Ndërlidhjet

Protestuesit serbë bllokuan gjykatën në veri


Qytetarët serbë në Mitrovicë kanë penguar nisjen e një procesi gjyqësor nga ana e gjykatësve të EULEX-it në Gjykatën e Qarkut në Mitrovicë. Ata kanë kërkuar që çështja e funksionimit të drejtësisë në veri të zgjidhet në relacionin Beograd- UNMIK-EULEX. Zyrtarë të EULEX-it thonë se gjykimi u shty për shkaqe sigurie.



EULEX-i ka shtyrë procesin gjyqësor në Gjykatën e Qarkut në veri të Mitrovicës, i paraparë të mbahet sot (e hënë) nga gjykatës dhe prokurorë të këtij misioni.

Kanë qenë protestuesit serbë, të cilët për disa orë kanë bllokuar hyrjen e kësaj gjykate duke pamundësuar kështu mbajtjen e gjykimit të parë pas një viti, që kur Gjykata e Qarkut në veri ka ndërprerë punën.

Zyrtarë të EULEX-it kanë thënë se gjykimi është shtyrë për shkaqe sigurie. Gjykatës dhe prokurorë të misionit EULEX në Kosovë është dashur që të nisin gjykimin kundër dy personave, të cilët akuzohen për vjedhje të rëndë tw kryer në tetor të vitit 2007 në komunën e Leposaviqit
.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës Besim Hoti, tha se protesta e serbëve ka zgjatur më se 3 orë, për të përfunduar në mesditë pa incidente.

“Sot ka qenë e paraparë që të mbahet seanca e parë gjyqësore e EULEX-it, pas ngjarjeve të marsit, që kanë zënë vend vitin e kaluar në Mitrovicë, dhe sigurisht që prezenca e protestuesve ka qenë për këtë fakt. Në protestë kanë qenë të grumbulluar rreth 150 persona që konsiderohen të jenë ish punonjës të sistemit të drejtësisë së ish-Jugosllavisë. Protesta ka përfunduar e qetë në mesditë”, tha Hoti.

Protestuesit serbë, kanë thënë se EULEX nuk do të lejohet që të zhvillojë procese gjyqësore, derisa të mos gjendet zgjidhje për funksionimin e sistemit të drejtësisë në veri, në relacionin Beograd- EULEX- UNMIK.

“Pra duhet të zgjidhim çështjen e drejtësisë sipas planit gjashtëpikësh të Ban ki Moonit, ndërsa EULEX duhet të mbetet brenda kornizës së mandatit të tij”, tha Nikolla Kabashiq, një nga gjykatësit serbë që bashkë me serbët tjerë ka protestuar para objektit të Gjykatës së Qarkut në pjesën veriore të Mitrovicës.

Serbët kanë kërkuar që EULEX të mos punojë me ligje të shtetit të Kosovës.

“Çka do të punojë EULEX këtu, cilat ligje do t’i respektojë, çfarë vulash do të përdorin në vendimet e tyre. Duam ta dimë se kënd e përfaqësojnë”, tha Nikolla Kabashiq.

Ditë më parë, zyrtarë të EULEX-it kanë pranuar se çështja e përdorimit të vulave të Republikës së Kosovës paraqet një problem, për shkak të pakënaqësive të banorëve serbë në Mitrovicë.

“Është problem për ne, sepse, siç e dini, në pjesën serbe të Mitrovicës zyrtarët nuk janë të kënaqur me këtë. Kështu që ne po mundohemi të gjejmë zgjidhje për çështjen e vulave dhe shpresojmë të gjejmë nje qasje pragmatike”, ka thënë zëdhënësi i EULEX-it, Christophe Lamfalussy.

Gjykata e Qarkut dhe ajo Komunale në pjesën veriore të Mitrovicës është hapur tetorin e vitit të kaluar, që kur qe mbyllur si pasojë e përleshjeve të 17 marsit të 2008-tës, mes serbëve dhe autoriteteve të sigurisë. Në ato trazira qe vrarë një polic ukrainas i UNMIK-ut.

Konflikti pat ndodhur për shkak të arrestimit të punonjësve serbe, të cilët për ditë me radhë patën uzurpuar objektin e gjykatës duke kërkuar kthimin në vendet e punës që kishin pasur para vitti 1999.

Tani, në këto gjykata punojnë vetëm gjykatës dhe prokurorë të EULEX-it.

Kreu i EULEX-it Yves de Kermabon ka premtuar javën e kaluar se në gjykata do kthehen edhe gjykatësit shqiptarë dhe ata serbë.
XS
SM
MD
LG