Ndërlidhjet

Spanja fleksibile për tërheqjen nga Kosova


Spanja tha se tërheqja e trupave të saj nga Kosova do të bëhet në mënyrë "graduale" dhe "fleksibile".

"Ministreja e Mbrojtjes, Carmen Chacon do takohet javën e ardhshme me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jaap de Hoop Scheffer, për t'i shpjeguar arsyet e tërheqjes dhe për të arritur një vendim të përbashkët për afatin", ka thënë zëdhënësi i kreut të qeverisë.

"Vendimi për t'u larguar është marrë, por ne mund të jemi fleksibil për afatin, qoftë ai një vit, 18 muaj apo tetë muaj", ka thënë ai.

Komentet e zëdhënësit të kryeministrit paraqesin shmangie nga deklarata e kryeministrit Jose Luis Zapatero, i cili të premten tha se trupat do të largohen nga Kosova brenda katër apo pesë muajve të ardhshëm.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë se janë "thellësisht të zhgënjyera dhe të befasuara" nga planet për tërheqjen, të cilat Spanja i shpalli të enjten.

Spanja nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës.
XS
SM
MD
LG