Ndërlidhjet

200 mijë lëndë presin zgjidhje


Një vit pas shpalljes së pavarësisë, në gjyqësorin e Kosovës problemet mbesin të njëjta. Deri më tash, sipas Këshillit Gjyqësor të Kosovës, janë rreth 200 mijë lëndë që presin zgjidhje, përderisa faktorët për këtë problem janë nga më të ndryshmit. Në anën tjetër, juristët nuk parashohin zgjidhje të shpejtë të problemit.


Është rritur në rreth 200 mijë numri i lëndëve të pazgjidhura gjyqësore. Kjo shifër ka të bëjë me lëndët e pazgjidhura në fund të vitit 2008 dhe gjendet në raportin vjetor të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, i cili s'është publikuar ende.

Besnik Ramosaj, nga Departamenti i Statistikave në Sekretariatin e Këshillit Gjyqësor, thotë se numri prej 195 mijë e 968 i lëndëve të pazgjidhura ka të bëjë me të gjitha gjykatat.

"Këtu hyjnë Gjykatat Supreme, Gjykatat e Qarkut, Gjykata Ekonomike dhe të gjitha Gjykatat Komunale", tha Ramosaj.

Gjykatat Komunale, sipas Ramosajt, janë ato që prijnë me numrin e madh të lëndëve të pazgjidhura. Disa nga faktorët që shkaktojnë këtë problem, sipas Ramosajt, janë mosdefinimi i qartë i çështjeve në ligjet materiale dhe ato procedurale, mungesa e legjislacionit në sfera të caktuara, por edhe një sërë faktorësh tjerë.

"Mosefikasiteti i organeve dhe institucioneve shtetërore në përmbushjen e detyrave nga kompetenca e tyre; numri i pamjaftueshëm i gjyqtarëve për të përballuar zgjidhjen me kohë të lëndëve në gjykatë; shpërndarja joadekuate e gjyqtarëve në disa gjykata; numri i pamjaftueshëm i prokurorëve; kushtet e punës (mungesa e hapësirës, numri i pamjaftueshëm i automjeteve për teren, mungesa e teknologjisë informative, stimulimi material i gjyqtarëve dhe stafit mbështetës etj); numri i vogël i bashkëpunëtorëve dhe praktikantëve; numri i vogël i ekzekutueseve (si dhe mungesa e kushteve të punës për ekzekutuesit); çështja e adresave, çështja e dëshmitarëve etj", shpjegon Ramosaj.

Në anën tjetër, edhe Ramë Gashi, nga Oda e Avokatëve të Kosovës, numëron pothuaj të njëjtat probleme të evidentuara edhe në raportin e KGJK-së, që, sipas tij, shkaktojnë grumbullim të lëndëve në gjyqësor.

Mosrespektimi i orarit nga gjyqtarët dhe prokurorët është një nga problemet. Pastaj, problem, sipas Gashit, është edhe mosdhënia e vendimeve meritore në shkallën e dytë të gjykimit dhe rikthimi i tyre në shkallën e parë.

"Mendoj se është një praktikë që duhet të rishikohet për hir të efikasitetit të zgjidhjes së rasteve. Praktika tregon se çështjet civile vonohen shumë, por edhe ato administrative e penale. D.m.th. është evidente se vonesat janë, mund të themi, të paarsyeshme", tha Gashi.

Ministria e Drejtësisë, por edhe përfaqësues të gjyqësorit, mendojnë se një nga mënyrat më të mira që mund të çojë kah zgjidhja e problemit të numrit të madh të lëndëve gjyqësore, është miratimi i infrastrukturës ligjore, që besohet se do të çojë në reformim të sistemit të drejtësisë. Megjithatë, Gashi thotë se zgjidhja e problemeve në gjyqësor do të marrë shumë kohë.

"Mendoj se ende do të ballafaqohemi me vështirësi, por, sidoqoftë, zgjidhja e infrastrukturës ligjore ka qenë nevojë edhe shumë më herët, jo sot, apo nesër. Zgjidhja e infrastrukturës ligjore dhe rizgjedhja e gjyqtarëve dhe prokurorëve paraqesin dy shanse të mëdha, që duhet të shfrytëzohen në të mirë të zgjidhjes së lëndëve gjyqësore", tha Gashi.

Këshilli Gjyqësor i Kosovës propozon, që të bëhet definimi i lëndëve të pazgjidhura - cilat nga këto lëndë janë në proces të zgjidhjes dhe cilat janë lëndë të akumuluara; pastaj të identifikohen problemet që kanë të bëjnë me zbatimin e ligjeve nga Zyra Ligjore dhe kryetarët e gjykatave; të ndryshohet sistematizimi i vendeve të punës në gjykata, me të cilin ndryshim do të parashihet rritja e numrit të bashkëpunëtorëve profesionalë si dhe numrit të praktikantëve; të fillojë punën institucioni i noterisë dhe një sërë propozimesh të tjera.
XS
SM
MD
LG