Ndërlidhjet

“Priten ndryshime në Qeverinë Thaçi?”


Të përditshmet kosovare
Të përditshmet kosovare
INFOPRESS
Roli ekzekutiv i EULEX-it ka gjasa që të shkojë deri në atë masë saqë do të kryesojë edhe institucione të Kosovës. Projektligji për themelimin e Departamentit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës ka paraparë që ky institucion të kryesohet nga një vendor dhe ndërkombëtar. Projektligji në fjalë është miratuar në parim para disa ditësh në Komisionin Parlamentar për Legjislacion, edhe pse anëtarët kanë dhënë vërejtje pikërisht për këtë pikë. Neni 7, i cili parasheh bashkëkryesimin e këtij departamenti, ka ngjallur reagime të deputetëve, të cilët kanë konsideruar se tash është faza e transferimit të kompetencave nga ndërkombëtarët tek vendorët dhe jo të vazhdohet si dikur. Ndërkohë, tashmë dihet që EULEX e ka zyrën e vet për Mjekësi Ligjore dhe ka nisur punën në këtë fushë...

BOTA SOT
Komisioni Parlamentar për Siguri ka marrë vesh nga përfaqësues të EULEX-it se duhet të përpilojë një raport për EULEX-in, policinë dhe institucionet e Kosovës, për të shikuar mundësinë e ndryshimit të politikave të veprimit, sa i përket çështjes së sigurisë në vend. Kryetari i Komisionit për Siguri në Kuvendin e Kosovës, Rrustem Mustafa, gjatë takimit me zëvendësshefin e policisë së EULEX-it, Lamberto Luckas, tha se nga këta të fundit kanë marrë vesh se duhet të përpilojnë një raport për të shikuar se çfarë ka për t’iu rekomanduar qeverisë dhe EULEX-it për ndryshimin e politikave të veprimit. “Ka shumëçka për të ndryshuar, pasi që ne jemi një shtet i ri dhe kemi punuar me dëshirë që EULEX-i të marrë rolin mbikëqyrës në vend dhe për ta bërë shtrirjen, ku janë edhe duke e bërë, ngase shtrirja në pikën 1 dhe 31 është fillimi i mbarë, dhe bashkë me EULEX-in presim që mekanizmat tonë të sigurisë të shtrijnë kontrollin në të gjitha pikat e vendit tonë”, tha Mustafa...

ZËRI
Qeveria Thaçi mund të pësojë disa ndryshime me largime dhe emërime të reja të disa ministrave. Ndonëse një gjë e tillë nuk konfirmohet zyrtarisht as nga kabineti i Thaçit dhe as nga LDK-ja, si partnere e PDK-së në Qeveri, burime mirë të informuara thonë se Thaçi, në emër të një vlerësimi të punës për ministritë dhe në koordinim me partnerët qeverisës, po kërkon rrugë për ndryshime në ministri të caktuara, kryesisht ato që janë nën udhëheqjen e LDK-së. Sipas këtyre burimeve, puna qëndron te problemet e brendshme të LDK-së dhe pakënaqësitë që disa zyrtarë të saj i shprehin. Andaj, thuhet se edhe një ministër i larguar i LDK-së mund të shfrytëzohet si pretekst nga disa qarqe që nuk e mbështesin koalicionin aktual nga radhët e LDK-së që ta çojnë këtë parti kah ndarjet e reja. Si zgjidhje nuk përjashtohet mundësia që për balans politik, Thaçi të bëjë edhe ndonjë ndryshim brenda ministrive që janë nën udhëheqjen e PDK-së...

LAJM
Mungesa e afateve për përmbushjen e kushteve për afrim me BE-në sfidon tërë procesin e integrimit të Kosovës në strukturat evropiane. Institucionet e Kosovës, së fundi, kanë ndërmarrë disa hapa për dinamizmin e procesit të afrimit me BE-në, siç janë miratimi i rezolutës për prioritetet dhe strategjitë e Kosovës për integrim në BE, miratimi i planit të veprimit për sfidat e raportit të Komisionit Evropian (KE) për progresin në Kosovë apo edhe krijimi i një komisioni ndërministror për integrime evropiane. Por, mungesa e afateve konkrete për përmbushjen e detyrave specifike dhe mosrespektimi i dinamikës së përcaktuar në planin e veprimit, rrezikon prolongim të tërë procesit. Ndërsa, përfaqësuesit e opozitës akuzojnë Qeverinë se nuk po dëshmon seriozitet dhe vullnet politik dhe as kapacitete profesionale që të kenë sukses në këtë proces...

