Ndërlidhjet

WP: "Rifillimi i raporteve SHBA-Rusi"


"Washington Post"


Derisa pritet takimi i parë mes dy presidentëve, atij amerikan Barack Obama dhe rusit Dmitry Medvedev, të dyja palët kanë ide të ndryshme rreth asaj se çfarë duhet të presin nga ajo që administrata Obama e ka quajtur "rifillim" i marrëdhënieve.

Pikëpamja ruse është se rifillimi i raporteve duhet të nisë nga Amerika.

"Çdo çështje problematike që kemi trashëguar nga tetë vjetët e fundit, administrata Obama po e rishikon, hap që ne e mirëpresim", deklaroi së fundi shefi i diplomacisë ruse, Sergei Lavrov.

Zyrtarët rusë shpresojnë që rishikimi i problemeve nga ana e administratës amerikane do të çojë në më pak presion për të krijuar një front të përbashkët kundër programeve bërthamore të Iranit, por, mbi të gjitha, do të pranohet e ashtuquajtura "zonë ruse e ndikimit" mbi një pjesë të vendeve ish-sovjetike dhe të Traktatit të Varshavës.

Kjo hapësirë nga presidenti rus Medvedev është quajtur si "rajon me interes të shtuar".

Nga ana tjetër, shenjat që vijnë nga Uashingtoni sugjerojnë se administrata Obama nuk ndan mendimin se ndryshimet në raportet dypalëshe duhet të vijnë vetëm nga njëra anë.

Administrata e re amerikane shpreson në përmirësimin e marrëdhënieve në një mori çështjesh, përfshirë Iranin, Afganistanin, luftën kundër terrorizmit dhe përhapjen e armëve bërthamore.

Administrata aktuale po tregohet më e gatshme se ajo paraardhëse për t’u përfshirë në bisedimet për armatimin, por duhet shtuar se administrata Obama nuk është më pak e alarmuar sesa presidenti Bush lidhur me programet bërthamore të Iranit dhe nuk e pranon pozitën e privilegjuar të Rusisë ndaj fqinjëve të saj.

Kjo duket dhe në deklaratën e presidentit Obama pas takimit me shefin e NATO-s në Shtëpinë e Bardhë, ku ai tha se vendet që synojnë t'i bashkohen Aleancës, duhet të lejohen për një gjë të tillë.

Mesazhi është i qartë - Gjeorgjia e Ukraina, si dhe ish-republikat e tjera sovjetike duhet të jenë të lira t'i bashkohen Aleancës, nëse kjo është zgjedhja e tyre.

Me fjalë të tjera, administrata amerikane beson se mund të zhvillojë marrëdhënie konstruktive me Rusinë pa sakrifikuar interesat e fqinjëve të Rusisë.

Nëse një rifillim i tillë i marrëdhënieve dypalëshe është i pranueshëm për Rusinë, presidentin Medvedev dhe udhëheqësin de facto të Rusisë, Vladimir Putinin, kjo mbetet të shihet.
XS
SM
MD
LG