Ndërlidhjet

Ndasi mes serbëve për EULEX-in


Funksionalizimi i plotë i EULEX-it shihet në forma të ndryshme nga serbët e Kosovës. Politikanët e shohin si të njëanshëm dhe që dëmton interesat e serbëve, ndërsa analistë serbë thonë se sundimi i plotë i ligjit është në të mirë të serbëve.


Misioni evropian për sundimin e ligjit nuk shihet me sy të njëjtë nga serbët e Kosovës. Disa vazhdojnë ta kundërshtojnë atë, ndërsa të tjerët presin që të vë në zbatim të plotë sundimin e ligjit në vend.

Katër muaj pas vendosjes në Kosovë, ky mision dje ka deklaruar se është bërë plotësisht operativ, përfshirë këtu edhe pjesën veriore të Kosovës. Por, për Milan Ivanoviqin, politikan serb nga Mitrovica, këta katër muaj për serbët kanë sjellë vetëm rezultate negative.

“Nuk e kemi ndjerë praninë e tyre në ndonjë kuptim pozitiv. Deri tash, EULEX-i është munduar të falsifikojë informata rreth situatës kinse të mirë politike dhe të sigurisë. EULEX-i nuk sillet në frymë të Rezolutës 1244, por zbaton planin e Ahtisaarit”, thotë Milan Ivanoviq, duke akuzuar EULEX-in se po ua bart të gjitha përgjegjësitë institucioneve qendrore të Kosovës.

Por, ka të tillë në mesin e serbëve që përshëndesin funksionalizimin e plotë të EULEX-it. Petar Miletiq është sekretar i përgjithshëm i Partisë së Pavarur Liberale, e cila është pjesë e institucioneve të Kosovës.

“EULEX-i gjithsesi se duhet të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe të funksionojë. Po ashtu duhet të sillet në mënyrë të përgjegjshme, para së gjithash, për shkak se në Kosovë ky mision ka ardhur në mes shumë kontradiktave. Meqenëse në shumë pjesë të Kosovës ka shumë mosmarrëveshje, funksionalizimi i plotë i EULEX-it është më se i domosdoshëm”, pohon Miletiq.

Zyrtarë të EULEX-it kanë deklaruar se janë autoritetet e Kosovës ato që kanë rol udhëheqës, ndërsa misioni evropian do t’i ndihmojë, këshillojë dhe udhëzojë ato.

Por, ky qëndrim, nga kreu i Këshillit Nacional Serb për veriun e Kosovës, Milan Ivanoviq, shihet si pozicionim në anën e shqiptarëve.

“Kërkesa jonë kryesore ka qenë, dhe kjo ka qenë edhe kërkesë e Beogradit, që të jenë neutralë karshi statusit, që të punojnë në bazë të Rezolutës 1244. Ne u kemi thënë si njerëz që përfaqësojmë popullin, se mund të vëmë bashkëpunim me EULEX-in nëse ata sillen në mënyrë objektive, të barabartë”.


“Megjithatë, ata ua kanë bartur të gjitha kompetencat institucioneve shqiptare dhe tash po pengojnë edhe hyrjen e zyrtarëve nga Beogradi, serbëve të lindur në Kosovë, gjë që nuk ka ndodhur deri më tash, sepse UNMIK-u nga ana e tij ka përmbushur obligimet e dala nga 1244-shi”, shprehet Milan Ivanoviq.

Por, ndryshe nga politikanët, ka serbë të tjerë nga shoqëria civile që mendojnë se EULEX-i do t’u sjellë të mira serbëve të Kosovës. Srgjan Seratliq, drejtues i Asociacionit për të Kthyerit “Unioni”, mendon se sundimi i plotë i ligjit nuk i bën dëm askujt.

“Sa i përket vetë misionit të EULEX-it, ai është i nevojshëm në Kosovë, pasi që ka pasur një kaos në fushën e sundimit të ligjit. Ligji duhet zbatuar dhe nëse ka zbatim ligji, atëherë jam i sigurt se nga kjo do të përfitojnë të gjitha komunitetet, përfshirë edhe serbët”, tha Seratliq.

Misioni evropian për sundimin e ligjit është përballur me sfida të shumta rreth zbarkimit, fillimisht nga komuniteti serb në Kosovë dhe Beogradi zyrtar, të cilët e kanë cilësuar funksionimin e tij si të paligjshëm.

Pas një sërë marrëveshjesh dhe bisedimesh, misioni pati marrë dritën e gjelbër edhe nëpërmjet një deklarate presidenciale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

Ndërkohë, serbët, si ata që kundërshtojnë, edhe ata që pranojnë EULEX-in, insistojnë që ai të jetë neutral karshi statusit të Kosovës.

“Përderisa EULEX-i vepron si neutral karshi statusit, nuk do të duhej të kishte problem. Mendoj se serbët duhet ta mbështesin faktin që EULEX-i të bëhet plotësisht operativ”, shprehet Seratliq.

EULEX-i e ka vlerësuar si të arritur të madhe shtrirjen dhe funksionalizimin në tërë Kosovën, përfshirë pjesët e banuara me shumicë serbe, pa asnjë incident madhor.

Sidoqoftë, politikanët serbë në veri thonë se EULEX-i edhe mund të jetë i pranishëm atje, por prania e tij do të jetë e paefektshme, meqë nuk do ta ketë bashkëpunimin e serbëve lokalë.
XS
SM
MD
LG