Ndërlidhjet

BE kërkon rregulla në tregjet finansiare


Liderët e Bashkimit Evropian janë dakorduar sot në Berlin mbi nevojën e rregullimit e tregjeve finansiare.

Kancelarja Angela Merkel tha se liderët kanë rënë dakord për një qëndrim "të përbashkët dhe të fortë" për të rikthyer besimin në tregjet.

Kryeministri britanik Gordon Brown tha se liderët gjithashtu janë dakorduar t'i rritin kontributet për Fondin Monetar Ndërkombëtar, i cili e ka marrë rolin prijës në kreditimin e ekonomive në zhvillim që janë gjymtuar nga recesioni.

"Na duhet aksion ndërkombëtar për të ndihmuar Evropën Qendrore e Lindore, ku bankat e huaja janë larguar, dhe është vështirë të kapitalizohet pjesa tjetër e sistemit bankar pa mbështetje të institucioneve finansiare ndërkombëtare. Prandaj, propozojmë për FMN-në një fond 500 miliardë dollarësh, i cili do t'i mundësonte Fondit Monetar Ndërkombëtar jo vetëm që të përballet me krizat kur ato ndodhin, por edhe t'i parandalojë ato ", tha Brown.

Takimi i liderëve të Francës, Italisë, Spanjës, Holandës, Britanisë dhe Gjermanisë, synon të farkojë një konsenzus para samitit të grupit G 20 në Londër në 2 prill.
XS
SM
MD
LG