Ndërlidhjet

“Opozita konteston vlerësimet e Qeverisë”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Aplikimi i tarifave të reja të energjisë elektrike, me të cilat pritet të ketë një ngritje të çmimit të rrymës, në mënyrë kategorike kundërshtohet nga zyrtarë të partive opozitare në Kuvendin e Kosovës. Tashmë Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka pranuar kërkesën e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) dhe Operatorit të Sistemit të Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) për tarifat e reja për energji elektrike për këtë vit. “Gjatë këtij procesi, ZRRE-ja do të analizojë në detaje aplikacionet e pranuara dhe do të bëjë verifikimin e të dhënave teknike dhe financiare të prezantuara, ku përfshihen edhe shpenzimet operative dhe kapitale të ndërmarrjeve energjetike, duke marrë parasysh edhe përballueshmërinë e konsumatorëve për të paguar shpenzimet e energjisë elektrike”, thekson kumtesa e ZRRE-së. Pas shqyrtimeve dhe analizave, ZRRE-ja do të dalë me një propozim konsultativ mbi të ardhurat e lejuara për ndërmarrjet energjetike, përkatësisht tarifat për vitin 2009...

KOSOVA SOT
Teksa “superfuqitë” aktuale të skenës politike nën çatinë qeverisëse PDK-LDK kanë paraqitur dhe kanë vlerësuar si të suksesshëm vitin e parë të mandatit qeverisës, forcat opozitare janë kundërpërgjigjur me kritika... Në qendër të shënjestrës opozitare kanë qenë ngecjet në disa segmente, si në fushën e shëndetësisë, në zhvillimin ekonomik dhe numrin e njohjeve të Kosovës. Aleanca Kosova e Re është në fazën e shqyrtimit të të gjithë punës së Qeverisë në vitin e parë të mandatit qeverisës. Ndonëse ky subjekt në periudha të caktuara kohore ka shprehur qëndrime sa i përket punës së Qeverisë, numri dy i AKR-së, Ibrahim Makolli, thotë se vitin e parë të jetës së Qeverisë duhet ndarë në dy pjesë: “Procesin politik, të cilin padrejtësisht Qeveria po përpiqet t’ia atribuojë vetvetes, kur kihet parasysh që procesi politik është rezultat i angazhimit të të gjithë faktorit politik kosovar, i të gjithë qytetarëve të Kosovës, sikurse që është po ashtu angazhim edhe i një pjese të bashkësisë ndërkombëtare”...

ZËRI
Qeveria e Kosovës është e gatshme që për punën e saj njëvjeçare t’i raportojë organit më të lartë ligjvënës në vend, Kuvendit të Kosovës. Këtë e ka konfirmuar dje për “Zërin” zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Memli Krasniqi, i cili ka thënë se kryeministri është i gatshëm të raportojë për punën njëvjeçare, por as ai, di dhe zyrtarë të lartë të Kuvendit të Kosovës, nuk kanë qenë në gjendje të japin kohën e saktë se kur e në cilën seancë do të bëhet ky raportim. “Me t’u miratuar raporti mbi punën njëvjeçare të Qeverisë, ne menjëherë këtë raport ia kemi dërguar Kuvendit të Kosovës, gjegjësisht Kryesisë, e cila pritet që qysh në mbledhjen e saj të parë ta diskutojë atë”, është shprehur Memli Krasniqi... Zyrtarë nga Kuvendi kanë thënë se ata nuk kanë marrë asnjë informacion dhe se nuk kanë marrë kurrfarë raporti për këtë gjë. Ismet Krasniqi, sekretar i Kuvendit të Kosovës, ka thënë dje për “Zëri” se nuk ka ndonjë informacion se kur do t’i raportojë Qeveria e Kosovës Kuvendit për punën njëvjeçare...

EXPRESS
Koalicioni qeverisës premton se një vendim për kornizën kohore të zgjedhjeve të reja të përgjithshme do të nxirret brenda muajit janar, por presidenti ende nuk ka nisur konsultimet e nevojshme me spektrin politik. Kjo javë, megjithatë, mund të hapë debatin institucional për kohën e votimeve për mandatin e ri të Parlamentit me t’u kthyer nga pushimet Pieter Feith, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar. Kai Muller-Berner, zëdhënës i ICO-së, ka thënë të dielën për Express se z.Feith do të kthehet në Kosovë të martën dhe pastaj do të ketë konsultime me liderët. Një prej temave do të jenë zgjedhjet, ka shtuar ai. “Vendimi për zgjedhjet duhet të merret nga institucionet e Kosovës”, ka thënë Muller-Berner. “Z.Feith është këtu për të garantuar se ky proces është kompatibil me obligimet ndërkombëtare që kanë marrë institucionet e Kosovës”. Skena politike e Kosovës ka të drejtë të dijë kornizën kohore të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Për momentin ka paqartësi. Opozita thotë se ato duhet të mbahen në përputhje me një provizion në pakon e Martti Ahtisaarit që obligon zgjedhje nëntë muaj pas hyrjes së saj në fuqi, ndërsa pozita thotë se ka mandat deri në vjeshtën e vitit 2011, në bazë të Kushtetutës së Kosovës...