EPOKA E RE
Ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, në një intervistë për “Epokën e re”, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se zgjedhjet lokale dhe ato të përgjithshme duhet të mbahen në vitin 2010. “Koha më e përshtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe atyre të përgjithshme është viti 2010”, ka thënë Çeku, i cili ndërkohë ka shprehur vërejtjet e tij personale dhe të partisë rreth organizimit të manifestimit të përvjetorit të “Epopesë së UÇK-së”. “Ne kemi shprehur edhe publikisht vërejtjet tona për mënyrën e zbehtë me të cilën sivjet është shënuar përvjetori i Epopesë së UÇK-së dhe komandantit legjendar Adem Jashari”, ka thënë Çeku, duke dhënë kritika më pas se FSK-ja është dashur, ashtu sikurse TMK-ja në kohën e vet, të bëjë manifestim për nder të komandantit Adem Jashari...

KOHA DITORE
Pak ditë pas deklaratave të krerëve shtetërorë të Kosovës se roli i UNMIK-ut dhe Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit është i tejkaluar, zëdhënësi i këtij misioni, Russell Geekie, ka theksuar se prezenca e Kombeve të Bashkuara në Kosovë dhe mekanizmave përcjellës në terren do të zgjasë për aq sa do të jetë në fuqi kjo rezolutë. Por, zyrtari ndërkombëtar nuk ka mundur të saktësojë se si do të ecet përpara nëse autoritetet kosovare refuzojnë të zbatojnë dispozitat e OKB-së dhe UNMIK-ut. “UNMIK-u dhe PSSP-ja kanë bashkëpunim të mirë me autoritetet e Prishtinës. Tani ekzistojnë disa pikëpamje të ndryshme rreth disa çështjeve, por marrëdhëniet janë në nivel të fuqishëm”, ka deklaruar Geekie. Ai nuk ka pranuar t’i komentojë deklaratat e udhëheqësve kosovarë që bëjnë thirrje për shuarjen e misionit, duke shpjeguar se UNMIK-u vazhdon t’i marrë direktivat nga sekretari i përgjithshëm, Ban Ki Moon...

KOSOVA SOT
Mjetet e kontribuuesve kosovarë, të cilët në mënyrë obligative i ndajnë kursimet e tyre në Trustin e Kurimeve Pensionale të Kosovës, edhe gjatë 2009-ës janë duke humbur. Sipas zëvendësdrejtorit Vërshim Hatipi, në muajin shkurt humbjet pritet të shkojnë rreth 10 milionë euro, apo nëse e marrim në total, rënia e vlerës së këtyre mjeteve ka rënë në mbi 100 milionë euro deri më tani. Hatipi ka shtuar se edhe shkurti ka qenë një muaj i rëndë në tregun financiar global që ka rezultuar me rënie të aksioneve në vlerë rreth 10 milionë euro. Sipas tij, nuk pritet ndonjë përmirësim as gjatë muajit mars, e ndoshta deri në fillim të vitit 2010. “Ende nuk i kemi të gjitha raportet për muajin shkurt, mirëpo, sipas indikacioneve të para, rënia në vlerë përgjatë këtij muaji do të jetë diku 10 milionë euro”, tha Hatipi...

EXPRESS
Shtirja e EULEX-it në veri të Kosovës është blerë me çmim të shtrenjtë. Ky çmim është ambiguiteti mbi bazën në të cilën është vendosur ky mision. Zbatimi i legjislacionit të UNMIK-ut në veri nga EULEX-i është një rezultat i tij. Kështu thotë drejtori i Grupit Ndërkombëtar të Krizave (ICG) në Kosovë, Peter Palmer, në një intervistë për Express. Ai parashikon se Bashkimit Evropian do t’i duhet një ditë të ndërhyjë dhe të kërkojë nga Beogradi që EULEX-it t’i mundësohet të punojë plotësisht sipas mandatit kur është krijuar ky mision. Thotë se implementimi i gjashtëpikësisht është i pamundshëm. As nuk sheh gjasa të ndarjes. Ai vlerëson se Qeveria aktuale serbe është më pak e obsesionuar me Kosovën, në krahasim me qeverinë paraardhëse. Peter Palmer, drejtuesi i projektit të organizatës prestigjioze, kërkon nga institucionet e Kosovës një qasje afruese me serbët...
XS
SM
MD
LG