Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka vendosur që zgjedhjet parlamentare të mos mbahen këtë vit, por pas përfundimit të mandatit katërvjeçar të institucioneve, duke shkaktuar kështu një reagim të ashpër të subjekteve politike opozitare.
Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, njofton se vendimi është marrë pas një takimi që Sejdiu ka pasur me shefin e Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith.
"Presidenti Sejdiu e ka njoftuar zotin Feith me vendimin e tij që institucionet qendrore të Kosovës, të dala nga zgjedhjet e nëntorit të vitit 2007, të vazhdojnë mandatin e plotë sipas Nenit 161 të Kushtetutës së Republikës dhe akteve të tjera juridike në fuqi", tha Beqiri.
Neni 161 mbi tranzicionin e institucioneve parasheh që të gjitha kompetencat, përgjegjësitë dhe detyrimet e institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, t'u kalojnë menjëherë institucioneve aktuale, në ditën e hyrjes në fuqi të Kushtetutës.
Kohëzgjatja e mandatit të secilit institucion para hyrjes në fuqi të kësaj Kushtetute, do të mbetet e paprekur dhe e pandryshuar deri në skadimin e rregullt, ose deri në zgjedhjet e reja, thuhet në këtë nen.
Por, opozita konsideron se në të vërtetë është shkelur edhe Kushtetuta, edhe pakoja e Ahtisaarit, meqë kjo e fundit parasheh që zgjedhjet parlamentare të mbahen 9 muaj pas zgjidhjes së statusit final të Kosovës.
Më e ashpra ndaj vendimit të presidentit ka qenë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila pas mbledhjes së Kryesisë së gjerë ka dalë me disa qëndrime. Kreu i kësaj partie, Ramush Haradinaj, numëron disa nga to.
"Do të iniciojmë padi ndaj z. Fatmir Sejdiu për shkelje kushtetuese në Gjykatën Kushtetuese të vendit, sapo të formohet ajo, por inicimin do ta bëjmë menjëherë. Do të bëjmë ankesë në Këshillin Drejtues për Kosovën, pra vendet që përbëjnë ICO-në, për miratimin që ka dhënë në mënyrë të gabuar Pieter Feith, për qëndrimin e presidentit të Kosovës; njëkohësisht në Parlament do të iniciojmë kërkesë që kjo temë të diskutohet dhe elaborohet, sepse është një veprim i gabuar", tha Haradinaj.
Haradinaj shpreson se vendimi i presidentit do të kthehet mbrapsht. Por, vendimi i Sejdiut është mbështetur nga Zyra Civile Ndërkombëtare, zyrë kjo për të cilën gjatë debatit për zgjedhje disa nga partitë opozitare kishin shpresuar se do mbështeste mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit.
"Në bazë të Dispozitave të Propozimit Gjithëpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit, Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Ligjit për Zgjedhjet, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka ardhur në përfundim se vendimi i Presidentit për t'u mundësuar institucioneve qendrore të përmbushin mandatin e tyre sipas Kushtetutës, është në përputhje me Propozimin Gjithëpërfshirës për Statusin", thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga ICO.
Pavarësisht qëndrimit të ICO-së, partitë opozitare konsiderojnë se debati për mbajtjen e zgjedhjeve këtë vit nuk ka përfunduar. Ibrahim Makolli, nënkryetar i subjektit më të madh opozitar në Kuvend, Aleancës Kosova e re, kritikon presidentin Sejdiu për marrje të vendimit të njëanshëm.
"Ne konsiderojmë dhe mbesim pas qëndrimit tonë se zgjedhjet duhet të mbahen në afatin sa më të shpejtë kohor, pasi që Kosova pas 17 shkurtit të vitit të kaluar ka një ndërrim të sistemit politik dhe juridik dhe institucionet e vendit duhet të krijohen në pajtim me rrethanat e reja të krijuara politike në vend", tha Makolli.
Lidhja Demokratike e Dardanisë, sipas nënkryetarit të saj Berim Ramosaj, nuk mbështet vendimin e presidentit dhe ruan qëndrimin se zgjedhjet duhet mbajtur këtë vit.
"Një vendim i tillë ad hoc dhe pa konsulta me partitë politike, qoftë me ato në Parlament, qoftë ato jashtë Parlamentit, nuk ishte dashur të merrej. Unë nuk besoj se është vendim përfundimtar, propozimi i tij mund të jetë si propozim, por vendimet duhet të merren në konsensus të plotë me të gjithë faktorët relevantë në Kosovë", tha Ramosaj.
Ndryshe nga marrja e vendimit për zgjedhjet parlamentare pa konsensusin e subjekteve politike, për të cilin është kritikuar nga opozita, presidenti, sipas kabinetit të tij, lidhur me datën për mbajtjen e zgjedhjeve lokale do të konsultohet me spektrin politik.