Ndërlidhjet

Trajkoviq: Beogradi me ideologji të Millosheviqit


Refuzimi i zyrtarëve të Beogradit për të mos pranuar bisedime direkte me kryeministrin e Kosovës Hashim Thaçi, meqë nuk e njohin si kryeministër të Kosovës, nuk është veprim i mençur dhe i takon ideologjisë millosheviqiane, tha për Radion Evropa e Lirë nënkryetarja e Këshillit Nacional Serb Rada Trajkoviq.

Trajkoviq tha se mosnjohja dhe kontestimi i atyre që janë zgjedhur në mënyrë legjitime dhe kanë përkrahjen e bashkësisë ndërkombëtare, është pjesë e ideologjisë të së kaluarës, e cila është dashur të hiqet qafe me rrëzimin e Millosheviqit.

"E tërë ajo që është relevante për popullin shqiptar, që del nga rezultatet zgjedhore, është edhe për mua relevante. Ata nuk kanë forcë që ta shohin në sy dhe kontestojnë njeriun, i cili qartazi ka ndikim brenda popullit të vet dhe gëzon mbështetjen e komunitetit ndërkombëtar", tha Trajkoviq për Radion Evropa e Lirë.

Trajkoviq iu referua një deklarate të sekretarit shtetëror në Ministrinë serbe për Kosovën, Oliver Ivanoviq, i cili i pat deklaruar një televizioni serb, se bisedimet me kryeministrin Thaçi janë të pamundura, meqë ai ndiqet nga drejtësia serbe.
XS
SM
MD
LG