Ndërlidhjet

“Thaçi injoron Zannierin”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
LAJM
Parlamenti Evropian, të mërkurën, në një seancë plenare në Strasburg, do të aprovojë një rezolutë për Kosovën, që do të paraprihet nga një debat rreth bilancit evropian të situatës në Kosovë, një vit pas pavarësisë. Para pak kohësh, kryetarja e delegacionit për Evropën Juglindore, Doris Pack, e cila ka qenë aktive për Kosovën gjatë dy mandateve të saj në Parlamentin Evropian, ka shprehur keqardhjen se as evropianët dhe as kosovarët nuk e dëshironin situatën aktuale në Kosovë. Në një intervistë ekskluzive për “Lajm”, eurodeputetja Pack e kritikon komunitetin ndërkombëtar se po merret më shumë me transformimin e Kosovës në një zonë të përfitimit të shumave të mëdha parash, në vend që t’u ofrojë ndihmën e nevojshme institucioneve të Kosovës. Pack gjithashtu e kritikon përjashtimin e autoriteteve të Kosovës gjatë bisedimeve për planin gjashtëpikësh dhe u bën thirrje qytetarëve të Mitrovicës të mos bëhen pre e lojërave politike të Beogradit...

KOHA DITORE
Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, ka lënë pezull një ftesë të bërë nga kryeadministratori i Kosovës, Lamberto Zannier, për një takim në të cilin ky i fundit do t’i raportonte rreth takimit me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Vuk Jeremiq, dhe kur pritej të debatonte për modalitetet e reja në bisedimet e mundshme për gjashtë pikat e propozuara për dialog në mes Prishtinës dhe Beogradit nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon. Zyrtarë të administratës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë kanë thënë se ftesa zyrtare për këtë takim i është dorëzuar Zyrës së kryeministrit, por që ata nuk kanë marrë asnjë përgjigje nga ta deri të hënën pasdite. “PSSP-ja ka kërkuar një takim me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, që të informojë rreth takimit që ka pasur në Nju Jork me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Vuk Jeremiq, por deri në këto momente nuk kemi marrë asnjë përgjigje nga ta”, ka thënë shefi i Zyrës për informim në UNMIK, Alexander Ivanko, për “Kohën Ditore”...

BOTA SOT
Në kohën kur Kosovës më shumë se kurrë i nevojitet Këshilli Kombëtar i Sigurisë, institucion ky që do të reflektonte pozitivisht në sigurinë e vendit, ai mungon... Qeveria, duke e konsideruar të rëndësishëm formimin e Këshillit të Sigurisë të Kosovës, i quan të arsyeshme edhe vonesat, ngase, sipas tyre, fillimisht është dashur t miratohen aktet nënligjore që mundësojnë edhe formimin e këtij organi institucional. “Gjithçka është gati për mbledhjen konstituive të Këshillit të Sigurisë. Çështjet teknike e kanë bërë këtë vonesë të vogël dhe po ashtu ka qenë e nevojshme të miratohen aktet nënligjore të punës”, tha zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi... Pavarësisht faktit se tashmë shpresohet në një veprim më të shpejtë, përfaqësues të opozitës nuk e arsyetojnë neglizhencën e Qeverisë për moskrijimin e deritanishëm të këtij institucioni, për më tepër i obligueshëm edhe me Kushtetutën e vendit...

EXPRESS
Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, do t’i drejtohet me një fjalim, të premten në darkën hapëse, Konferencës së 45-të të Munichut për Sigurinë, që është njëri ndër forumet më të mëdha botërore të politikës së jashtme dhe sigurisë. Zëdhënësi i presidentit, Xhavit Beqiri, ka konfirmuar të hënën për Express se z.Sejdiu do të udhëtojë të enjten për në Vjenë. “Të enjten në mbrëmje, presidenti Sejdiu do të marrë pjesë në inaugurimin e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Vjenë”, ka thënë zëdhënësi. “Pastaj, më datën 6, ai do të jetë në Munich, në një aktivitet tjetër”. Shefi kosovar i shtetit është ftuar për të marrë pjesë në konferencën prestigjioze të përvitshme të Munichut, pikërisht aty ku në punimet e saj të vitit 2007 ish-presidenti rus, Vladimir Putin, pati shokuar Perëndimin duke shpallur linjën e tij të ashpër në raport me SHBA-në dhe aleatët e saj...

