Ndërlidhjet

FMN-ja pa rol në krizën globale


Fondi Monetar Ndërkombëtar
Fondi Monetar Ndërkombëtar

Roli i FMN-së në krizën aktuale globale është diskutuar jo pak. Qeveritë mbështesin një FMN më aktive, derisa jo pak studiues të ekonomisë besojnë se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk ka as para, as vullnet për të luajtur një rol në zgjidhjen e krizës.


Një nga temat e debatit në takimin e G20-ës, por dhe në diskutimet mes krerëve botërorë, është dhe dyfishimi i fondeve për Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Në këtë mënyrë, FMN-ja do të jetë në gjendje të ndihmojë vendet në nevojë. Por, shumë e kanë kundërshtuar këtë ide, duke e cilësuar të pafrytshme.

Në mesin e kritikëve është dhe Ian Vasquez, studiues i financave ndërkombëtare në Institutin amerikan Cato. Vasquez mendon se FMN-ja nuk e ka ende të qartë rolin e saj.

"FMN-ja ka qenë në kërkim të rolit të saj të ri për shumë vite. Kjo ka filluar me dështimin e madh të FMN-së gjatë paketave të mëdha të ndihmës për Argjentinën, projekt që rezultoi i dështuar. Që atëherë, njerëzit brenda dhe jashtë FMN-së kanë dashur të dinë se cili është roli real i saj. Kjo pyetje është shtruar edhe më me forcë sa herë që është paraqitur ndonjë krizë. Nuk është e qartë nëse FMN-ja luan ndonjë rol në rritjen e ekonomisë liberale në botë", thotë Vasquez për REL.

Ai shton se nuk është ide e mirë që t'i jepen fonde FMN-së për të nxjerrë nga kriza ekonomitë e vendeve të ndryshme, pasi nuk mund të besohet se FMN-ja do të bëjë një punë më të mirë sot nga ajo që bëri 10 vjet më parë në Argjentinë.

Nga ana tjetër, propozimet për FMN-në parashohin rritjen e kontributit të vendeve anëtare për këtë organizatë, por pa rritur ndikimin e vendeve përkatëse në vendimmarrje. Kina është njëra prej tyre.

Ian Vasquez
"FMN në thelb është një institucion politik, jo ekonomik. Kjo bën që qeveritë janë gjithmonë të interesuara se si të rrisin ndikimin e tyre dhe si të ndikojnë në hartimin e politikave të FMN-së. Në këtë kuptim, shqetësimi i Kinës, se duhet të japë më shumë fonde, por pa rritur ndikimin e saj brenda kësaj organizate, mund të quhet legjitim",
pohon studiuesi i ekonomisë, Ian Vasquez.

Por, ai shton se nëse shqetësimet janë të lidhura me efikasitetin e FMN-së nga pikëpamja ekonomike dhe jo politike, mund të themi se Fondi Monetar Ndërkombëtar nuk është mjeti i duhur për të adresuar krizën.

"Po bëhet gjithmonë e më e qartë se FMN-ja ka qenë e parëndësishme në ekonominë e globalizuar. Kjo lidhet me faktin se nuk ka as burimet dhe as vullnetin e duhur për të bërë atë që pretendon", thotë Vasquez nga Instituti Cato.

Me gjithë kritikat, studiuesi i ekonomisë pohon se ende ka një rol për FMN-në në strukturat aktuale globale.

"Mendoj se FMN-ja do të ishte shumë më e mirë për të dhënë këshilla sesa para. Në këtë kuptim, ajo do të shndërrohet më shumë në një agjenci këshilluese. Kjo do të dëshmonte edhe një herë se roli real i FMN-së është i kufizuar. Aktualisht, nuk mendoj se FMN-ja ka ndonjë rol për të luajtur", përfundon për REL, studiuesi i ekonomisë nga Instituti amerikan Cato, Ian Vasquez.
XS
SM
MD
LG