INFOPRESS
Një vit pas qeverisjes në koalicion, dy partitë udhëheqëse, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, vlerësojnë punën që kanë bërë. Teksa ballafaqohen me kritika të përditshme të opozitës, që i vlerësojnë si joseriozë dhe “zhurmë pa efekt”, pozita numëron sukseset dhe zotohet për vazhdimin e punës së suksesshme edhe në këtë vit të ri, vitin 2009. Përmes zëdhënësve të tyre, PDK dhe LDK kanë dhënë vlerësimet pozitive për vitin e parë të qeverisjes Thaçi. PDK-ja vlerëson se viti i parë i kësaj qeverie ka qenë vit i suksesit historik të popullit të Kosovës. “Është realizuar ëndrra e gjeneratave të shumtat qytetarëve të Kosovës, duke e shpallur Kosovën shtet të pavarur e sovran, janë nxjerrë simbolet shtetërore, është miratuar Kushtetuta moderne. Po ashtu, kapitull i veçantë ishte edhe njohja e Kosovës nga më se 53 shtete”, ka thënë zëdhënësi i ri i PDK-së, Blerand Stavileci...

KOHA DITORE
Shpëtimin Kosova e ka në qeveri ekspertësh, jo me Hashim Thaçin në krye, e as me liderët e deritashëm, janë shprehur të dielën përfaqësues të subjekteve politike opozitare. Të shqetësuar me vetëlavdërimet e mëdha të Qeverisë për punën njëvjeçare, përfaqësues të opozitës konsiderojnë se jeta e qytetarëve nuk është përmirësuar aspak dhe vazhdimi i kësaj situate nuk i shkon në dobi Kosovës. Nëse jo një qeveri ekspertësh, atëherë, sipas tyre, vendit i duhet patjetër organizimi i zgjedhjeve të reja parlamentare, në të cilat askush nuk do të mund të “shitej” më me fjalë të mëdha politike, por vetëm me programe konkrete për zhvillim të vendit... Zyrtarë të subjekteve të opozitës, ndërkaq, e shohin si shqetësuese për vendin interpretimin e dështimeve gjatë një viti si suksese nga ana e pozitës. Profesori i ekonomisë, Berim Ramosaj, nënkryetar i LDD-së, konsideron se nuk ka nevojë me qenë as profesor, e as ekonomist shumë i zgjuar, që të kuptohet se treguesit e zhvillimit ekonomik janë shumë negativë...

BOTA SOT
Nuk mund të vendosin pa ndërhyrje. Institucionet e Kosovës duket se kanë krijuar varësi ndaj të huajve dhe tash edhe për emërimin e 23 oficerëve të FSK-së, vlerësojnë opozitarët dhe ekspertë ushtarakë. Edhe pse ishte premtuar nga ministri i FSK-së, Fehmi Mujota, se në fund të vitit 2008, zgjedhja e eprorëve të FSK-së do të bëhet në fillim të këtij viti, një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe pse kanë kaluar 11 ditë. Zyrtarët në këtë ministri nuk e shohin këtë si një çështje të ngutshme. Ata thonë se është duke u punuar në atë drejtim, por nuk priten rezultate konkrete brenda këtyre ditëve. “Përzgjedhja e oficerëve është në proces, bordi seleksionues është duke punuar, rezultate përfundimtare nuk ka, priten rezultatet, por ky proces i kërkon edhe disa ditë. Diçka e shpejtë nuk pritet”, thotë Ibrahim Shala, zyrtar për informim në Ministrinë e FSK-së. Sipas tij, kjo vonesë po bëhet për shkak të procedurave dhe rregullave të parapara...

EPOKA E RE
Ekspertët vendorë kanë vlerësuar se ekonomia e Kosovës nuk mund të jetë imune ndaj krizës globale. Ata kanë vlerësuar se duke marrë parasysh se as ekonomitë e vendeve më të zhvilluara nuk kanë mundur t’i bëjnë ballë krizës ekonomike financiare, është absurde të mendohet se Kosova nuk do të preket nga kriza financiare. Eksperti i ekonomisë, prof. Dr. Nagip Skënderi, ka thënë se Kosova tashmë i “ka plotësuar kushtet” për të qenë në krizë ekonomike. Sipas tij, duke pasur parasysh indikatorët ekonomikë, papunësinë dhe varfërinë në Kosovës, si dhe dallimin mes importit dhe eksportit, bën të vetëkuptohet se Kosova është në krizë. Skënderi ka theksuar se ekonomia është një hark vicioz, kur njëra hallkë shkëputet, atëherë e gjithë ekonomia shkëputet. “Mos të harrojmë, ekonomitë e forta botërore janë në recesion dhe në depresion ekonomik, prandaj si është e mundur që Kosova të jetë jashtë kësaj krize, e të ‘mburret’ për suksese pozitive ekonomike”, ka pohuar ai...
XS
SM
MD
LG