KOSOVA SOT
Në Komisionin për Buxhet dhe Financa ka raportuar drejtori menaxhues i Trustit Pensional, Adrian Zalli. Sipas raportit, Bordi deri tani ka humbur më se 91 milionë euro. Periudha më e rëndë e Fondit ka qenë periudha prej shtatorit. Sipas zëvendësdrejtorit Vërshim Hatipi, vetëm në tremujorin e fundit Trusti ka pësuar 41 milionë humbje, kundrejt 18 milionë të hyrave. Hatipi ka shtuar se edhe janari ka qenë një muaj i rëndë në tregun financiar global që ka rezultuar me rënie të aksioneve, por në këtë periudhë ata nuk kanë sjellë ndonjë raport apo gjendje më të re para Komisionit. Sipas tij, nuk pritet ndonjë përmirësim as gjatë muajit shkurt, e ndoshta deri në fillim të vitit 2010. Ish-ministri i Ekonomisë dhe i Financave, Haki Shatri, ka kërkuar nga Komisioni për Buxhet dhe Financa që të alarmojë gjendjen te guvernatori i BQK-së, të veprojë sa më shpejt që është e mundur, “të shpëtohet ajo që mund të shpëtohet”, ndërsa deputeti Naser Osmani ka kërkuar që Komisioni të kërkojë debat dhe raport për punën e Bordit që në seancën e parë plenare të radhës të Kuvendit...

ZËRI
Një nismë e re diplomatike ndërkombëtare pritet të vihet në lëvizje, në funksion të nisjes së një dialogu teknik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Fillimisht në këtë çështje ishin përfshirë vetëm Kombet e bashkuara, por pas shtrirjes së misionit të BE-së dhe marrjes së përgjegjësive në fushën e sundimit të ligjit dhe atë të doganave, tani edhe autoritetet evropiane pritet ta kenë rolin e tyre në bisedimet teknike. Në këtë kuadër paralajmërohet mundësia që udhëheqësit e misioneve ndërkombëtare në Kosovë, nisur nga shefi i UNMIK-ut, Lamberto Zannier, pastaj përfaqësuesi i lartë i BE-së, Pieter Feith, dhe shefi i EULEX-it, Iv de Kermabo, t’u propozojnë autoriteteve serbe një takim të nivelit të kartë në Beograd. Pas realizimit të mundshëm të këtij takimi, në skenë do të kthehej sërish edhe Prishtina zyrtare, e cila këto ditë me të madhe rithekson pozicionin e saj se e kundërshton tavolinën e bisedimeve për 6 pikat e Ban Ki Moonit, kurse shprehet e gatshme për bisedime në nivele të barabarta dhe për çështje të interesit të të dyja shteteve. Sidoqoftë, burime ndërkombëtare në Prishtinë thonë se aktualisht Beogradi mban rezerva në lidhje me takimin e mundshëm me Pieter Feithin...

INFOPRESS
Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila është themeluar në janar të vitit 2009, me autoritetin e saj për shqyrtimin e legjislacionit dhe kërkesave individuale për shkeljet e të drejtave, do të jetë kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në Kosovë dhe arbitri më i lartë për interpretimin e dispozitave kushtetuese. Me këtë deklaratë për media ka nisur punën të hënën Sekretaria e përkohshme e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Kjo sekretari do t’u mundësojë institucioneve dhe qytetarëve parashtrimin e kërkesave në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës. Ndryshe, sipas komunikatës, Organizata “East West Managment Institute”, me një grant nga DFID-i i Mbretërisë së Bashkuar, ofroi ndihmën kryesore teknike për grupin punues të Qeverisë së Kosovës që ishte i ngarkuar për themelimin e Gjykatës...

EPOKA E RE
Një grup i pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës të hënën është vendosur në Qendrën e Kosovës për Siguri Publike dhe Edukim në Vushtrri, ku do ta mbajë trajnimin themelor, të cilin, nëse e kalon, do të sigurojë vend në forcën e re, ka bërë të ditur Enver Dugolli, nga Zyra për Informim e FSK-së. Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës, nëpërmjet një komunikate për media, ka njoftuar se trajnimi është i paraparë të bëhet në tri nivele: Një trajnim nëntëjavësh është paraparë për nivelin e parë të instruktorëve të FSK-së; niveli i dytë do ta përfshijë trajnimin katërjavësh për eprorë të gradave major dhe nënkolonel, ndërkaq një tjetër trajnim katërjavësh i nivelit të tretë do t’i përfshijë pjesëtarët nga grada e kapitenit deri te grada e nëntogerit....
XS
SM
MD
LG