapitull i së kaluarës dhe nuk duhet përsëritur. Fatkeqësisht ka pasur një episod me djegien e portave 1 dhe 31, por ne mendojmë se me krijimin e stabilitetit në pjesën veriore, pas shpërndarjes së plotë të EULEX-it, nuk do të krijohen hapësira të tilla për të shkaktuar çfarëdo eksesi të dhunshëm", tha Krasniqi.

Shtrirja e EULEX-it në veri ishte parë si problemi kryesor, meqë ky mision nuk u pranua të shtrihet në këtë pjesë të banuar me shumicë serbe, derisa për këtë nuk u dha drita jeshile nga Beogradi zyrtar. Por, mandati i EULEX-it po interpretohet në forma të ndryshme.

Beogradi thotë se EULEX-i po zbaton marrëveshjen për gjashtë pika të arritur mes OKB-së dhe Beogradit. Ndërsa, Prishtina zyrtare pohon se EULEX-i është duke vepruar në bazë të planit të Ahtisaarit dhe Kushtetutës së Kosovës. Vetë zyrtarë të EULEX-it thonë se bazë legale të veprimit kanë Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe aksionin e përbashkët të 4 shkurtit të vitit 2008.
XS
SM
MD
LG