Ndërlidhjet

Izraeli i gatshëm për ofensivë të gjatë


Izraeli thotë se është i gatshëm që "për disa javë" ta vazhdoj ofensivën e tij kundër grupit islamik Hamas, në Rripin e Gazës.

Zëvendës ministri, Matan Vilnai, tha se Hamasi ishte dobësuar, por sipas tij, Izraeli është i gatshëm për "konflikt të zgjatur dhe për luftime disa javëshe".

Këtë, më herët, e paralajmëroi edhe ministri izraelit i sigurisë publike, Avi Dicher:

- Operacioni special do të vazhdoj derisa të arrijmë kushte të reja dhe periudhë reale të qetësisë. Ne do t'i shfrytëzojmë të gjitha mundësitë. Filluam me sulme ajrore. Të gjitha caqet janë caqe ushtarake: Hamasi dhe organizatat e tjera terroriste, tha Dicher.

Nga ana e tij, Hamasi ka shprehur vendosmërinë e tij që të mos i ndalë sulmet ndaj Izraelit. Zëdhënësi Fawzi Barhoum tha se Hamasi u bënë ftesë palestinezëve që të përgjigjen me "të gjitha masat e mundshme", përfshirë edhe sulme vetëvrasëse kundër caqeve izraelite.

Zyrtarë në Rripin e Gazës thonë se deri tash, nga sulmet ajrore, janë vrarë 360 vetë, ndërsa Kombet e Bashkuara thonë se më tepër se 60 prej tyre ishin civilë, përfshirë gra dhe fëmijë.

Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, përsëri ka kërkuar armëpushim të menjëhershëm dhe ka dënuar përdorimin e dhunës nga të dy palët. Nga Bashkësia Ndërkombëtare ai kërkoi angazhim më të madh:

- Mendoj se partnerët rajonalë dhe ndërkombëtarë nuk kanë bërë mjaft. Ata duhet të bëjnë më tepër. Ata duhet t'i përdorin të gjitha mjetet e mundshme për ta ndalur dhunën dhe për ta inkurajuar dialogun politik, duke theksuar mënyrat paqësore për zgjidhjen e dallimeve, tha Ban Ki-moon.
XS
SM
MD
LG